Saturday, 1 February 2014

Unikale



Vilhelme Vranari Haxhiraj

Pjesa 5

Unë vazhdoja të tregoja një jetë, jetën e familjes sime, jetën time, të Edionit. Rrëfeja për njohjen me të, atë lidhje shpirtërore dhe ndjenjash që të bëjnë ta shohësh veten në pasqyrë, madje për ta parë më mirë të duhet mikroskop: Ndërsa mamaja ime po më shikonte sikur do të më përpinte me sy të zgurdulluar...Papritmas më ndërpreu.
-Ardita, kur kanë ndodhur gjithë këto gjëra dhe unë...,unë nëna jote nuk i di? Si ka mundësi xhanëm? Të kam bërë kokën dhe mos të të njoh kaq hollësisht? Çudi...!
-Po jo... moj mama...Këto janë gjërat që më përkasin mua, janë ndjenjat e mia, të cilat më takojnë mua dhe askujt tjetër. Këto ndjesi kanë ndodhur brenda qenies sime, por kanë qenë aq domethënëse sa kanë lënë vragë dhe më janë ngulitur në ndërgjegje. Duke njohur dhe provuar ndjesi të tilla, unë u shkëputa nga ajo periudhë e rinisë dhe jeta ime hyri në një fazë të re më të përgjegjshme. Ndaj nisa të masja çdo hap, që të mos gaboja.
-Ndërsa mua më duket shumë interesante jeta jote dhe njohja juaj, së paku deri tani. Natyrisht për aq sa dëgjova,- ndërhyri Valbona.
-Nuk besoj se ka ndonjë të veçantë...si gjithë të...- dhe fjalia më ngeli në gjysmë. Një dhembje e madhe më mori frymën. Djersë të ftohta më mbuluan ballin dhe më pas gjithë trupin.
Një "oh, çfarë dhembje!" më doli nga gjuha e shpirtit. Nuk thonë kot:" "Kur dhemb trupi, atëherë shpirti ka gojë dhe flet vetë. Nuk ka nevojë të flasin kordet, sepse dhembjen e ndjen shpirti dhe jo goja apo një shqisë tjetër...ndaj vlen të përmendet shoprehja:' Të flasësh me gjuhën e shpirtit!"
-Ardita, bija ime...ç'pate? Mos u lodhe së treguari_-u shqetësua nëna.
-Mama Efgjenia ka të drejtë. U lodhe shumë. Ke mëse dy orë që flet...
Nuk u përgjigja atyre, por...Atë çast mora një qetësues në çantë dhe e piva. Dalëngadalë, pas disa minutash, dhembja sikur u shpërnda në gjithë kraharorin dhe pak nga pak nisa të qetësohem. Gjithsesi ndihesha e drobitur.
-Nuk di as vet se ç'më gjeti?! Më duket sikur ka ardhur ora të rrëfehem.
-Ti nuk je në vete. Unë do të këshilloja të bësh një kontroll mjekësor dhe analizat komplet. Nuk e ke për të parën herë..., së paku me mua. Pastaj e di ti se çfarë do të bësh,- më këshilloi Valbona.
 Ishte vonë. Dhembja më kujtoi se vajzat duhej të ishin kthyer në shtëpi. U nisëm. Unë dhe mamaja në makinën time, kurse ajo në makinën e saj.
Sa mbërritëm nështëpi, ime Më, ia tregoi fill e për pe Edionit gjendjen time shëndetësore.
-S'është hera e parë që i ndodh një gjë e tillë. I kam thënë që të shkojmë bashkë për vizitë mjekësore dhe të bëjë gjithë analizat. Po hajde mbushi kokën sat bije.
-Edion, të lutem a mund ta lëmë këtë bisedë edhe këto dy ditë që është nëna ime?
-Nuk kam asnjë kundërshtim, që sapo nënë Efgjenia të kthehet në shtëpi, ne të dy do të shkojmë te mjeku.
Kur u largua mamaja ime nga shtëpia jonë, Edionit i doli një punë në Tiranë. Për shkak të djegies në masë të pyjeve, Ministria kishte organizuar një seminar dy ditor në shkallë vendi. Por iku me mendimin se do të kthehej në mbrëmje në shtëpi. Kur u nis për rrugë më vuri si kusht që të shkoja te mjeku. Megjithëse i premtova, përsëri e kisha fjetur mendjen se nuk do të shkoja. Po të mos më ishte përsëritur debulesa e herëve të tjera në shtëpi dhe gjetiu, do të vazhdoja të ruaja qetësinë. Por vura re se rritja e gjëndrës nën sqetull, në anë të gjoksit ishte ende. Ndoshta m'u duk mua prej merakut sikur tani ishte si më e kapshme se më parë, më konkrete. Ishte e vetmja gjë që më alarmoi. Pa i thënë askujt, shkova në një laborator privat dhe bëra analizat. Me përgjigjen e tyre shkova tek mjekja e lagjes. Ajo u hodhi një sy dhe ...
-Në vija të përgjithshme të kanë dalë mirë të gjithë parametrat. Gjithsesi duhet të shkosh tek mjeku specialist. Sepse vetëm ai di të bëj krahasimin. Ka shumë mundësi ta kesh gjëndër dhjamore, ose gjëndër qumështi. Këto tipe gjëndrash zakonisht kurohen me antibiotikë të fortë me përbërje vajore, si  oliozet e dikurshme .  
-E falenderova dhe u largova për në punë.
-E mira është të shkosh qysh sot te mjeku onkolog. Mos e lërë pas dore se, nga e keqja e vogël, vjen një e keqe më e madhe, së cilës nuk i bëhet dermani.
Mendova të prisja Edionin që të kthehej nga Tirana. Për fat tim jo të mirë, ai më lajmëroi se do të qëndonte një natë atje, se kishin ende punë për ditën tjetër.

***

Të nesërmen vendosa të shkoja vetëm te mjeku onkolog. Papritmas në rrugë u ndesha me Valbonën, e cila parkoi makinën dhe u bashkua me mua.
-Ardita, sot më dukesh shumë më mirë nga dje...,-më ngrohu zemrën shoqja ime.
-Faleminderit. Në fakt ndihem më mirë, por...
-Por...Çfarë do të thuash?
-Gjithçka është në vartësi të kohës,- rinisa rrëfimin e lënë përgjysmë, ndërkohë që prisnim mjekun.
-Është pikërisht koha që na rezervon të papritura të mëdha apo të vogla, të këndshme apo të pakëndshme, të pëlqyeshme ose të papëlqyeshme. Sido qofshin ato, ndodh që ta ndryshojnë rrjedhën e jetës. Një takim i rastësishëm, një pikëtakim vështrimesh të paqëllimshme, një përplasje e vogël pa dashje, që nuk shkakton asgjë, që nuk është aksidentale në kuptimin e vërtetë të fjalës, mund të sjellë atë që ne e quajmë ndryshim. Ky mund të jetë ndikues në marrëdhëniet e qenies tënde me ndjenjat, me profesionin, apo edhe me mënyrën e të jetuarit.
Një ndryshim i tillë vjen kur është në harmoni të plotë thelbësorja, ose qenia humane, me atë të veçantë që të tjerët nuk e vënë re dot tek ti. Kjo e veçantë nuk është e dukshme sepse ajo është tejet personale, është vetjake... Është diçka me të cilën ke lindur, ndaj nuk i përket askujt, por është pjesëz e qenies sate.. Pa e vënë re, pa e ditur, pa u shprehur, në memecërinë e heshtjes së plotë, ajo fle brenda teje, rritet bashkë me qenien tënde dhe pa e kuptuar as Nevetja, ajo e veçantë është bërë pjesë e pandashme e jetës tënde. Kjo bashkëjeton me ty dhe është aq e vërtetë, sa edhe bujku që si askush tjetër, ndjen aromën dhe frymëmarrjen e tokës, pa të cilën nuk mund të jetojë. Ose kjo e veçantë është si detari që njeh gjuhën e detit. E njëjta gjë ndodh edhe me aviatorin, i cili gjatë fluturimit bashkëbisedon me ajrin e atmosferës. Këto raste që përmenda, bëhen një masë e vetme, e pandashme me atë diçka, atë të veçantë që u është bashkangjitur si pjesë e qenies së tyre. Njeriu ia njeh vetes këtë të veçantë kur ajo është bërë domosdoshmëri, gjë që e spikat vetëm përmes arsyes, kur truri i tij ka arritur mbindërgjegjen, pra është në shkallën më të lartë të logjikës.
Përshembull bujku e dashuron tokën deri sa ka jetën, madje flijohet për të. Në rast stuhije në det, kapiteni i anijes kur sheh se s'ka rrugë tjetër shpëtimi, nxjerrë jashtë rrezikut jetët e ekuipazhit dhe vet mbytet bashkë me anijen. Vdesin bashkë si një qenie e vetme në ujërat oqeanike, me të cilat kishin një gjuhë të përbashkët.
Më thoni cili aviator është treguar burracak dhe e la timonin, apo e braktisi sallën e komandës së aeroplanit, duke e lënë atë në mëshirën e faktorëve atmosferik?! Si në këto raste e në mijëra e miliona të tjera, duket  se mes tyre, me fije të padukshme është krijuar një lidhje e ngushtë organike që shkrihet në një masë të vetme. Ndaj ndjesia e të veçantës së tyre vdes bashkë me ata,- ndërsa ngisja makinën dhe vazhdonim bisedën.
E tillë, e paepur është edhe dashuria. Në një gjendje të tillë isha edhe unë kur u ndava me Edionin atje te shkallët e universitetit. Ishte një ndarje pas atyre ditëve jashtëzakonisht të bukura që kaluam bashkë...Gjithsesi ende nuk e kuptoja se ç'ishte ajo gjë e rëndësishme që më mungonte e më bënte të vuaja shpirtërisht. Veçse brenda qenies sime nuk di se ç'kisha ...ndieja një shpirt të zbrazët. Pa humbur kohë e pikasa se ndarja e përkohëshme është një nga provat më bindëse të ndjenjës. Varet se sa i rezistojnë një ndarjeje të tillë partnerët, që shërben si kohë prove e dashurisë.
Sot të gjithë e dimë se jeta e njeriut lind së bashku me ndjenjat, paçka se ai ende nuk është i aftë mendërisht apo logjikisht t'i dallojë. Kur arrin shkallën e njohjes dhe të përceptimit të ngjyrave, formave, gjendjeve, shijeve etje, atëherë fillon edhe ndarja e tyre sipas ndërgjegjësimit.
Dashuria e parë që lind te fëmija është dashuria për nënën, e cila rritet e vazhdon të rritet krahas ndryshimit fizik, mendor dhe kohor që pëson fëmija. Kalojnë vitet, ndërsa jeta paraqet kushte e kërkesa të tjera të reja dhe akoma më të ndëlikuara. Kur tek djali apo tek vajza lind një ndjenjë e re, dashuria për partnerin, atëherë nis dhe mënjanohet pak dashuria ndaj nënës, por kurrë nuk shuhet. Dashuria për nënën dhe mungesa e saj janë të pranishme edhe kur ajo mungon fizikisht...
Gjatë muajit të fundit që më kishte ngelur nga leksionet dhe shlyerjet, më merrte malli për mamanë, babanë, vëllanë e vetëm, të cilin e kisha edhe shokë të mirë. Shpesh herë sillja ndërmend apo më dilnin para syve veprime e zakone të tyre, çaste të bukura, shaka, zënka. Por sa kujtoja mungesën e tyre, parafytyrimet nuk ma plotësonin atë që doja. Mundohesha të harroja, po ndieja një zbrazëti në shpirt dhe më sëmbonte zemra. Më dukej sikur në hapësirën ku jetoja mungonte ajri i domosdoshëm. Nuk mbushesha dot me frymë, sikur ajrit i ishte larguar oksigjeni i nevojshëm dhe unë mbytesha si i sëmuri që vuan nga astma. E kisha të qartë se këtë psikologji ma sillte gjendja shpirtërore. Gjithashtu e merrja me mend se kush ishte shkaku i vërtetë i gjendjes sime të njelmët që më shtynte drejt plogështisë. 
Qysh atëherë nisa ta vlerësoja faktorin kohë. Mund të jetosh me vite të tëra me dikë pranë dhe nuk e ndjen mungesën e largimit të tij. Kurse me kaq pak kohë që isha njohur me Edionin, ishte bërë për mua aq i pandashëm, ashtu siç janë elementët e domosdoshëm jetik, si: ajri, drita dhe uji. Herë-herë bija në mendime, madje edhe në leksion më fluturonte mendja tek Ai...
Para syve më shfaqeshin vendet ku kishim shkuar bashkë, puthjet, përqafimet, bisedat, përmes të cilave ne njohëm të shkuarën e secilit. Pataj bëmë analizën e lidhjen logjike, se çfarë të përbashkëta dhe të veçanta kishim. Ku duhej të synonte secili nga ne, që të ecnim paralel në rrugën tonë, e cila ishte zgjedhja jonë. Ishte detyra jonë që zgjidhjen duhet ta bënim vetëm ne të dy dhe askush tjetër.
Edhe pse kishim pak kohë bashkë, tani Edioni ishte bërë vetja ime e dytë. Mendimi se lumturia më kishte trokitur dhe më kishte pushtuar trup, shpirt e mendje, nuk më mjaftonte...Doja ta kisha të dashurin tim pranë. Teksa mendoja kështu dhe kthehesha në konvikt, pranë meje frenoi butë një makinë. Pa u ndikuar nga automjeti, nuk e ktheva kokën, po vazhdova rrugën me mendjen tek i dashuri im, ndërkohë dëgjova që pas shpine zërin e tij të butë e të shumëpritur...
"Na ishte një herë një vajzë e dëshpëruar sepse i ishin mbytur gjemitë.E ëmbla vogëlushe mendonte se me ç'varkë do ta përshkonte pellgun ujor që të dilte në bregun tjetër se atje e kishte shtëpinë. Gjithashtu atje e priste edhe i dashuri i saj. I marrosur pas saj, i dashuruar si kurrë ndonjëherë, Ai e nuhati se çfarë i duhej vajzës që donte. U bë zog me krahë, fluturoi dhe iu gjend asaj në kohën e duhur. E gjeti atë të përlotur dhe të shqetësuar, se nuk po gjente rrugëzgjidhje. Me gjuhën e tij i fshiu lotët e kristaltë dhe e mori në krahë...
-Po pastaj çfarë ndodhi?- e pyeta unë që kisha ngelur gojë hapur nga çudia. Përgjigja e tij ishte pa fjalë...Më rrëmbeu në krahë, më rrotulloi dhe pastaj nisëm të putheshim si të çmendur. Atë çast po silleshim si dy fëmijë të pafajshëm, kur lodrojnë e puthen me rrezet e diellit.
Hip në makinë.
-Më parë më duhet të shkoj në konvikt...
-Si të urdhërojë zonjusha ime e ëmbël..."
 Atë çast s'isha në gjendje. E lajthitur nga gëzimi i papritur isha gati të bëja marrëzinë më të madhe. Më dukej sikur qiejt u çanë dhe portat e Parajsës ishin hapur enkas për mua...
Zëri i infermjeres që më thirri emrin më shkëputi nga rrëfimi...dhe nisa të jetoj realitetin.

***

-Ardita shko dhe mos u shqetëso. Do të dalësh shumë mirë...
-Valbona, nuk e kuptoj përse po ta rrëfej ty jetën time. Kam ditë që e mendoj këtë dhe i bëj pyetje ndërgjegjes: "Përse duhet të rrëfej jetën time, jetën tonë që është tejet personale, mjaft intime dhe na përket vetëm ne të dyve...?!"Nganjëherë më shkon ndërmend se më duket vetja si ata që janë në buzë të humnerës dhe që nuk kanë asnjë shpresë. Apo sikur jam në buzë të varrit dhe më duhet të lë amantetet e fundit. Mos vallë mendimi im i fshehur në xhepat e errët të ndërgjegjes është më i avancuar dhe po më paralajmëron?
-Unë të kam ditur të mençur, kurse ti... Ta them unë pse po ma tregon... Ky do të jetë romani yt i ardhshëm.
-Hane unë e hane një roman i ri...! Hajde mendje, hajde...Prit se nuk është pjekur njëri, kurse ti projektove një tjetër libër.
-Shko, shko brenda... se ti nuk e ke idenë se çfarë interesi dhe vlere ka letërsia me tematikë nga realiteti,- dhe unë zvarga hapat e mi të trembur.
Mjeku onkolog, një djalë i ri, që ishte specilizuar në ShBA për kancerin e gjirit, mori analizat dhe po i vështronte me kujdes. Më pyeti se çfarë ndieja, ose kur e kisha spikatur masën e gjendrës.Pastaj i tha infermieres të më ndihmonte që të zhvishesha nga mesi e lartë dhe nisi vizitën.. Ndërsa po më vizitonte i përqëndruar dhe më kishte kushtuar gjithë vëmendjen, më pyeste nëse ndieja dhembje.
Ishte mëse e vërtetë që as gjoksi, aq më tepër te gjëndra nuk ndieja ndonjë dhembje. Lëkura e tij kishte ngjyrën origjinal si e gjoksit tjetër.
-Ndoshta është herët për të dalë në përfundime të sakta. Më shumë mundësi ka që të jetë gjëndër qumështi. Por ajo që është e saktë dhe që nuk gabon kurrë, është mammografia. Për fat në qytetin tonë nuk ka aparaturë të tillë as poliklinika, as spitali. Po të ishin hapur klinika private, patjetër që do ta kishin aparaturën e mammografisë. Vizitat mjeksore për dyshime tumorale që përcaktojnë gjendjen e gjoksit bëhen vetëm në Tiranë. Unë po të jap një rekomandim për te specialisti që do të të vizitojë,së bashku me analizat, të cilat duhet t'i ruash për krahasim. Po të jap një recetë e të këshilloj ta marësh mjekimin. Më parë provo të bësh injeksione olioze, sepse nuk ke dëm prej tyre... Nëse nuk i gjen këtu dërgo jashtë shtetit me dikë. Të shkuara dhe mos u merakos, se gjendja jo e mirë shpirtërore ndikon negativisht në çdo sëmundje,- përfundoi mjeku.
Meqë onkologu nuk u alarmua, mendova që ta vazhdoja terapinë që më dha ai dhe të shikoja se si do të më ecte shëndeti. Pastaj me të parë e me të bërë. Kështu që nuk shqetësova as Valbonën që më shoqëroi dhe aq më tepër tim shoq.
-Eja ta festojmë rezultatin e mirë shëndetësor,- tha Valbona dhe e ktheu makinën tek një Piano-Bar buzë liqenit...
-Më parë ka rëndësi të veçantë shëndeti yt. Kurse pas kësaj unë kam fatin ta dëgjoj rrëfimin tënd të plotë.
-Nuk e sheh se ç'mrekullira po të tregoj...
-Ti nuk e ke idenë që bëhem xheloze për ty, natyrisht jo për keq.
-Nuk e dija këtë. Nuk kam vënë re diçka të tillë tek ti. Po përse vallë?
-Më pëlqen të të ngjasoj. Je e bukur, ke familje të lumtur, je bashkëshorte e nënë shembullore dhe mbi të gjitha je shumë e zonja. Ke gjithë atë shtëpi dhe ia del për bukuri. 
-Çfarë pëlqen tek unë? Apo të bije zali nga makutëria ime?
-Unë po them një të vërtetë ku as shtoj dhe as pakësoj gjë. Ta them sinqerisht,se ke cilësi për t'u admiruar. Zakonisht femrat nga egoizmi e urrejnë aq shumë atë që është më e zonja se ato, sa ta shohin edhe të pjekur në hell, nuk ngopen. Kurse unë të adhuroj. Më pëlqen të mësoj prej teje. Pastaj mos harro se shkruan shumë bukur. Kjo është dhunti që nuk e gëzon cilido.
-Fjalë e madhe kjo e fundit...të cilën do të ta rrëzoj.
-Ti ke mendjen tënde, unë timen...Unë të vlerësoj për atë që je.   
-Valbona, kur je njëzetë vjeçe, të duket sikur i di të gjitha. Si duket i riu punon dhe vepron me gjysmën e hemisferës trunore, ndoshta edhe me më pak se gjysma e trurit... Sepse të gjitha problemet jetike i ka gjetur dhe i gjen të gatshme. Kështu ndodh kur ta lëron arën macja, sepse vetëm ajo është kafsha shtëpiake më e pavlerësuar. Pastaj vjen një çast e i thërret mendjes ... Ndërsa kur i kalon të tridhjetat, je e bindur se nuk di asgjë. Jeta është shkollë mbi shkollat e cila të jepë atë përvojë që do të vlejë për nesër. Unë jam unë dhe nuk bëhem dot ti. Ndërsa ti.. je ti, dhe nuk bëhesh dot unë. Edhe vajzat e mia që trashëgojnë në gjak genet e mi, nuk mund të jenë unë. Sepse çdo njeri ka individualitetin e tij. Gjëja më e bukur tek njeriu është të jetë vetvetja. 
-Me këto që më the, jam e bindur. Tani a do të vazhdosh ...?

***
Ndërsa shijonim kafenë bashkë me Valbonën, rinisa të tregoja...
"Kur dola nga konvikti dhe jashtë portës më priste dashuria e jetës sime, dashuria ime e parë, nuk më mbante vendi. Ndaj dukesha si e marrosur, si një e lajthitur. Që kur u njoha me të, e kisha humbur nocionin kohë. Më dukej sikur jetoja në një dimension tjetër, jo jetësor. Isha bërë me krahë dhe vetëm "më duhej pak guxim dhe kurajo që të fluturoja".
Atë kohë në Tiranë dhe kudo kishte filluar të lulëzonte tregu privat. Bar- kafetë dhe restaurantet ishin nga më luksozet, krahasuar kjo me gjendjen ekonomike të përgjithshme. Një gjë të tillë e aprovonin të huajtë që i përgëzonin pronarët e lokaleve se të tillë dhe kaq luksozë nuk i gjeje në vendet e tyre që kishin kohë që galoponin me një zhvillim të përgjithshëm dhe mirëqenie të lartë sociale.
 SA hipa në makinë, ai shprehu dëshirën që atë mbrëmje të shkonim në malin e Dajtit.
-Nuk është pak vonë?
-Nesër të dy e kemi pushim. Po kështu edhe të dielën... Ndaj përse të mos i shijojmë dy ditë në ajër të pastër? Vetëm nëse ti ke dëshirë. Kundër vullnetit tënd nuk dal asnjëherë.
-A mund ta kundërshtoj kënaqësinë që të jep mali?
-Më parë duhet ta ndjesh ti, të jesh e bindur për vendimin që merr, pastaj...Nuk më pëlqen që nga një veprim i nxituar të pendohesh më vonë...
Në këtë mënyrë që nga konvikti u drejtuam për në mal. Iu ngjitëm të përpjetës malore. Sa kaluam postbllokun, ndalëm dhe zbritëm nga makina për të pyetur...Thëllimi që vinte nga vargmali perëndimor, mbuluar me borë, na thau fytyrat dhe veshët. Aty ku ishim ,kthyem kokat pas dhe atë buzë mbrëmje Tirana dukej sikur ishte mbytur në vorbullën e ujërave të shkumëzuara të një ujëvare. Tek-tuk dritat dukeshin të sfumuara nga mjegulla e dendur apo nga smogu..." Medet, ç'bëhet kështu me ambientin?!"- pyeti i zemëruar nëpër dhëmbë Edioni.
 Pyetëm të parin njeri që takuam, nëse kishte ndonjë hotel. 
-Pas pesë minutash fillojnë hotelet që ndodhen mes halorëve.Të gjitha ndërtesat e dikurshme që janë përdorur si kampe pushimi apo vilat e Partisë, janë privatizuar të gjitha. Mendoj se u janë kthyer pronarëve legjitim, kurse ato shtetëroret i kanë blerë. Thuajse të gjitha janë në rindërtim e sipër. Nëse nuk keni shumë pretendime, është një shtëpi e vogël me 4 apo 6 dhoma. Mjafton të merrni këtë rrugën, e cila përfundon tek ajo shtëpi.
E falenderuam dhe u nisëm. Jo më shumë se dhjetë minuta dhe e gjetëm. Ishte një ndërtesë e tipit alpin që u reziston erërave të ftohta, stuhive apo murlanit të ngarkuar me dëborë. Muret ishin ndërtuar me gurë, çatia ishte kulmore dhe me tjegulla të kuqe. Dyert dhe dritaret ishin prej druri dhe me kanata që shërbenin si grila. Hymë brenda dhe u ulëm në Bar, ku unë piva një çaj, kurse Edioni piu një konjak. Ndërkohë pyetëm baristin:
-Keni dhoma të lira?
-Po, kemi dy ...njëra është në katin e dytë, kurse tjetra është këtu poshtë. Ngrohje ka në të gjashta dhomat. Ndryshe nga ajo sipër që është pajisur me ngrohës, kjo e katit të parë ka oxhak.
-Po qëndrojmë poshtë,- vendosëm të dy. Pritëm aty në tavolinë ku ishim ulur, sa ndezën zjarrin brenda.
Kur hymë brenda në dhomë vumë re se punimet ishin me dërrasa. Si dyert dhe dritaret, me dru, ishte edhe dyshemeja. Kurse tavani ishte me trare të trashë të lyera me vaj lini. Para oxhakut kishin vendosur një minder të gjerë prej druri, i mbuluar me postiqe, me flokë të gjatë e të bardha si bora. Dyshemeja ishte mbuluar me qilima leshi. Ishin dy shtretëre të mbuluar me flokate leshi. Ambienti ishte i ngrohtë dhe miqësor. Akoma më të këndshëm dhe më intim e bënte zjarri në oxhak, ku trungjet e sapo ndezur kërcisnin duke shkaktuar shkëndija. Në mur ishte varur një çifte e vjetër, një nagant, një kamë, dy kostume popullore të Shqipërisë së mesme ; njëri burrash dhe tjetri grash. Mbi oxhak, në mur ishte varur portreti i Skënderbeut, si dhe flamuri i kombit. Në faqen tjetër të murit ishte një peizazh i malit të Dajtit. Kurse në një kënd të dhomës kishin vendosur një sorkadhe të balcamosur mbi një trung të trash të prerë tërthor. Ky mobilim paksa antik fliste shumë. Të zotët e banesës që tashmë e kishin shndërruar në hotel, brenda atyre mureve , në atë sipërfaqe të vogël, na kishin servirur një copë Mëmëdhe. Tavolinën e vendosën pranë oxhakut. Porositëm brinjë keci të pjekura, kotolet me tru, kukurec, sallatë me ullinj e me portokall. Për të pirë morëm verë të kuqe. Pasi na shtruan tavolinën, ai solli djathë të pjekur dhe një shishe shampanjë.
-Këto i keni nga lokali pasi duket se jeni të porsamartuar, ndoshta në muajin e mjaltit,- sqaroi kamerieri.
-Faleminderit! Ne jemi të fejuar... Megjithatë ne këtë natë, tek ju, po nisim muajin e mjaltit, i cili do të vazhdojë edhe një muaj pasi të martohemi, - ishte përgjigja e Edionit...
-Valbona ,a më dëgjon?
-Jo vetëm po të dëgjoj, por po parafytyroj ju të dy pranë zjarrit bubulak, të nxehur nga vera, nuk di dhe nuk e marrë me mend se ç'nuk keni bërë atë natë?!
-Ç'është e vërteta, martesë për mua quhet ajo natë, atje në Dajt. Ka qenë një nga netët më të bukura të jetës sime. Tavolina ngeli e shtruar gjithë natën... Të ngrohur nga zjarri i oxhakut dhe zjarri i dashurisë, të eksituar nga vera e të dehur nga ëndrra që po realizonim, u zhveshëm vetëm në teshat e brendshme.
Edioni ishte i matur. Nuk shfaqi atë babëzi të ethshme e shatzarake që gjendet zakonsiht tek meshkujt e moshës së tij. I përmbajtur në eksitim, sepse e dinte që unë isha aty enkas për të dhe njëkohësisht realizoja kënaqësinë time fizike e shpirtërore.
Lidhja jonë nuk ishte kalimtare, së cilës duhej t'ia kisha frikën dhe si pasojë të ruaja caqet në marrëdhëniet intime me Edionin. Pastaj së paku në qenien time isha e bindur se ne të dy kishim një lidhje të atillë të fortë e të pazgjidhshme që vetëm vdekja e ndan...
Eh, e tillë është jeta...mikja ime...me plot të fshehta që rrin strukur në labirintet e pandriçuara të shpirtit. Mjafton një rreze drite apo shprese dhe ato zgjohen e dalin nga përgjumja, tashmë të ftilluara si një filiz që sapo lind. Ne jetës i shohim vetëm anën e dukshme të saj, kurse të padukshmen vetëm e ndiejmë. Pikërisht për këtë arsye, nga që është e paekspozuar shijohet më shumë ana e errët e qenies njerëzore.
Kur e do një njeri, nuk e kundërshton dot arsyen, bën çfarë të thotë zemra , edhe sikur ta dish që je duke bërë një veprim të gabuar. Është ndjenja, ajo diçkaja e padukshme që na shoqëron gjithë jetën dhe pret rastin të dalë në pah.
Ceremonia martesore ose dasma është një zakon që sipas traditës, kryhet e respektohet nga gjithë njerëzimi. Këtë do ta quaja një proces betimi ose rit zakonor i trashëguar.
Jam e bindur se kjo ceremoni nuk është vendimtare në marrëdhënien e çiftit, as garanci për përjetësi dashurie apo besnikërie, sepse jo të gjitha martesat përfundojnë bashkë.
Ndaj ajo natë atje në malin e Dajtit së paku për mua ishte kurorëzimi ynë martesor. Ishte bukur, aq bukur si në përralla. Ishte një ceremoni e thjeshtë, por e ëndërreuar nga gjithë të rinjtë, që gjendet vetëm te Nirvana.
Natë dimri, pranë zjarrit, dëgjonim fishkëllimën e murlanit, që me sa na i merrte mendja, lartësia i kalonte 1200 metra a më shumë. Nën ndikimin e bukurisë që jep zjarri në oxhak, shampanjës, ushqimit cilësor, larg syve të botës, në atë dhomë të tipit mesjetar, më dukej se të vetmit banorë të tokës, ishim ne dhe ndjenjat tona. Lakuriqësia e trupave tanë e shtonte akoma më shumë dëshirën për të bërë atë marrëzi që e duam dhe pastaj stepemi. 
Qëndronim pa folur. Ndërsa rrinim në heshtje, kundronim luftën e flakëve në oxhak. Mbështeur në sup të njëri-tjetrit, duart nuk na rrinin rehat. Herë unë e herë ai nisëm të gudulisnim njëri -tjetrin. Pa e kuptuar fare, u gjendëm të dy lakuriq. Nuk e di nëse ndodhi me apo pa vetëdije. S'më kujtohet nëse u zhvesh secili vet, apo zhveshëm njëri -tjetrin?! Nuk e di...nuk mbaj mend...Vetëm një Zot e di. Shikoja lakuriqësinë time e të tijën, pranë e pranë dhe çuditërisht nuk më vinte turp. Ndodhi aq natyrshëm, sa këtë detaj të karakterit tim, nëse do të shihja që i ndodhte një vajze tjetër, do ta kisha paragjykuar. Kurse tani isha unë objekti që duhej vëzhguar.
"Habitem me veten time, sepse jam tip i mbyllur. Cilido qoftë personi, le të kesh vite njohur me të, lakuriqësia në sytë e tjetrit është e rëndë. Si e bëra këtë veprim kaq vulgar? Si ka mundësi që nuk më vjen turp nga Edioni? Ç'mendim do të krijojë ai për mua? Ndoshta do të më quaj të përdalë...që me rastin më të parë, me këtë lakuriqësi po zhvishem ngqa virtytet dhe po i jepem. Gjithsesi është romantike që në një natë të tillë, të..., ku dëshmitare e vetme është kjo dhomë. Ndoshta më sheh edhe Zoti... i cili besoj se do të më falë...Ç'budallallëqe mendoj edhe unë?! Jo më kot , Ai krijoi femrën dhe mashkullin, ishte Zoti...!"- ndërsa mendoja për paturpsinë që po përshfaqej tek unë, Edionit nuk iu durua më... Më mori para duarve e nisi të më puth si i marrë. Me gjithë mallin e dashurisë dhe me tërë afshin e shpirtit të tij rinor, shprehu anën tjetër të ndjenjës, pa dorashka, ashtu natyrshëm.
Papritmas mori shishen e shampanjës, e tundi fort, pataj e hapi dhe shkuma u derdh në trupat tanë të lakuriqtë. Nisëm të lëpinim trupat e njëri- tjetrit dhe ashtu e etur, pa u ruajtur përfundova nën trupin e tij. Ishte një dëshirë përvëluese e imja, edhe pse isha në ankth dhe ende e pavendosur për të bërë atë hap vendimtar. Kjo pasiguri brenda qenies sime vinte pasi nuk dija nëse po bëja gjenë e duhur. T'i jepesha edhe fizikisht sepse shpirtërisht dhe mendërisht i isha dhënë me kohë. Pa u menduar dy herë, iu përgjigja epshit të tij që me të drejtë i takonte. Para se të kryenim aktin final, ai ndali. Qëndroi mbështetur mbi brryla, duke u distancuar pak nga trupi im dhe po më vërente me kujdes. Mori frymë thellë dhe pastaj më pyeti:
-E dashur, mos është herët për një hap të tillë? Është diçka e shenjtë që i takon natës së martesës. Nëse ti nuk do, unë tërhiqem...shpirti im.
-I dashur, unë në verë do ta lë shtëpinë e prindërve dhe do të jetoj në shtëpinë time .Prindërit le ta bëjnë dasmën kur të duan. Dasma ime, dasma jonë është kjo natë. Që sot unë do të quhem gruaja jote dhe ti do të jesh burri im...
-Nuk më pëlqen të të quaj grua...Për mua ti do të jesh dashuria e jetës sime. Ti je femra me të cilën dua ta ndërtoj familjen që më ka munguar. Lidhja jonë do t'i japë një emër asaj ndërtese. Kurse kuptimin e vërtetë jetës sime do t'ia japësh ti. Ndaj gjithmonë dua që të ngelesh "E dashura ime". Mendoj se kështu dashuria jonë nuk do të ketë fund kurrë.    
-Unë akoma më shumë nga ty i urrej fjalët burrë dhe grua. Janë dy terma që i takojnë mesjetës. Grua do të thotë nënshtrim ndaj burrit, si i pari në marrje vendimesh dhe kryefamiljari. Kështu gruaja është e papërfillshme nga burri. Ky termë e bën atë të ndihet inferiore. Mënyra se si i flasin apo si e quajnë bashkëshortët njëri-tjetrin, është një tregues i marrëdhënies së tyre. Nëse i flet " Moj", e fyen sepse ajo ka emër që duhet respektuar se është njeri. Ose nuk ka gjë më të ulët se kur meshkujt shprehen "Asaj" apo "Kësaj", e nëvleftësojnë bashkëshorten . Femra si bashkëshorte apo nënë e fëmijëve të tij, nuk është mall që shitet dhe blihet apo ta trajtojë si të dojë i shoqi, jo, -iu përgjigja me vështirësi, sepse ai nuk i ndalte përkëdhelitë e të puthurat.
-Domethënë ne sot do të...apo mos nuk është hera e...?!
-Të lutem i dashur, kujdes! Ti je mashkulli i parë që hyre në jetën time. Në këtë natë po të dhuroj gjithçka që kam më të shenjtë.
-Kjo është vërtet gjë e bukur. Femra e virgjër është me virtyte për mua. Jo se unë do të hiqja dorë nga ty apo do të të doja më pak. Por mashkulli që e  gjen të dashurën me të cilën do të kalojë jetën të zhvirgjëruar, e vuan atë shpirtërisht. Brenda qenies së tij gjithë jetën ndjen se diçka e vyer është thyer...Me mendje gjithmonë ai do të pyes se cili ka qenë mashkulli i parë i asaj që u bë shoqja e tij e jetës?
-As unë nuk do t'ia lejoja vetes diçka të tillë. Një femër e tillë që kërkon t'ia hedh të dashurit të saj, jo vetëm e poshtëron atë, por tallet me dinjitetin e tij. Shikojmë dhe dëgjojmë se edhe tek ne ka nisur si në botë. Çiftet fillimisht bashkëjetojnë për disa vite dhe pastaj të dy martohen me tjetër njeri. Kjo varet nga stomaku i secilit që e pranon një gjellë të pështyrë më parë.
 -E dashur nuk na intereson se ç'bëjnë të tjerët.
Papritmas ai filloi të pëshpëriste aq ëmbël, fjalë aq të bukura sa nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë. Unë po diplomohesha për letërsi dhe nuk dija nëse ekzistonin në fjalorin e gjuhës shqipe ato ligjërime marramendëse. Pasi edhe romanet që lexonim, dashurinë autori e kishte ndërtuar mbi moralin komunist. Po kishte thënë partia që të duheshin, e kishte thënë perëndia.
-Ti u shfaqe si një Zanë në jetën time. Do të jesh dielli që do të ndriçosh  rrugën që do të përshkoj bashkë me ty. Ti do të jesh bukuria që do ta feks gjithë shtëpinë. Një vajzë si ti sjell lumturi në familje. Ndoshta të tjerët betohen në altar për besnikëri, si në të mirë, edhe në të keq, ndërsa betimin tim le ta dëgjojë Mali i Dajtit, toka e qielli, se do të jesh gjëja më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e jetës sime vetmitare. Sepse Ti , dashuria ime, je gjëja më e bukur që më dhuroi Zoti, je gjëja më e vyer që më ka ndodhur në këto njëzetë e tetë vite jete.
Me vetëdije të plotë, e dëshiruar prej tij dhe e sigurt për çka po kryeja, isha nderur në krahët e tij. Në atë çast të dy trupat u shndërruan në një të vetëm dhe ëmbëlsia e dashurisë vërshoi në çdo qelizë të qenieve tona... Pas pak, përmes dihatjes së vështirë, mes puthjes falenderuese, dëgjova Edionin që belbëzoi: "Sot jam njeriu më i lumtur në botë,se e lidha jetën me një vajzë të virtytshme. Të betohem për gjenë më të shtrenjtë se çdo ditë e jotja do jetë pranverë." -ndërsa mua më rrëshqisnin lotët e lumturisë anash syve dhe binin mbi flokët e tëmthave. Nuk kam përse e mohoj krenarinë që ndieja për vete, gjë që tek unë rriti respektin ndaj vetes. Plotësisht e kënaqur, isha e ndërgjegjshme për sa i lejova ndjenjat e mia të shpërthenin. Për shumë kohë ngelëm ashtu pranë e pranë, përballë zjarrit. Ashtu të përqafuar, qëndruam në atë poltronë druri mbi postiqe, ku unë idhurova atij që doja gjënë më të vyer që ka një vajzë. Në të gëdhirë kur këndezi i parë lajmëroi agimin e një dite të re, na mundi gjumi.    
Pasi kryem marrëdhënien tonë të parë intime, isha e lumtur, që i dhurova kënaqësinë të dashurit tim. Këtë ndjesi e përjetoja edhe në ëndërr. Më dukej sikur shpirti im shëtiste në kopshtin e Edenit, të cilin e quaja porta e parë e parajsës.
 Mëngjesi i së shtunës m'u duk ndryshe. Ndoshta që më gjeti tjetër njeri. Në shpirt veç gëzimit më dukej sikur ndieja peshën morale të përgjegjësisë, jo vetëm për vete, por për të dy.
U veshëm dhe dolëm në Bar. Pimë kafenë dhe për mëngjes na sollën vezë të freskëta sy ,qumësht dhe bukë fshati të thekur. Pastaj për orë të tëra shëtitëm shpatin e malit, që ishte i mbuluar me borë. U kthyem në hotel të uritur. 
Qëndrimi ynë në Dajt, i pasuar nga një natë tjetër dashurore, do të ngelet i paharrueshëm.
Të dialën në mbrëmje, pasi hëngrëm edhe darkë, u nisëm për në Tiranë.
Edioni më la mua në konvikt dhe u nis menjëherë për Pogradec. Të  nesërmen duhej të ishte në punë. Ndërsa unë kisha një shlyerje lënde.
Në një nga ato ditë Dekanata na njoftoi se ku do të bënim praktikën pedagogjike. Mezi po prisja të dilja nga auditori që të njoftoja Edionin. Isha ende nëpër shkallë kur më ra zilja e celularit. Ishte "Ai", dashuria ime.
E gjen dot se ç'lajm do të të jap?
-Do vish në shtëpi?
-Jo...jo. Gjeje po deshe. Unë nuk ta them...
-Sidoqoftë do ta marrë vesh, se çdo fjalë del nga dhëmbët e parë, edhe kur nuk do ti.
-Tre muajt e ardhshëm do të rrimë bashkë...
-Çfarë the?!Vërtetë?! Përsërite edhe njëherë...Të paskan caktuar ta bësh praktikën në qytetin tënd? -unë fillova të qeshja me të madhe.
- Oh,çfarë mrekullie...Ky, po që është lajm i bukur.
-Edhe dy javë mbetën...Pastaj do të jemi bashkë..., i dashuri im i ëmbël. E di që të dua?
-E di si buka që ha...Më do, por jo sa unë. Tek dashuria ime për ty , është grumbulluar e gjithë dashuria e munguar e jetës sime. Kurse ti e ndan dashurinë edhe me ata të familjes.
-Mos harro se zemra apo shpirti im kanë shumë xhepa, ku kam strehuar dashurinë për secilin. Porse dashuria ime për ty është e veçantë dhe vendin e saj nuk e zë askush...Të dua...të dashuroj si kurrë ndonjëherë në jetën time. Do të numëroj ditët derisa të hidhem në krahët e tu...
-Më mungon ti, dashuria e jetës sime. Më merr malli për flokët e tu, për aromën tënde, për lëkurën tënde të butë...Ndaj nuk besoj se do të duroj pa të parë e pa të përqafuar pesëmbëdhjetë ditë... Janë shumë e dashur. Është mëkat dhe mallkim për të dashuruarit, kur janë larg njëri-tjetrit. Ndaj mos i numëro ditët më kot se s' është çudi që ...

Vazhdon...



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: