Tuesday, 11 February 2014

Unikale



Vilhelme Vranari Haxhiraj


            Pjesa e 6-të

Ende nuk e kishim mbaruar bisedën në celular dhe ndërsa zbrisja shkallët, papritur Edioni u shfaq para meje sikur mbiu nga dheu...Ose, ose sikur ishte shndërruar në një supermen (superman) apo e thënë shqip, mbinjeri dhe më priste te shkalla e parë, në këndin e sheshit para godinës së Universitetit.
"O Zot, çfarë mrekullie! Nga njëherë thonë:'Mos më thuaj natën e mirë, se do të të them :'mirëmbrëma!', por herë- herë thonë:'Kujto mikun, bëj hazër qoshenë'... Tani e kuptoj se sa rëndësi ka për mua prania e Edionit këtu. Qenia e tij ishte ajo diçkaja e munguar që më krijonte boshllëk shpirtëror gjatë kohëve të fundit."
-Je i paparashikueshëm...Nuk mund ta besoj që pas pesë ditësh je përsëri këtu. Qënke i ngjitur si rrodhja pas këpuce.
-Mos bëra gabim? Apo mos vallë të prisha ndonjë plan? Po nuk më do këtu pranë, iki unë...Nuk e kam problem, jo.
-Pse bëhesh budalla! Unë të dua çdo minutë këtu, por duhet të më kuptosh... jam shumë e zënë. Nuk dua të lë asgjë për në vjeshtë. Me stinën e verës dua të përfundoj të gjitha detyrimet e mia si studente. Kjo është edhe përgjegjësia ime ndaj familjes, sidomos ndaj prindërve që u vetmohuan për të më arsimuar.
-Dua vetëm të të shoh, të të dëgjoj zërin ndërsa ti vazhdo punën tënde me studimet. Më mjafton vetëm të të ndiej frymëmarrjen dhe do të bëhem tjetër njeri.
-Si do të më dëgjosh, kur unë studioj në konvikt?
-Që tani, shko përgatitu dhe menjëherë do të nisemi për në Durrës. Ti do përsëritësh temat dhe unë do të të dëgjoj...
Një orë më vonë ishim në Durrës. Pasi drekuam në një restaurant me prodhime peshku te Curilat, shkuam në hotelin që sapo porositëm. Tashmë, porse vetëm në ndërgjegjet tona, e kishim ligjëruar marrëdhënien tonë seksuale. Sa u futëm në hotel, hyra menjëherë të bëja një dush, se në konvikt kushtet ishin shumë të këqia. Që nga pas derës prej xhami, po i thosha Edionit të më priste.
-Zemër, kujdes se mos të zë gjumi...pesë minuta dhe erdha...Ndërsa kënaqesha tek po shkrija muskujt e lodhur e të ngrirë dhe hiqja zhulin e konviktit, nën presionin e ujit të ngrohtë të rubinetit, nuk ndieva asgjë. Ai ishte zhveshur dhe kishte hyrë brenda. Veç kur më kapi prej belit që pas shpine, u hodha përpjetë...
-Më trembe...  
-Duke u larë, më ngriti para duarve dhe bëm dashuri si dy të babëzitur, kur ndodhen para një tavoline të mbushur me gjithë të mirat, atje nën rrjedhën e ujit. Ato dy netë që qëndruam në Durrës, shëtitëm gjatë bregut të detit, pushuam dhe më e bukura ishte se unë dhashë provim para Edionit. Ishte ai që dha aprovimin i pari. Kur unë përsërisja me zë ato që mbaja mend, kurse ai ndiqte tekstin.
-Për mua je shumë mirë. Qysh sot mund ta japësh provimin.
-Mos u tall...Të lutem, mos bëj shaka!
-Të betohem. Je përgatitur si duhet.
Në Durrës, jo vetëm pushuam, por edhe bëmë qejf. Madje ato dy ditë as koha nuk më shkoi dëm. E shfrytëzova pushimin si duhej... Përsërita dhe plotësova të gjitha mangësitë për të tria shlyerjet.
Pas dy javësh i kisha likujduar të gjitha shlyerjet që janë firma . Dy herët e fundit Edioni mori me vete sendet që nuk më duheshin më. Ato pak gjëra që kishin ngelur i lamë për herën e fundit. Në fillim të muajit Mars i dhashë lamtumirën Tiranës si studente. Do të kthehesha në Universitet vetëm ditët e provimeve...
Fluturoja nga gëzimi që praktikën do ta bëja pranë familjes sime. Tani vërtet do të ishim të pandashëm me Edionin.

***

Ditët e para të marsit ishin të praruara në qytetin buzë liqenit të Ohrit... Kishin çelur kumbullat dhe bajamet. Sa për lulet, qytetit tim nuk i mungon lulëzimi i tyre gjatë gjithë vitit. Dëgjoheshin cicërrimat e zogjëve shtegtarë që ktheheshin nga rruga e largët.
Të nesërmen qysh në mëngjes, u paraqita në Drejtorinë Arsimore të rrethit, ku më thanë se praktikën pedagogjike do ta bëja në gjimnazin shtetëror të qytetit. Më pas shkova në shkollë, ku mora orarin dhe u njoha me mësuesët e lëndëve, të letërsisë dhe gjuhës shqipe, me të cilët do të kisha marrëdhënie pune. Dy javët e para kisha vetëm dëgjim orësh të zhvilluara nga mësuesët e lëndës dhe do të bëja analizën e çdo ore mësimi të vëzhguar. Pastaj fillova të jepja mësim rregullisht në katër vitet e shkollës së mesme.
Kisha kohë edhe për praktikën, edhe për t'u përgatitur për provimet. Mbrëmjeve dilnim të dy me Edionin, shumë herë edhe me shoqet e fëmijërisë apo të shkollës së mesme.
Në qytet kishte nisur aktivitetin një shtëpi botuese, të cilët kishin nevojë për një redaktor. U angazhova dhe punoja me orar të pjesëshëm apo shpesh herë i merrja në shtëpi materialet për redaktim. Ishte punë e bukur që më pëlqente, ndaj e bëja me kënaqësi.Prej kësaj pune fitova shumë në lidhje me drejtshkrimin, strukturën e fjalisë, ndërtimin logjik, rrjedhshmërinë e tregimit, lidhur me leksikun apo estetikën letrare etje... Ajo që pati rëndësi për mua dhe që më shërbeu si shtysë më vonë në punën time krijuese, ishte ndërtimi artistiko letrar i librave që redaktoja. 
Puna aty, në shtëpinë botuese, më bëri të njoh ndryshimin që kishte pësuar letërsia shqiptare qysh në vitet e para të tranzicionit. Njohja e niveleve dhe gjinive të ndryshme letrare, më bëri që të krahasoja letërsinë e realizmit socialist me atë letërsi që po lindëte, një letërsi e re krejt ndryshe nga ajo e diktaturës, e cila ishte e ndikuar politikisht, ishte një letërsi e planifikuar, e detyruar dhe e orientuar si tematikë. Megjithatë edhe kjo prurje e re nuk më bindëte se ishte e përsosur. Te autorët e rinj ende ekzistonte frika për të qenë vetvetja dhe për të thënë të vërtetën si drita e diellit. Kjo frikë dhe pasiguri ndjehej tek gëlonte e trembur, në çdo paragraf, në çdo kapitull apo nëpër të gjitha faqet e librit. Ky vërshim letrar kishte nevojë për një shtysë, për një vullnet dhe kurajo për krijuesin i cili me që kjo letërsi e re duhej të paraqitej si oponenca e parë që vë në lëvizje politikën, e cila e vret artin ende pa lindur... Gjithsesi ndikimi i saj ishte pozitiv për mua.
Kjo njohje më bëri të shikoja brenda vetes dhe të gjeja atë anë të panjohur dhe më pas të nxirrja në pah dhuntitë e mia letrare. Megjithatë ishte herët që të gjykoja aftësitë e mia për krijime letrare me nivel që do të pëlqeheshin nga botuesit, nga kritika dhe sidomos nga lexuesi. Për mua ky i fundit, lexuesi i çdo niveli, është kritiku më i mirë dhe më i paanshëm. Kam mendimin se kritikët nga që janë vazhdues të artit e letërisë së socrealizmit, zakonisht janë konservatorë dhe shkojnë me opinione, sipas emrit që shkruhet mbi ballinën e librit. Janë pikërisht këto arsye që letërsia shqiptare nga të huajtë konsiderohet si art provincial. Ky nihilizëm i të huajve, ndodh sepse në botë reklamohen dhe jepen vlerësime maksimale, shoqëruar me tituj e me çmime letrare, vetëm për një numër të kufizuar autorësh. Zakonisht këta janë të parapëlqyerit e komunistëve të vjetër apo të rinj, të atyre që vazhdojnë rrugën e etërve. Janë pikërisht ata sharlatanë, që me mediokritetin e tyre, që me ndërgjegje të plotë nuk e pranojnë të renë sfidante. Shumë syresh me pseudotalentin e fodullit, kërkojnë ta mbajnë gjallë e ta ngrehin në piedestalë antivlerën e dikataturës që nxori në krye të paaftit, si përfaqësuesit e shurdhërisë dhe verbërisë që karakterizon servilin që edhe kur e zhytin në llagëme, qëndron gatitu.
"Po qe e thënë se do të filloj të shkruaj një ditë, do ta mallkoj veten nëse nga pena ime do të dalin autobiografi bajate që sot njerëzit e politizuar, gajasen duke i lexuar dhe reklamuar. Aq shumë ngazëllehen nga historitë e fryra, jo reale dhe pa pikë arti, sa që rrezikojnë t'u bjerë damllaja prej lumturisë. Jam e bindur se fjalët e fundit të tyre në pragvdekje do të jenë: 'E shikoni apo jo? Dje ishim ne dhe përsëri sot jemi ne...!" - dhe të lumtur, shpirti i tyre i pushtuar nga djalli, do t'u digjet në flakët e ferrit...
Ndërkohë mendoja se mentaliteti i së shkuarës si sëmundje mendore e shpirtërore, është vështirë të çrrënjoset. Atë çast solla ndërmend thënien e një njeriu të madh, që për cilindo që i kupton dhe i dënon situatat kombëtare, sidomos mosarritjet e ndikuara nga politika, e quan hyjnore...
"Mentaliteti i popullit është një koleksion sëmundjesh, ndër të cilat më të voglat janë: Dredhia e Pabesia që quhen"Mendje"; Gënjeshtra dhe Ngadhënjimi që quhen "Inteligjencë"; Kapadaillëku e Kriminaliteti që quhen "Zgjuarsi". Këto janë më të voglat e mentalitetit shqiptar. Kundra tyre duhet të luftojmë.
   Fatkeqësisht as energjia atomike, as penicilina, as stopticilina nuk i shërojnë sëmundjet shpirtërore. Procesi i kohës e i mësimit bëjnë shiringa kuronjëse. Duhet të dimë të zgjedhim barin shëronjës pasi të njohim diagnozën e sëmundjeve tona, që është:' Ta shikojmë të vërtetën në sy."- mendoj se janë disa të dhëna inteligjente që duhet të na shërbejnë si apustalat pozitiv, jo doktrinor, por psiko- social. Ndryshe ne do të ngelemi të ndërvarur nga e shkuara e hidhur.                 

***

   Krahas studimit për diplomën, punës si redaktore në Shtëpinë Botuese dhe praktikës, ndërkohë nisa të merresha edhe me sistemimin e shtëpisë së Edionit.
Doja që kur të jetoja atje, gjithçka të ishte e përkryer. Kisha harruar që isha e re dhe pa përvojë...Porse i riu si veriu. Atëherë nuk më shkonte ndërmend se përsosmëria nuk arrihet kurrë. Gjithmonë edhe kur thonë për dikë se është i përsosur si njeri, përsëri në tërësinë e tij jndividuale do të ketë diçka që çalon. Në raste të tilla, kur njerëzit i gjejnë një të metë, thonë: "E ka atë mangësi, vetëm për të mos marrë sy..."
Ndërsa unë merresha me përgatitjen time profesionale, mamaja e gjorë përgatiste pajën e vajzës së vetme...Nuk i mjaftoi rritja, edukimi, arsimimi im për 22 vite rresht, por po e ropat forca e zakonit. Po ia grryen shiprtin, po e thinj dëshira e nënës, sedërmadhen, nënën time...E gjora mama! Do ta hajë meraku i gojëve të botës dhe do të pyes ndërgjegjen: " Po opinioni? Dynjaja ç'do të thonë? Një vajzë të vetme pati dhe e nxori me ç'kishte veshur. A nuk është turp për një nënë? Çfarë nuk bënë prindi për fëmijën? Sidomos nëna është e veçantë. E nxjerr nga dheu për të bijën... apo për të birin. Edhe shpirtin do të jepja për fëmijët e mi,vetëm ta kenë jetën të sigurt..."
Oh, sa sakrifica bëjnë nënat për lumturinë e fëmijëve të tyre. Edhe atëherë kur ua shohin kënaqësinë në sy, duket sikur qetohen, por në të vërtetë...
 "Oh... nënë, o nëna ime! Nuk ka si ajo në botë... Është vetëmohuar për ne fëmijët..., mua dhe tim vëlla. Po kush u kujdes vallë për atë?! Kush ia lehtësoi lodhjen, dhembjen e shpirtit? Kush u merakos për pagjumësinë, merakun dhe brengat e saj, për të cilat nuk u ankua kurrë? Pyes për lotët e hidhur, që nuk ia pamë asnjëherë. Dua të di cila dorë ia fshiu nënës sime lotët apo djersën? U thinj, u tret, u plak e u mpak dhe përsëri ajo nuk u dorëzua. Tek shoh thinjat e saj, mendoj se çfarë fshehin vallë? Kurse në rrudhat e shkaktuara nga vitet që i rëndojnë mbi supe, doja të dija se përse iu shkatuan? Cili ishte shkaku që ia zbehu shkëlqimin e syve, por asnjëherë bukurinë, sepse ajo, nëna ime është më e bukura në botë.
Oh unë dua të pamundurën e mundshme...Sikur shkenca të kishte arritur majat që të mund të shpaloste ato rrudha në ballin, fytyrën dhe gushën e saj, ndoshta do të kishte gjetur apo zbuluar metodën apo mjetin për t'i zhbiruar ato deri në embrion të atomit. 
Atëherë do të më ishte dhënë mundësia që të deshifroja brengat e halleve të rënda, lodhjen e papërballueshme të viteve, shpresat e vrara, dëshirat e parealizuara, fjalë të pathëna...ëndra të patreguara...të asaj gruaje të mrekullueshme që më bëri kokën.
 Mendoja se përmes gjuhës së shpirtit të saj do të arrija t'ia lexoja të errëtat e ndërgjegjes. Jam e bindur se aty do të gjeja shumë urime për fëmijët, shumë buzëqeshje dhe lumturi për arritjet e tyre, dritë shprese për të ardhmen...Dhe kjo pasqyrë shpirti e parë virtualisht do të më mbushte me gëzim...Veçse unë do ta besoj nënën time kur të jem vet nënë...Ndoshta atëherë edhe unë do të jem në gjendje të bisedojë me gjuhën e shpirtit... ndoshta."
Me këto mendime isha rrugës për në shtëpi. Ishte vonë kur hyra brenda . Menjëherë nisa të kërkoja nënoken time. E gjeta në kuzhinë,të ulur në divan tek qëndiste një trapezamantin tim. Nuk më ndjeu. Qëndronte me kokën ulur, me gjilpërë mbi punën e dorës. E përqafova , e putha me dashuri dhe i fërkova shpatullat e lodhura.
-Mama, lëre këtë tani...
-Edhe dy gjilpëra edhe mbaroj për sot.
-Pse e ke me plan detyrë kështu? Ato dy gjilpëra i hedh edhe nesër. Pastaj sikur të mos bësh asnjë punë dore, çfarë do të ndodhë?   
-Po mua nuk më mbytën fëmijët dhe...unë një vajzë të vetme kam dhe  ta nxjerr pa pajë? Jo bijë, jo...
-Paja nuk është asgjë, vetëm një zakon mesjetar. A nuk shkëputesh dot nga e shkuara, të ndahesh shpirtërisht dhe mendërisht nga disa lecka pa vlerë?
-E di që e sotmja e qesh të djeshmen. Por është dëshira ime, që kur të mos jem më, më pëlqen të më kujtosh, me diçka të punuat nga duart e nënës.
  -Atëherë më jep fjalën se kur të mbarosh këtë, do të lësh çdo                punë dore. Dua që për dasmë të jesh e shlodhur. A nuk ke të drejtë të gëzosh dhe të lumturohesh edhe ti?
  -Si nuk jam e lumtur..., bija ime? Aq e lumtur jam sa askush tjetër dhe kurrë nuk kam qenë si tani.
  -Të qenit të lumtur kërkon qetësi shpirtërore dhe nerva të qeta. Puna e dorës të lodh dhe të tensionon. Mama, do të të çoj një ditë te shtëpia ime e ardhshme. Do të shohësh me sytë e tu se çfarë kemi blerë. Ia kemi ndërruar faqen shtëpisë. Gjithçka, çdo pajisje është e re, e bukur, moderne dhe   gjitha, sa kemi blerë, janë mallra italiane të prodhuara tani,   .
  -T'i gëzoni zemra ime! Qofshi gjithë jetën të lumtur!
  I bëra një çaj kamomili dhe sa e piu, e detyrova të shtrihej.

***

   Dhjetë javë praktikë pedagogjike kaluan shpejt. Megjithëse isha shumë e zënë, përsëri e gjeja kohën për Edionin. Dilnim vazhdimisht bashkë. Tashmë shkoja përherë në shtëpinë e tij. Madje flija atje shpesh herë. Kur rrija atje, e kisha më të thjeshtë për të plotësuar orenditë dhe sendet e tjera shtëpiake. Më pëlqente të merresha me kopshtin e tij. Ndaj e ndihmova kur ai preu degët e thata të bimëve. Pasi i krasiti punoi dhe plehëroi tokën. Në të dy anët e rrugicës që niste nga porta deri te veranda , matanë trëndafilave, mbolli bar. Kur kishte mbirë, krijonte një kontrast mes të gjelbrës së veçantë të barit me lulet e tjera dhe bimët. Ngjyra jeshile e tij, jo vetëm sillte më shumë freski, por e nxirrte më në dukje fasadën e shtëpisë. Kopshti i shtëpisë gjatë kohës që qëndrova unë dukej sikur ishte në vallëzim. Degët e pemëve të mbingarkuara atë vit, dukej sikur kumbulla i bënte karshillëk bajames, duke e parë që nga poshtë. Kurse bajamja, duke qëndruar më lartë tyre, e shprehte hapur krenarinë ndaj mollëve apo kumbullave. Ishte si një festival ngjyrash: e bardhë, rozë, e bardhë në mentë, e gjelbërta, e cila humbiste bashkë me ngjyrën kafe të trungjeve mes qindra e mijëra luleve që stolisnin kopshtin. Ndërsa qëndroja në verandën para shtëpisë syri më qetohej nga ajo pamje tejet romantike, që ngjasonte me kopshtet japoneze, të cilat janë me famë botërore, si për shumëllojshmërinë e luleve edhe të ngjyrave. Japonezët janë mjeshtra në shartimin dhe krijimin e hibrideve të reja apo në kombinimin e ngjyrave. Sa herë gjendesha mes kopshtit, nuk di pse e krahasoja veten me  vajzën japoneze Ço Ço San (Cio-Cio-San), që u dashurua me togerin e flotës amerikane Pinkerton dhe më pas u vetëvra, temë që shtjellphet tek opera Madam Baterflai (Madam Butterfly) e Xhiakomo Puçinit. "Pse më duket vetja, si zonja Flutur, vajza bukuroshe e pafat... nga Japonia e largët?! Jo,jo unë e dua jetën, dua ta jetoj...Një fund i tillë tragjik nuk vlen të merret si shembull. Ndoshta vetëm se po e krahasoj këtë kopsht me kopshtin e saj mbushur me lule, ku ajo qante fatin e saj të zi. Unë e dua këtë kopsht të jetë po aq i bukur sa i asaj, por kurrë s'e dua fatin e Baterflait."- ishte vërtet bukur të qëndroje mes kopshtit tonë. Kurse tani që po largohem për provime, kanë çelur Trëndafilat, Karafilat, Lulebora, Dorëzonjat rreth kangjellave, Zambakët dhe Gladiolat. Kurse bajamet ,kumbllat dhe mollët kanë zënë kokrra. Duket që do të kenë prodhim të mbarë këtë vit. Mirëmbajtja e kopshtit tregon se Edioni është i zoti si për lulishtar edhe për pemëtari. Më pëlqen që i zë dora gjithçka...
   Natën e fundit para se të nisesha për sezonin e provimeve, fjeta te Edioni. Kisha ende disa gjëra për të sistemuar. Të nesërmen mbasdite u nisëm për në Tiranë.
   -Jam e qetë që po e lë shtëpinë në rregull. Të gjitha gjërat janë nëpër vendet e tyre. Tani vetëm mungojmë ne dhe ceremonia.
  -S'e ke idenë se sa më lumturon që shprehesh gjithë merak si zonjë shtëpie.. Ç'mendim kanë prindërit e tu për dasmën?- më pyeti befas Edioni, pasi më ishte bërë qejfin.
  -Me sa dëgjova, kanë lënë të shohin një lokal dasmash. Kurse unë do të doja që të bënim një ceremoni të përbashkët. Më pëlqen që darkën tonë martesore ta bëjmë në plazh. Dua të kërcej zbathur deri sa të lodhem. Pastaj dëshiroj të zhytem në ujë, ku të notoj deri në kapitje dhe të luaj me laureshat. Nuk di por dua t'i thyej ato rregullat e ngurta... ku të gjitha dasmat bëhen njëlloj. Gjithmonë më ka pëlqyer të bëj diçka ndryshe nga të tjerët. Njerëzit janë të ndryshëm, edhe veprimet e jetës, sidomos ato më të rëndësishmet duhet t'i kryejnë që të realizojnë ëndrrën e tyre. Në një farë mënyre arrijnë të bëjnë diçka vetjake, që i shkëput nga vartësia e mendësive të shumicës që nuk ndahen dot nga e shkuara.
   -Ne jemi fis i vogël dhe natyrisht që do t'i ftojë të gjithë të afërmit , madje edhe krushqitë. Por ata që dua më shumë, janë motra me vëllanë. Im vëlla do të vijë, kurse motra sot merr përgjigje nga zyra e emigracionit nëse e lejojnë që të kthehet përsëri në ShBA. Për atë kam shumë debulesë, se e kam pasur gjithmonë në vend të nënës. Megjithëse edhe ai më ka udhëhequr në jetë si baba dhe vëlla i mirë. Sikur të dojë fati të na bashkojë për dasmë, do të jetë mrekulli. Jam në ankth deri sa të më telefonojë motra...
-Kam dëgjuar që japin lejë provizore kur kanë plotësuar një afat kohor të qëndrimit atje.
-Të shohim...E thëna me të bërën i ndan një det i tërë.
-Ata janë njerëzit e tu më të dashur. Kam dëshirë t'i njoh. Vetëm ata janë familja jote. Unë nuk e kuptoj dot jetën pa prindërit dhe pa vëllanë. Mirë fati që i dënoi prindërit e tu dhe ju të tre, por së paku më pëlqen që në raste të tilla t'ju shoh bashkë. Vërtet do të lumturohem sinqerisht.
-Faleminderit, zemër...
-Në të dalë të Lushnjës na ishte bërë zakon që ndalonim për byrekun e mirë dhe kosin që e zënë nëpër tasa të vegjël. Megjithëse kishim ngrënë drekë, u ulëm aty. Pak më tej byrektores është një kafeteri e këndshme, pronari i së cilës është tepelenas. Ai, jo vetëm bënë kafe të mirë, por është edhe njeri i qeshur, dashamirës. Është nga ata tipat që dinë ta bëjnë për vete klientin, ndërkohë dinë edhe ta mbajnë.
   Ishim ende aty në Bar, kur u dëgjua zilja e telefonit të Edionit.
   -Është ime motër...-ai bisedonte dhe unë po e ndiqja me vëmendje.
   U lumturova shumë kur mësova që ajo do të vinte me burrin edhe me fëmijët. Do të ishte në aeroport më njëzetë korrik. Do të largoheshin më pesëmbëdhjetë gusht. Vendosëm që dasmën do ta bënim të djelën e fundit të korrikut, që binte data tridhjetë e një. Edioni sa më çoi në konvikt dhe u kthye menjëherë.
Qysh të nesërmen kisha provimin e parë. Javën e parë të Korrikut i kisha shlyer të gjitha provimet e lëndëve të vititi të fundit. Ndërkohë shkova Për të biseduar me Dekanin e fakultetit të gjuhësisë, i cili më mirëpriti.
-Me se mund të të ndihmoj.
-Në fund të korrikut martohem dhe kërkoj nga Ju, natyrisht pa shkelur rregulloren e universitetit, që provimet e diplomës të mos i jepja gjatë korrikut. Nuk di nëse më krijohet mundësia t'i likujdoj më vonë. Nuk dua të quhem si e paparaqitur dhe të konsiderohem mbetëse.
-Pse nuk thua se paske dy gëzime bashkë. Kush të mban ty? Është bukur dhe mbarësi kur njëherësh diplomohesh dhe martohesh... Të uroj jetë të lumtur! Mos u bëj merak se ke të drejtë t'i japësh në muajin nëntor apo janar, pa asnjë pasojë.
-Ju faleminderit, zoti Dekan. Ju jam shumë mirënjohëse!
-Ishte kënaqësi për mua që tani kanë ndodhur disa ndryshime në rregullore, jë që po të krijon mundësinë që ta kalosh pa telashe ditën më të bukur të jetës, vajzë... Me trashëgime dhe të uroj shumë fat në jetë!
Ai profesor me titull shkencor dhe aq më tepër i moshuar, u ngrit në këmbë më përcolli, sikur të ishim kolegë e jo studentja me shefin e Katedrës. 
Shkova në konvikt, bëra gati ato pak gjëra që më kishin ngelur. U ndava me shoqet që ndodheshin ende aty dhe dola. Edioni, si gjithmonë i pëpiktë, më priste te porta.
-Sot, për mua përfundoi jeta studentore. Jam e lumtur që nuk lashë asgjë për në vjeshtë...
-Jam shumë krenar përe ty zemër.
-Po të kisha marrë diplomën tani në verë, do të shkoja të paraqisja kërkesën për punë në Drejtorinë Arsimore, por...
-Pas muajit të mjaltit, do të nisësh punën te Shtëpia Botuese.
-Vërtet?! Po bën shaka më duket. Sepse ti e di që më pëlqente puna atje...
-Të betohem! Më telefonoi drejtoresha dhe donte mendimin tënd nëse të pëlqen të punosh atje.
-Edhe pyet? Menjëherë... Do të paraqitem qysh nesër.
-Ti bëj si të duash, po unë them mblidh veten se ke qenë aq e ngarkuar këto tre-katër muaj, sa kam frikë se mos ke pasoja më vonë. Mos u bëj armike e vetes. Të shoh që je e shkërrmoqur si fizikisht edhe mendërisht. Që ta marrësh veten për dasmë, ke nevojë për shëtitje në ajër të pastër dhe të mos mendosh për asgjë,zemra ime. Jo vetëm nganjëherë, por përherë pas një pune të rëndë fizike apo mendore, të gjitha qeniet humane e kanë të domosdoshëm një pushim absolut. Eja në shtëpi gjatë ditës, ku je vet zot e vet shkop...Shtrihu në kanape atje mes gjelbërimit të kopshtit. Mes ngjyrave dhe aromave që dehin shpirtin, mund të të vijë frymëzimi...Talenti nuk të mungon. Mos harro se u diplomove për letërsi dhe sa e njeh ti teknikën e të shkruarit, nuk e njohin të tjerët që nuk e kanë idenë e stilistikës, metrikës, drejtshkrimit, estetikës në artin e fjalës. Pastaj kur e njeh gjuhën shqipe, mjafton talenti se gjithçka bëhet...Ku i dihet, pasi të sistemohesh me punë dhe të nisim jetën bashkëshortore në familjen tonë të re, unë do të këshilloja të provosh. Ti ke ide përparimtare për kohën. Pastaj më pëlqen që mban qëndrim kritik ndaj shkaktarëve të problemeve sociale të së shkuarës dhe të kohës që jetojmë. Nuk e ke idenë se sa vlera ka një letërsi e tillë për njerëzimin, i cili vuan dhe nuk e di se cili është shkaku i vërtetë i mjerimit të tij.
-Ke të drejtë. Më duhet vetëm pak guxim dhe vullnet për të bërë gjënë e duhur. Ndoshta një ditë do të bëj diçka për sa thua, ndoshta...- ashtu në heshtje vazhduam rrugën e kthimit nga shkolla e lartë. Ndihesha e raskapitur, gjithsesi lodhja nuk më pengonte të shihja një dritë jeshile në ndërgjegjen time dhe me mend fillova të thurja plane për të nisur rrugën e krijimtarisë.

*** 
   -Valbona, koha ikën me shpejtësinë e erës. Tri javët e korrikut shkuan shpejt e shpejt me përgatitjet e dasmës, me fustanin e kurorës, lulet ëmbëlsirat për dasmorët...Deri orën e fundit që vajza del nga shtëpia e babait, ku ka qenë bujtëse, dalin herëpashere gjëra të pamenduara, të paparashikuara që duhen bërë. 
Erdhi edhe dita e shumëpritur për të tjerët se unë dasmën time kam quajtur dhe quaj atë natë të paharruar në Dajt. Me ndërgjegje të pastër kisha muaj e martuar, madje më shumë qëndroja në shtëpinë e Edionit. Dasma ishte një farsë, se ne të dy bashkëjetonim. Kjo ceremoni martesore ishte për sytë e botës, aheng për dy që martohen, ndërsa treqind të tjerë tërbohen...
Ditët e nxehta të korrikut, shkuan me përtesë, të lodhëshme nën peshën e përgatitjeve të dasmës dhe të ethëshme prej ankthit para ngjarjes së "madhe". Mesdita thuajse përherë ishte nën valën e avujve të nxehtë që ngriheshin drejt atmosferës. Zhaurima e bregut të liqenit nga ecejaket e pushuesëve, përzier me llokoçitjet e ujit nga lojërat apo përpjekjet e voglushave për të mësuar notin, si dhe zërat e ëmbël fëmijënor, i jepnin gjallëri qytetit tim. Kush ishte i ngeshëm vallë që ta vështronte këtë rrokopujë që krijonte i nxehti i verës dhe pushuesit që vinin nga çdo anë?
Gjithsesi era e freskët që vinte nga shpatet e maleve përreth dhe flladi i liqenit e zbutnin goxha motin. Edhe pse ishin fundditët paramertesore, ne të dy , me rroba banje, pasi notonim gjatë, qëndronim të përqafuar në bregliqen, ku nga brendësia e qytetit dëgjohej kënga e gjinkallës. Të dashuruar si askush, duke shijuar kaltërsinë e ujit, i cili shkon drejt blusë, bënim si dy çamarokë të marrë e të pafajshëm, që nuk ndiejnë asnjë lloj përgjegjësie. Nuk donim t'ia dinim për sytë e gojët e të tjerëve. Kishim zhytur në qeniet e njëri-tjetrit tentakulat e padukshme të dashurisë dhe në heshtje, pa fjalë, por veshëmbyllur e gojëkyçur, pëshpërisnim ato fjalë të pathëna që i ndjenim vetëm ne të dy. Pa pyetur se rreth nesh ishte botekzistenca, që me sy lakmiqar, prej zilisë, nxirte gjuhën për shkakpaaftësinë dhe paarritjen e tyre dështake, ne të dy jetonim atë që na pëlqente. Ishte një arsyesjellje mëse e pranueshme, sepse koha ikën, bashkë me të edhe mosha... dhe dalëngadalë veniten e roiten dëshirat, sepse çdo moshë ka kërkesat e saj...Ato nuk dinë të tolerojnë dhe as të falin, sepse thirrja e ndërgjegjes së nënës, nuk lë brenda saj vendmendim për asgjë tjetër.   
  Në datën njëzetë korrik shoqërova Edionin në aeroportin e Rinasit për të pritur të motrën. Me motrën e tij, Anën u miqësuam shpejt. Fëmijët ishin të gëzuar që më njohën. I shoqi i saj, Saimiri ishte njeri i mirë dhe burrë i respektueshëm. Si familje binin në sy për qytetari të mirfilltë dhe harmoni.  
Pas vizitave të ndërsjellta për njohjen mes dy krushqive, erdhi dita e dasmës.
Darka e së shtunës u bë në një restaurant buzë liqenit. Kunata ime veç mjaft dhuratave, më kishte sjellë një fustan nusërie në ngjyrë të kaltër si ujërat e liqenit të Ohrit. E diela ishte e veçantë. Ceremonia që organizoi Edioni me familjen e tij, mbahet mend edhe sot në Pogradec dhe ndoshta do të kujtohet si diçka e pazakontë për shumë kohë.
Bukuria filloi sapo dola nga porta e shtëpisë ku u linda dhe u rrita. Krushqit erdhën më morën me makina dhe më zbritën në breg të liqenit. Aty na priste një motoskaf i zbukuruar me një velë të bardhë, mbi të cilin, në kuvertën e tij kishin krijuar një ambient festiv. I mbushur plot me trëndafila e lule shumënjyrëshe, dukej si një kopsht lëvizës mbi sipërfaqe të ujit. Kurse flladi i liqenit e merrte velin e bardhë që dukej si një skuadrilje zogjësh të bardhë në fluturim drejt pafundësisë qiellore.Veç meje dhe Edionit, në motoskaf ishin dhe falmiljet e motrës dhe vëllait. Ishte diçka e bukur, magjike dhe mbresëlënëse. Rreth nesh u mblodhën gjithë pushuesit duke
uruar dhe duartrokitur. Kur hipa në motoskaf, Edioni më ngriti para duarve. Sapo u ndezë motori e u drejtuam ngadalë në drejtim të brendësisë së liqenit, dashuria e jetës sime nisi këngën e varkëtarit:
"Varkat po nisenë..., o drejt limanit,
ngrehin flamurinë..., të udhëtojnë,
ishte...një djalë..., bashkë me një vajzë,
mbaje varkën, varkaxhi të vijmë dhe ne...!" -bashkë me ata këndoja edhe unë...Nuk i kanë thënë kot: "Ha, ha, ha krushqit, ha, ha, ha, edhe nusja...! Kështu ishte edhe puna ime, nuse pa pikë turpi...
-Tek e fundit ishte dasma jote, që po të hapte portat e lumturisë. Për të tjerët, ti ishe shkaku që ata të shkëputeshin nga rutina e përditshme...,-më ndërpreu Valbona.
-Pasi lundruam gjatë nëpër liqen, u kthyem drejt bregut, ku na prisnin përsëri makinat, të cilat na çuan drejt e në kishë. Pas betimit për dashuri e besnikëri të përjetshme, vendosëm unazat dhe në çastin që prifti na shpalli legjitimitetin para Zotit dhe dasmorëve si burrë e grua, ne pa pyetur askënd   u puthëm aq gjatë sikur kishim vite pa u parë. Në shtëpi gjetëm shumë njerëz. Pritjen e kishin organizuar si tip koktejli në kopsht. Në livadhin e vogël me bar, që e Edioni e sajoi enkas për këtë ditë, kishte ngritur një tendë me perde të holla, transparente dhe aq të lehta sa valiteshin nga era, sado që i kishin lidhur me kordele të mëdha e të rënda. Anash tendës ishin vendosur ujitëset që shpërndanin ujin me drejtim jashtë saj, gjë që sillte freski dhe bënte të mos ndihej vapa edhe pse ishte mesdita e fundit e korrikut.
Njerëzit u larguan, unë i hoqa rrobat e kurorës, u ula në tavolinë me familjen e tij. Pastaj deri në orën tetëmbëdhjet, koha kur erdhi estetja për të më bërë tualetin, të gjithë papërjashtim u shtrimë për gjumë. Kur nisi darka në orën tetë të mbrëmjes... isha e freskët , si dhe gjithë të tjerët ishin të shlodhur.
  Organizatori i dasmës, një mik i familjes së Edionit, e kishte programuar si një skenar spektakli. Madje edhe tenda, perdet, lulet, freskia me tubacion uji, kordelet etje...ishin ideja e tij. Tani e kanë nisur si aktivitet agjencitë organizative të dasmave, po mos harro se ne po flasim për 16 vite të shkuara. Kishte bërë po thuaj të njëjtën skemë të këndshme edhe aty , në bregliqen. Kur sollën tortën që çifti ta ketë jetën bashkëshortore të ëmbël, fikën dritat. Kurse mua dhe Edionin na ngjitën në një pod të lartë, ku na shihnin të gjithë, sepse dasmorët ishin me tavolina të veçanta sipas familjeve apo shijeve. Asnjë dasmor nuk ishte me shpinë nga sheshi i kërcimit. Pa lëvizur nga karrigia të gjithë përshëndeteshin, ngrinin gotat, hidhnin romuze, që zakonisht thumbonin dhëndrin me nusen.
   Të gjithë shqiptarët e çdo krahine bëjnë dasma të bukura, e derdhin rakinë e birrën si lumë dhe pa kufi mish të pjekur, kurse dollia vazhdon deri në agim...Por duke përjashtuar Shkodrën që është e veçantë për kulturën që mbart, krahinat e tjera nuk bëjnë ahengun që bënë Pogradeci, Korça, Erseka dhe Përmeti. Ne që jemi nga ato anë, nuk duam t'ia dimë nëse pjata që kemi përpara ka për të ngrënë apo s'ka. Ne këndojmë dhe kërcejmë deri në mëngjes.
  Dasmorët bëninqejf si të harbuar, ndërsa unë dhe Edioni shëtisnim përgjatë buzëujit, zbathur. Pa pikën e turpit unë kërceja, vrapoja dhe ai më ndiqte pas. M'u lag fustani se u zhyta në ujë deri tek gjunjtë dhe ashtu zbathur, si kokosh i lagur u kthyem në tavolinë. Veç të ishe atje dhe të shikoje atë skenë... kënga e vallja u prenë si me sëpatë dhe të gjithë si në kor psherëtinë :"Uah...! Ç' është kjo e pabërë?! Ç'na bënë kështu këta? Sikur ne sonte nuk jemi vetëm për të nderuar ata të dy...?!"
-Vazhdoni dasmën!- i qetësoi kunata ime dhe më mori nga dora. U futëm në një dhomë, ku ndërrova veshjen e lagur. Vesha atë fustan që më kishte sjellë ajo. Dola e përtërirë dhe e tjetërsuar sa të gjithë po më shihnin me admirim. Por më i lumturi nga të gjithë ishte Edioni. Ishte koha që do të iknin njerëzit e mi. U takova me të gjithë e përlotur, se që nga ai çast i përkisja një familjeje tjetër.           
  Kur u ndava ma mamanë, në vend të urimit, dëgjova sharjet e saj:"- Po ç'na bëre kështu, moj bijë? E prure mirë e bukur, ashtu siç kishte uruar Perëndija... Pastaj e bëre si lopa, që e mbush vedrën me qumësht dhe më pas e derdh pa pyetur për dëmin. Na vure balën e zezë, që nga dita e nesërme do të na i bëjnë me gisht e duke na nxjerrë gjuhën, do të thonë , : "Ishte vajza e këtyre ajo që u fut me vello në liqen...e aq më keq ditën e dasmës."
  -Mama, unë jam e lumtur. Realizova atë që kisha imagjinuar e ëndërruar. Në fund të fundit unë jam ndryshe nga të tjerët, ndaj veprova sipas mendjes sime. A nuk të lumturon kjo vallë?! Për ju të dy duhet të ketë rëndësi që unë gjeta lumtureinë që e lakmon çdo vajzë e re.
  Për t'u njohur më mirë me kunatin ,kunatën, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre ne e kishim lënë që muajin e mjaltit ta bënim pasi të largoheshin ata. Ato ditë shkonim të gjithë në plazh. Përsa i përket shërbimit ishim tri femra. 
Në këtë mënyrë barra nuk i binte njërës. Ia kaluam shumë mirë, pushuam dhe u shlodhëm të gjithë.

***
   Si i përcollëm ata të dy me familjet e tyre, në datën 20 gusht, u nisëm për Egjipt, ku pushuam 10 ditë. Pushimet atje ishin një përvojë e bukur. Nuk ka gjë më të mirë, kur e shfrytëzon një rast të tillë për të njohur kulturën e një kombi të lashtë. Atje u ballafaquam me shumë të panjohura dhe kuriozitete që të zgjerojnë horizontin...
   Duke udhëtuar nëpër Egjipt njohëm shkretëtirën e dytë në botë për nga madhësija, me një sipërfaqe nëntë (9)milion Km. katrore që vjen pas shkretëtirës së bardhë të Antarktidës, pra kontinentit të gjashtë, ku nuk ka jetë. Çudia më e madhe ishte kur mësuam se kjo shkretëtirë, ku piqet buka në diell, noton në ujë nën thellësinë 75 metra, sasi që është 100 herë më e madhe se sa e ujit që gjendet mbi tokë.
  Udhëtimi me anije në lumin Nil, na njohu me të fshehtat dhe pasurinë e tij. Është një fenomen i jashtëzakonshëm i natyrës, që ajo masë e madhe uji, e rrethuar nga shkretëtira më e madhe prej rëre e globit tokësor, ai lumë, një prej mrekullive të botës, gjarpëron krenar përmes Saharës gjigande. Sepse më parë lindi shkretëtira rreth tremijë e pesëqind vjet para Krishtit , kurse treqind e pesëdhjetë vite më vonë nisi jetën Egjipti. Ishin egjiptianët ata që e quajtën Saharë që në arabisht do të thotë shkretëtirë. Kjo është analoge me lindjen e njerëzimit, lindjen e mendimit dhe pastaj lindi fjala.
   Muaji ynë i mjaltit ishte i rrallë... Lum kush jeton e punon për të mësuar. Aty u njohëm me zanafillën e një qytetërimi tremijë e njëqind e pesëdhjetë vjeçar, ku shkrimet e lashta, objektet materiale të kulturës së hershme egjiptiane, për ne që i shihnim për herë të parë, na u dukën një vlerë e pallogaritshme e kulturës botërore. Pastaj vizituam piramidat e famshme, ngritja e këtyre tempujve u kushtohej faraonëve, mes të cilëve shquhej Faraoni Ramses. Në kohën e mbretërimit të tij, Egjipti i lashtë arriti kulmin e lulëzimit, ndaj i është kushtuar piramida më e madhe. Njohëm Sfinksin madhështor, që çdo historiani i kujton kohën e mbretërimit të Kleopatrës dhe Jul Qesarin e Romës. Aty në atë tokë e në atë tempull është shkruar dhe një pjesë e historisë së triumviratit të Perandorisë romake. Udhëtimet nëpër vendet historike i bëmë me deve, se në shkretëtirë, e vetmja kafshë që duron nxehtësinë dhe mungesën e ujit është deveja, që dallohet për rrugëtime të gjata. Meqë shkretëtira ka sipërfaqe shumë të madhe, shtegtarët e apasionuar për të njohur kultura të reja, histori, gjeografinë e vendeve antike, udhëtonin nëpër karvane.
   Nuk më kishin zënë sytë kurrë më parë një tablo natyrore,me bukuri magjepsëse, si gjatë perëndimit të diellit në shkretëtirë. Që larg vështronim me ëndje atë pamje pitoreske që të mrekullon. Atë peizazh mahnitës na i dhuroi karvani i deveve që ecnin rëndë-rëndë në sfondin e kuq të qiellit të përflakur nga temperaturat e larta të ditës. Ishte bukur kur ndryshonin kurbën e lartësisë sa herë kalonin mbi shkrepat e dunave të rërës. Sa do të doja të isha pjesë e atij karvani, por nuk isha e ftuar në atë pelegrinazh mistik.
  Një ditë shkuam në Aleksandri, qyteti që mori emrin e Aleksandrit të Madh, si ndërtuesi i këtij qytetit, të cili i dhanë emrin e tij. Kurse për Egjiptin e sotëm modern vendasit dhe historia e tyre ia dedikojnë shqiptarit Mehmet Ali Pasha, guvernator i Egjiptit, që e shpëtoi këtë shtet nga pushtimi i Bonapartit, në fillimin e shekullit të XIX-të. 
 U larguam nga ky shtet që e kishte zanafillën pesëmijë vjet më parë, me një bagazh njohurish kulturore dhe historike, të vjetra apo të reja, antike dhe moderne. Tani e di mirë se kulturën dhe ushqimin ekzotik e pikant, Perandorët romakë e sollën nga Egjipti i lashtë. Ai që e kopjoi jetën orientale të fisnikëve egjiptianë, ishte Perandori Oktavian Augusti. Tani jam mëse e bindur se kur u themelua Roma, e më pas Perandoria Romake, qytetërimi egjiptian ishre në kulmin e zhvillimit.
  Kur u kthyem, ndieva mall për shtëpinë time, shtëpinë tonë... Më kishin munguar prindërit, vëllai dhe qyteti im...Ishte hera e parë që dilja jashtë vendit tim...
   Të nesërmen, shkova dhe bëra një test shtatëzënie. Po prisja Edionin të kthehej nga puna. Nuk më mbante vendi. Herë pas here dilja te porta me shpresë se mos vinte, megjithëse ishte herët.
Sapo zbriti nga makina, i dola përpara dhe lotët më përshkuan faqet, gjë që e trembi.
   -Çfarë të ka ndodhur?
   -Pas gati gjashtë muajsh do të bëhesh baba...
   -Vërtetë?!- unë i zgjata rezultatin e analizave.
   -Ai më rrëmbeu në krahë, më përqafoi dhe m'u drejtua:
   -Të kam thënë ndonjëherë: Të Dua? Po që jam njeriu më i lumtur në botë, a e ke dëjuar të dalin nga goja ime?
    -Jo, jo, jo...Tani e mora vesh dhe kam frikë se nuk e di, ndaj pyes veten: "A do të jem nënë e mirë?!

***
vazhdon...
























Fjala e Lire - Free Speech

No comments: