Saturday, 8 February 2014

VAÇE ZELA

 Nga Roland Gjoza

poemth

o, ky bilbil i amerikës
vjen te dritarja ime
vjen
papritur
mos kërkon thërrime?
në ajër
vesa bie
ai këndon ave maria
ave maria-n e bilbilave
në ajër
vesa bie

vaçe zela
në lugano
jep shpirt
oi

e marr në duar
e ftohtë si hiri

oi

zjarri blu ka shkuar
zjarri blu

e mbaj në duar
e ftohtë si hiri

oi
është koha kur drerët lëshojne sekrecione dashurie në pyjet e veriut
dhe ulërijne nga epshi
gjelat e egër kacafyten
me njëri-tjetrin
flamingot e kuq
goditen me sqep
dhe puthen
mbushin ajrin me pupla
mbi pupla vendos trupin e saj
mbi pupla

atë e harruan
vajzën e bukur që vinte nga këneta 
me peligorka dhe zhuka
kërcente tango
me nallane druri
kërcente tango
kumparsita

e mbaj në duar
mbi pupla

ajo ishte vajza e bukur e kitarës
që pinte konjak
dhe cigare
vajza me kitarë druri të kaltër
sa herë s'gjente hotel në tiranë
binte të flinte në gropën e kitarës
bashkë me lizën e çudirave
aty e kishte gjetur vrimën
të shkonte matanë
bashkë me lizën e çudirave
kjo vajzë
me emrin vaçe zela

e mbaj në duar
mbi pupla
e mbaj në duar
mbi puthje

tani jep shpirt në lugano

e kanë harruar
vec nganjehere e kujtojne
se popujt e vegjël 
kanë nostalgji të mëdha
kanë nostalgji të mëdha

e mbaj në duar
mbi pupla
hirin
se zjarri blu ka shkuar
zjarri blu

ah!

qiejt janë blu mbi oqeane
blu dhe ajo
blu
si gropa e kitarës 
kur këndonte tango
dashurinë në tre minuta
e shpikte të bukur
në tre minuta
sa zgjat kumparsita
këmbët midis shalëve
një zemër bëhej lule
tjetra flutur
dhe bënin seks tre minuta
e dashuruara 
i dashuroi njerëzit
i dashuroi 
e puthura

e kishte emrin vaçe zela

vinte nga këneta
me shavare dhe peligorka
me lejlekë ne ajër
me lejlekë blu që vinin nga oqeani
dhe me pelikanë kaçurrel me xhufka të kuqe
me pelikanë kaçurrel
e kishte emrin vaçe zela

tani e kanë harruar

kanë dalë të rinj ekstravagantë
më të bukur
më të bukur dhe të përkohshëm
indiferentë si zilia dhe harresa
të bukur shumë
më të bukur se ajo që vinte nga këneta
dhe që e quanin vaçe zela

e mbaj në duar 
mbi pupla
mbi puthje
më blu se bluja
është ora e fundit
kaq blu
s'e kisha parë asnjëherë
dhe qiejt janë blu mbi oqeane
e kishte emrin vaçe zela

o bilbil i amerikës
që rri te dritarja ime
kush të tha të vije
herët në mëngjes
ndërsa binte vesë?
bilbili i myzeqesë?
bilbili i moresë?
bilbili i andeve?
bilbili i arbërisë?
bilbili i kosovës?
bilbili mbi bilbila
bilbili i shqipërisë?
o bilbil
oi
oi
o bilbil i bilbilave
kush të tha të vije?


shkoi dhe s'vjen më
ajme!

qiejt blu mbi oqeane
si mermer karrare
gati për daltën
daltën e mikelanxhelos
për vaçen

katedralet e nju jorkut 
mbushur me bilbila
këndojnë ave maria 

ajme!

e kujtuan më në fund e kujtuan
vetëm hiri ka shkuar
vetëm hiri
vaçe zela erdhi perseri me zjarrin blu

zjarrin blu
me kitarën në duar
me trupin e hajthëm
e bukur
kërcen tango
me nallane druri

lugano, c'ish lugano?
ajo ka myzeqenë e përrallës 
veç
pa mjelmat e bardha
një mjelmë
ishte e saj
shkonte e takonte kur liqeni bënte suvalë
ajo ka myzeqenë e saj
atje çojani hirin
hirin 
te fole e peligorkës

zjarrin 
shpërndajani botës!

ah!

le t'ia nisim sërish nga e para
kitara prej druri të kaltër
konjaku
cigarja
tangoja
me nallane druri
sa herë kitarën te merrni në duar
nga gropa e saj do të shfaqet vaçja
bashkë me lizën e çudirave
mbaroi përralla!

ah!

qiejt blu mbi oqeane
si mermer karrare
gati për daltën
daltën e mikelanxhelos
për vaçen

dhe bilbili i amerikës te dritarja ime
këndon ave maria

ah!

ave maria!

nju jork 2014

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: