Monday, 21 September 2015

DREJTPERDREJT NGA EURONEWS

Konstandin Dhamo
Nga libri Moda e Varfërisë

                   DREJTPERDREJT NGA  EURONEWS


Ish presidenti
Kodin atomik i dorëzon
Presidentit të ri.
Kodin atomik;mendoni !
Që mjafton një lajthitje
Prej aventurieri e zotëruesit
Dhe me një të shtypur butoni
Të kthehej në lëndë inorganike
Sërish mbarë planeti ...

Si miq të rrejshëm,
Duke i shkundur fort
Duart shtrëngojnë
Dhe ndahen
Ndoshta si dy epoka ...
Të sapozgjedhurit i sjellin veturën
E hapur
Mos po ju duket si katafalk?
Jo, kurrsesi...

Garda republikane
Me motoçikleta prin përpara,
Prapa vjen me kuaj të lartë parade,
Këmbët e të cilëve çdo herë,
Të kujtojnë kolonat e tempujve...
Avionët që gjëmojnë,
Qiellin ngjyrosin me flamurin e kombit.
Sepse
Në këtë ditë festive
Edhe qielli vetë është një dekor...


Kohë e bukur në zemër t’Europës,
Populli në shesh
I tëri është.
Jehojnë brohoritjet , ndrit entuziazmi,
Lart
Qesh e aprovon
Dielli.


Gjithçka ndodh bota po e sheh,
Transmetohet historia drejtpërdrejt!
Sa i pranishëm shteti, sa i përhershëm,
Sa i sigurt,
Sa mizorisht i sigurt !
Ndrit te kopsat e uniformave,
Rrapëllin me motorët,
Rëndon me vulat e zyrave dhe bronzin
E emblemave
Tremb me fytyrat
Çuditërisht të përsëritshme të rojave,
Me arkivat tremb , me urdhërat, burgjet,
Sekretet , përgjimet
Dhe krimin e organizuar…
Por, le t’i lemë këto,
Presidenti duket me humor,
I rëndësishëm njëherësh
Dhe çehremirë.
Madje, tek rri më këmbë drejt
Mes veturës që feks
Që tani ka marrë
Aureolë prijësi.


Flamujt n’erë flatrojnë paprerë,
Populli brohorit, përshëndet,
Ja, presidenti mbërrin në shesh,
Nga vetura zbret;
Mos e largësoi sakaq
Pompoziteti i ceremonisë ?
Jo, aspak ;
Zbriti i mallëngjyer
Duke mbetur
Krejt i natyrshëm
Dhe, këqyreni !
Ka shumë seklsapil. 

Flokët që ia shprish era
S’ nguron herë pas here
T’i ndreqë me dorë
Përballë kamerave .


Takon veteranët e luftës,
Shtrëngojnë duart, përshëndeten,
Por të tejplakurit,
Mos nënqeshin pak mes mustaqeve?
Nënqeshin vërtet ata , por presidenti
Di çfarë të shohë , çfarë të mos shohë di…
Shtyhen turmat , vorbullohen, shkelen,
Më keq se edhe vetë turmat në Lindje të Europës...
Dhe presidenti s’resht së tokuri,
Së përshëndeturi s’resht
Shokë shkolle, kameradë , të panjohur gjithfarsoj,
Që mundën të bëjnë karrierë,
Që s’mundën të bëjnë karrierë…
O, ja edhe një dashnore e tij e hershme,
Bionde erotike dhe rrëzëllitëse !
Përmbajtshëm e përshëndet ai,
Gjithë ftohtësi fine,
Sepse tashmë është president
Dhe , si president
Tjetër etikë morale i kërkohet…
Jo më kot
Në mitingjet elektorale
Ku shfaqej besimplotë ndër tribuna
Bëri mea maxima culpa
Coram populo ...

Në përmbyllje
Tek obelisku , në shesh,
Pishtarin regëtitës ndez
Gjithë përkushtim religjioz
Si të kryente një akt ringjalljeje...
Po përse gjatë rrugëtimit ceremonial
Mes pështjellimit
Të stuhisë së brohoritjeve ,
Kërcëllimës së duartrokitjeve ,
Gjëmimit të avionëve dhe
Trokut klasik të kuajve
Disa here iu bë
Sikur përshkonte
Kalvarin e Krishtit ?


Eh, për aq kohë
Sa do t’i shërbente kombit
Do t’i ndjente thershëm
Dhembjet e plagëve
Nga gozhdët në duar dhe këmbë…



Sidoqoftë
Sa mirë do t’ish
T’i mbetej përgjithmonë
Ai gjesti spontan
I ndreqjes së flokëve me dorë…




KOMENT PER FILMIN
                                    GLADIATORI



Për Zotin, nuk tregohesh aspak i mençur,
Nëse e ndjek këtë film dhe mendja s’të shkon
                                                          menjëherë
Te Nju Jorku, Londra, Parisi
Apo edhe te megapolë të tjerë...
Sepse
Çdonjeri prej tyre , një Romë perandorake më
                                                        vete është,
Me Kolose dhe gjithfarë racash,
Që enden rrugëve pa punë , apo punët më
                                                        të rëndomta bëjnë…

Secili megapol , një Romë klasike është pra ,
Me ambicje kriminale për pushtet, me karnavale
                                                        dhe stuhi protestash,
Me love- parade –et e pështira, ku shpërfaqen
                                                    tërë pervesitetet seksuale…
Por e kishim fjalën pikërisht te filmi; çfarë
                                                    pandehni ju,
Se është vërtet një gafë paraqitja e disa figurantëve
                                                    me pantallona bluxhins?
E ç’rëndësi ka; pse çfarë vishnin vallë para
                                                     dymijë vitesh ?
Fugit hora, fugiunt anni, thoshin vetë romakët…
Kthehuni pakëz më shumë në filozofinë fetare ,
                      jo në mënyrë dogmatike dhe me frikë të
                           mbetur inkuizicionale por si krijues, si
                              fantazistë dhe të rindritur,që ta besoni
                                       shkencërisht ringjalljen e shpirtit,
                                          (e shpirtit, jemi marrë vesh njëherë
                                              e mirë për këtë) dhe …
Do të kuptoni se , nuk janë gjë fare dymijë vite.
Ikën ora , ikin vitet, thoshin vetë romakët,
Shpirti shëtit përjetësisht,
Përjetësisht dikton,
Duke kryer klonimin e natyrshëm universal.
Jeta prej shtatëdhjetë vitesh , apo njëqind, po deshët,
Vlen vetëm për të fituar identitet.
Por po flisnim për filmin;
Po thoshim se , bëhet fjalë për megapolet e sotëm
Por , për komoditet artistik dhe për pak takt dhe eufemizëm,
Subjekti është zhvendosur në Romën e lashtë,
Pëlqehet më shumë aluzioni; intrigon dhe shmang
                                             vulgarizmin dhe njëherësh
                                                                       natyralizmin.
Sa kronika të ditës , fjala vjen , mund t’i montohen
                                             pelikulës së Gladiatorit dhe të mos
                                                                             stonojnë aspak ?
Sa gara sportive përfundojnë sot në masakra, sa
                                            gladiatorë të paepur zbresin sot e kësaj dite
                                                                               në pista e arena ?
Apokalipsi biblik ende kërcënon
Edhe pse përdorim teknologji të lartë , edhe pse
Konforti ka mbërritur kulmin …
Mjafton një banalitet për ta shkaktuar katastrofën
Për shembull , një ndërprerje e energjisë elektrike ,
Ndërprerje e ujit , apo e furnizimit me ushqime...
Racat shumëmilionëshe do të shthuren , do të
                         kacafyten dhe,rendi njerëzor do të shpërbëhet ,
Sipas rregullit trashëgues të rutinës historike,
Por , po flisnim për filmin …  



           SKULPTORI I MONUMENTEVE



Skulptori i monumenteve  të diktaturës
Që u shembën me rropamë ,
Gjysmë i paralizuar tashmë
Me zor çapitet në bulevard
Për të shëtitur ca
Dhe për të thithur ajrin e kohës...
Një këmbë dhe një krah s’i ndien më;
I gjymtë është
Si monumentet e tij të thyer.

Si ndodhi kështu
Ky paralelizëm fatal ?
E ai pati besuar
Se kishte derdhur historinë në bronz,
Apo e kishte gdhëndur në mermerin
Me dritë klasike të kristalizuar...

E thykan historinë kur bëhet keq,
Siç e rithyejnë edhe një krah
Kur ngjitet shtrëmbër.
Çapitet me zor tashmë artisti
Për një shëtitje në bulevardin
Pa monumente…

Një piedestal
I ulët është sa një shkallë,
Kur e zbret ;
Kur e ngjit
Eshtë një Everest...
Ç’heronj të tjerë do të shpallë
Politika e Re ?

Skulptori i monumenteve ,
Njëherë për njëherë ,
Me dorën që ende lëviz
Gjela dhe lepuj allçie
Modelon në studion e tij,
Që të mos vdesë urie.         



                        LIRIA


Monumentet e diktatorëve popujt i rrëzojnë vetë,
Vetë përsëri disa kërkojnë t’i ringrejnë.
Janë të paaftët e rrezikshëm ,
Që i çorodit liria, s’dinë ç’ta bëjnë.


Rrugës enden nervozë dhe kërcënues ;
Dikë duan patjetër mbi krye ta kenë,
Emrin t’ia përmendin në shtëpi, të mburren me të,
Për vete të jenë skllevër dëshirojnë përjetë.


Duan dikë t’ua diktojë qethjen dhe veshjen,
Si bëhet pikturë , si bëhet poezi;
Radhëve të gjata t’iu kthehen duan
Triskave të bukës , recetës për dashuri.


Këta që frikshëm pushtetin adhurojnë.
Veç të dhunuar ndihen mirë.
Sa shumë i këndohet lirisë, sa dhembshëm,
Po kush ka besuar se, e duan të gjithë ?



                  MODA E VARFERISE


Funde dhe pantallona xhins të grisura enkas;
Enkas grirë dhe shqyer , enkas ndotur dhe arnuar
Që të vjetërsohen, dhe varfëria
T’imitohet sa më shumë artistikisht
Sepse nostalgjia për të , gjithsesi
Ka filluar në megapolet e modës,
Ku është harruar sakaq dhe s’tremb më askënd
Por sa s’të shkon ty moj Shqipëri e mjerë,
Kjo varfëri e imutuar...




                     ELBASAN


Si rrathët e ferrit dantesk
Kthesat e Krrabës
Ankthshëm zbres.
Poshtë Kombinati Metalurgjik,
Ndryshk gurë dhe shi acid.
Dhe oxhakë që i gjuajnë qiellit.
Prodhon ky kombinat  
Më të çuditshmen në botë,
Markën Çeliku i Partisë !


Me këtë markë
Nuset e bukura
Monstra të frikshme lindën
Me turinj ujku;
Lopët pollën viça me dy koka,
Me katër këmbë zogjtë dolën nga veza…
Smogu i kuq që u përhap
Si flamuri i Internacionales Socialiste,
I thau trëndafilat dhe sytë e dashurisë;
Yllin e Mëngjesit
Dhe kumrien e verbër
I këputi nga qielli...
Hej, Elbasan;
Nisi përsëri nga e para
Këngët e tua të dashurisë!


                 RRAPI I VOJVODES


Komandant  Vojvoda;
Një monument prej bronzi ,
Apo prej mermeri ,
Për ty n’ Elbasan
Kurrsesi s’do të mund ta ngrinin
Më madhështor se ky rrap
Që retë kreh
Dhe sjell një pranverë të tërë
Siç sjell dhe një vjeshtë të artë…

Këtë monument vigan
Shtatëqindvjeçar
S’ta shkuli dot
Asnjë kundërshtar
Komandant !

Nën hijen e tij
Të qënësishme sa dhe rrënjët,
Sa dhe trungu i rrudhur
Me zgavrën rrethore të çuditshme lart
Si grykë topi
Për gjyle të stërmëdha ,
Gjer dhe karvanet e nisur
Nga Bagdadi i largët
Ndalnin të preheshin ...

Veç beharnave ndezës,
Tylrave të mjegullt ,
Shishkave me lëngje magjie
Jermi dhe dehës
Shërues dhe eliksirë ,
Vallë çfarë sollën tjetër
Këta karvane të pluhurosur
Nga shkretëtirat ?
Mos ndoshta një syzezë
Shkrumb të djegur nga epshet erotike
Që të marramendte mbarë qytetin ?


Por ndoshta nuk sollën ;
Ndoshta morën
Një symblu leshradiell
Që mbrapsht rrugën
Kurrë s’e bëri …
Ndonëse te Rrapi i Vojvodës
Ditën e Verës
Mes këngësh dhe vallesh rituale,
Legjendën e saj
Presin të kthehet ...
                                         

                   BEZISTANI

Bezistan Bezistan  n’Elbasan
Ditën plot dritë të Verës !
Tellalli tenor nis reklamat
Me të dalë Dielli pagan .
Por sot ndodhet mes turmës
Dhe një dervish parathënës
Me rroba farfuritëse
Dhe sy xixëllues prej felini,
I cili mundet vërtet
Të shfaqet njëherësh në dy vende…


Eh, Elbasan trillan
Me Bezistan !
Mes turmës lëviz dhe Kristoforidhi,
Gjuhëtari mitik ,
Që thyen vezët e fshatarëve
Për t’i mësuar sharjet e tyre fosile…


Po Isuf Myzyri ?
Ah, shiheni ashikun shik
Tek ndjek pas të Bukurën e Dheut,
Të sapozbriturën nga pyjet e thellë ,
Që veç ai arrin ta shohë.
Dhe drithërin muzikanti magjistar
Që t’i drithërijë violina më pas !
Por humb e Bukura e Dheut ,
Siç humb ëndrra ,
Për t’u shfaqur pas një viti ,
Në Mars ...
Eh, Bezistan
Bezistan
N’Elbasan !


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: