Sunday, 13 September 2015

Kujtim Dashi, mjeshtër i tregimit dhe metaforës




Një autor energjik e shumë prodhues, të cilin, përkundër viteve dhe rëndimit të gjendjes shëndetësore, atë e takon në ravgim të vazhdueshëm krijues dhe artistik, të përkushtuar, si gjithmonë, me tërë qenien personale për zhvillimet demokratike në vend, atdheun dhe social-demokratizimin e tij.

Kujtimi, në dukje të parë të përkujton profilin e një diplomati, i cili di të jetë edhe mjeshtër i fjalës së shkruar dhe përmbarues i specializuar i saj, të cilën ai gjen mënyrat më të mira, për ta transmetuar, të shoqëruar me plot ndjenja njerëzore, duke përdor edhe ironinë në masë të lejuar si dhe ofruar me bollëk sharmë të zgjedhur me dozë të precizuar humori.

Një strukturë e përsosur trajtimi kjo me stil të zgjedhur mjeshtëror dhe përmbajtje tekstesh të krehura profesionalisht, në kuptimin më të mirë përmbajtësor, shoqëruar edhe me transparencë sublime e plot ngjyra, të cilat natyrisht, me goditje të matura apo mjaftueshëm të sforcuara, atakojnë në mënyrë të nevojshme, dobësitë e bollshme që kemi në sjellje dhe veprime, ne shqiptarët si popull.

Shkrimet e tij, përveç kritikës ndaj dobësive, natyrisht rrezatojnë edhe dëshirën për mirëqenien e bashkëkombësve kudo, ndaj gjithsesi, ato në vete përmbajnë edhe shpresën njerëzore të autorit për përmirësimin e jetesës së të gjithë të vuajturve të vendit të vet.

Në shënimet e publikuara biobibliografike për autorin tonë të mirënjohur, thuhet; Kujtim Dashi u lind më 
15 Korrik të vitit 1951, në qytetin e Shkodrës, familja e të cilit, pas mesit të viteve të 50-ta, vendoset me banim në Lezhë. Atje, ai mbaron gjimnazin me tradita “Hydajet Lezha” si dhe pa shkëputje nga ndjekja e gjimnazit “shkollën e dyqanit” (lëndë ndërtimi), në të cilin punonte i ati, “Mirënjohja e qytetit të Lezhës” (2010), rikthehet përsëri në fillim të viteve 70-të, në vendlindje, ku më 1975, përfundon studimet e larta në degën "Gjuhë dhe Letërsi Shqipe", në Institutin e Lartë Pedagogjik (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”), në Shkodër.

Ka punuar librar, mësues, funksionar rinie, gazetar (kryeredaktor i parë i gazetës lokale “Koha jonë”, i“Lissus”-it, dhe i gazetës letrare-kulturore “Në fillim qe FJALA”, së bashku me poetin Ndoc Gjetja). Ishte edhe punëtor krahu, bibliotekar, politikan, funksionar shtetëror, specialist i bibliotekave në MKRS.etj, sqarohet më tej, aty.

Por, krahas punëve që bënte, Kujtimi pati një jetë mjaft aktive letrare; ai u mor vazhdimisht dhe në mënyrë intensive edhe me krijimtari publicistike, botoi dhjetëra e dhjetëra tregime e novela, mblodhi pa u lodhur, drejtpërdrejt në popull humor dhe pas përgatitjes i botoi ato në tre vëllime, shkroi disa radiodramatizime për Radio Tiranën, etj.

Ai, për rreth 40 vjet me radhë, përveç mbledhjes së humorit sidomos nga Lezha dhe pjesët e tjera në veri të vendit, përgatiti e botoi edhe antologji poetike (disa syresh janë në proces, si ajo për Lasgush Poradecin, Gjergj Fishtën, për Lezhën, ribotim i plotësuar etj), boton studime dhe shkruan monografi, ku do të vinim në spikamë dy monografitë kushtuar poetit të shquar Ndoc Gjetja, me titull “Thellësia e thjeshtësisë, Njeriu dhe Poeti Ndoc Gjetja” (2004) në gjallje të tij dhe “Të krijosh duke krishtëruar”, (2014) pas vdekjes (2010).

Janë të njohura sidomos fragmentet e “Historive gazmore nga Lezha”, të cilat të përmbledhura në tri vëllime i ka botuar pjesërisht në revistën “Satirikët e Ballkanit” që publikohet në Sofje të Bullgarisë. Tregimet dhe novelat e tij, u botuan edhe në Itali e Greqi.

Shprehjet e figurshme dhe filozofike të autorit, na vijnë si përshkrime ngjarjesh të jetuara, ngulitur në thellësi ndjenjash me rrezatime kujtimesh të veçanta, duke bartur shpesh herë në vete, përjetime të dhembshme njerëzore, në të cilat rrallë has ylbere gëzimesh të pritura me padurim, për shpërfaqje me fatbardhësi qiellore, në demokraci, përkundër ëndërrimit bukur të gjatë,  në vitet e monizmit.

Me një fjalë, Kujtim Dashi, në të gjitha krijimet e veta, dëshmohet katërçipërisht se është një krijues i sprovuar dhe me aftësi të mëdha afirmuese, si atëherë kur shkruan për zhvillimet dramatike ashtu edhe për ngjarje të thjeshta e gati të padukshme në sfond, por me përmbajtje të vlershme dhe rëndësi të madhe për proceset shoqërore dhe publike në vend.

Vitet e kaluara me vuajtjet e rënda të tranzicionit që përjetonin bashkëkombësit, dashamirët, fqinjët dhe të njohurit, deformacionet e mëdha që pësoi udha e demokracisë së brishtë shqiptare, ia bënë atij edhe më të madhe dëshirën dhe përkushtimin për zhvillim dhe përparimin më të shpejtë të Shqipërisë në demokraci.

Kështu që edhe vetë jeta e autorit, si valë baticash e zbaticash, sikur transferohet në gjendje dhe hapësira të përshkallëzuara  kohore nga ndryshimet e sistemeve dhe epokave, fat ky i pa-zgjedhur nga ai vet, por i përcaktuar nga rastësia dhe rrjedha e zhvillimeve në vend të cilat deshi, apo jo, ato e përfshinë edhe atë bashkë me masën, në vorbullën e tyre të trazuar.

Për të qenë fatkeqësia edhe më e madhe, mu ata që panë nga larg dhe me "tejqyrë", siç thotë autori, proceset demokratizuese, u turrën shpejt dhe tinëzisht për të zënë të parët vendet më të mira në pushtete dhe marrë frenat e tij, kështu që vendin e zhytur në kaos, nuk e drejtonin atdhetarët dhe profesionistët e vërtetë, siç kishin pritur dhe shpresuar gjatë shqiptarët, por oportunistët e padukshëm, demagogët gjithëpërfshirës dhe dallaveraxhinjtë finok, do të shprehej Kujtimi i dëshpëruar.

Gjendja e krijuar kaotike, do të shkonte deri aty saqë me gjithë mundin dhe angazhimin e tij të sinqertë, të ndershëm e të jashtëzakonshëm pa kthim haraçi për këtë kontribut të vyer të vlerësuar nga populli e mbështetësit e tij, po për çudi jo nga kasta politike e së majtës, pa lë më e djathta, në vitin 2005 edhe autori, Kujtim Dashi, me një vendim arbitrar e të ndikuar nga politika, pa arsyetim bindës as të drejtë ligjore, do të largohej nga puna dhe hidhej në rrugë pa asnjë shpresë, si jo pak kolegë të tij, që ishin principialë në qëndrimet e tyre të drejta.

Në këto situata të rënda e të panjohura më parë, edhe autorit tonë, iu desh të manovronte si dinte dhe mundej, në mënyrë që të gjente shteg për rrugëdalje dhe krijonte mundësi mbijetese për vete dhe familjen.
Pra, ndërrimi i pushteteve në Shqipëri, si edhe në shumë vende të tjera të Ballkanit perëndimor e më gjerë, me sisteme e kushte të ngjashme zhvillimi, nuk erdhi thjesht si ylber dëshirash, por si sfidë që jo rastësisht ra në duar të njerëzve arrivistë e me vese, të cilët në emër të ndryshimeve, pas aq vitesh pune e mundimi, do ta dënonin gjatë me papunësi  (pa-rrogësi, siç e saktëson autori) edhe Kujtimin padrejtësisht.

Ky vendim, praktikisht ishte edhe privim nga mundësia për mbijetesë, ndaj edhe pse i sëmurë, nga ai moment, ai u detyrua të luftonte fyt më fyt, me vuajtjen, skamjen dhe mundime të tjera që i krijohen padrejtësisht një intelektuali krijues në kulmin e prodhimtarisë së vet, shpesh herë duke harruar ngarkesat personale dhe hedhur prapa shpine gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, shkaku i së cilës, ndoshta edhe vet hyjnitë u solidarizuan me të dhe e panë të arsyeshme të tregonin mirëkuptim dhe t’i falnin atij, aq kohë e fat, sa për të mos i ndodhur gjë e keqe në ato vite të rënda, me sistem të kolapsuar shoqëror dhe financiar.

Ndaj, përkundër të gjitha vështirësive, Kujtimi fal karakterit të tij të qëndrueshëm, mbeti i pathyeshëm dhe entuziast i pandreqshëm, adhurues i pasionuar i jetës dhe mirëbesues i pandryshueshëm i njerëzve idealistë, që asnjëherë nuk e humbin optimizmin, për një të ardhme më të mirë, për të cilën s’e rreshti një hop betejën e tij, shpesh herë vetjake, jashtë organizimeve zhgënjyese partiake, ku në fillim të tranzicionit kishte qenë një ndër prekursorët dhe protagonistë me kontribute reale.

Ai edhe sot kujton si “nën drita yjesh utopik” ardhjen e «demokracisë» zhgënjyese, e cila edhe pas “shkrepjes së saj ”siç do të shprehej autori, detyroi fatkeqësisht shumë shqiptarë të emigronin në Evropë, Amerikë dhe gjithë botën anë e mbanë, për të ikur edhe një herë nga ata që në një të kaluar jo fort të largët, jepnin dënime jashtë çdo arsyeje dhe logjike njerëzore në proceset e montuara, në emër të sistemit politik të kohës.

Por, Kujtimi, përkundër të gjitha vështirësive, ishte dhe mbeti një Burrë që me dashje atdheun e krahasoi me diellin, nga ndriçimi hyjnor i të cilit, nuk mundi të largohej asnjëherë dhe në asnjë kohë as mënyrë edhe kur pati raste që ai u dogj e përcëllua jo vetëm shpirtërisht, nga temperaturat e përflakura politike të cilat shpesh u lanë edhe me gjak shqiptarësh të pafajshëm në vend.

Ndaj tregimet e frymëzuara nga ngjarjet e atyre kohëve, janë aq reale dhe dokumentuese, sa që i japin vlerë të veçantë edhe prozës së arritur të këtij krijuesi. Ato shquhen si për realizimin ashtu edhe për dramacitetin e tyre, në të cilat, autori nuk ndjek moda eksperimentale posmoderniste, si disa syresh, që krijojnë një lloj letërsie anemike, për “eksport” të perëndimit e gjetkë.

Shumë banorëve të ndershëm e të sinqertë, nuk u ndihmoi sa duhet as fakti se ata jetonin në vende të begata si Lezha, por me një pushtet të udhëhequr nga pushtetarë që nuk e meritonin të kishin në dorë fatin e bashkëkombësve që sundonin, karrieristë të ardhur në poste nga rastësia apo duke lundruar në këneta konjukturale tipike ala-shqiptare, të cilëve që me kohë, do duhej ndaluar me ligj, që ata të vendosnin për të ardhmen e këtyre njerëzve dhe vendi të pafat.



Ndaj pikërisht, përjetimet dhe realiteti i përditshmërisë me tërë gjithanshmërinë e tij, u bënë shkas për tema të “nxehta” të autorit me rrëfimet më trazuese jetësore, të cilat karakterizojnë besnikërisht ngjarjet e njëmendta nga fryma e zhvillimeve reale të kohës që ata jetonin.

Jo rrallë, në to mbizotërojnë ndjesi dëshpëruese deri në prekje të thella shpirtërore, nga shkaku i privimeve të padrejta ku jo të gjithë, kishin forcën për të përballuar shijen e hidhur të mohimit të kushteve më të domosdoshme për të jetuar si njeri, pasi që ato vite në shumë raste mungonin edhe mjetet themelore për mbijetesë, si buka, veshmbathja dhe streha mbi kokën e tyre.

Ndaj, kishte edhe raste të tilla, si në tregimin mbi “Drektari i morteve”(një tregim antologjik ky, ndër më të spikaturit e autorit), kur njerëz të lënë në mëshirën e fatit, detyroheshin të venin edhe atje ku nuk i priste as njihte kush, për të nderuar me “ngushëllime”, në mënyrë që edhe të drekonin, duke mbijetuar vetëm me ushqyerjen nga ato dreka përmes një vakti.

Atribut i padrejtë ky, që përdhosi jo vetëm një herë-tërësisht, shenjtërinë e të jetuarit me nder e dinjitet në Atdheun e “varfër” të Shqiptarëve.

Ndonëse e quaj shumë me vend opinionin e shfaqur nga kritika letrare, se si tipar dallues i krijimeve të z. Kujtim Dashi, janë gjetjet interesante e origjinale nga jeta e njerëzve, kam përshtypjen se autori, sikur viziton edhe kohë të tjera, duke nxjerrë më të dukshmen dhe interesanten nga to, të cilat në përshkrimet e tij mjeshtërore plotësohen, marrin "pamjen" e duhur dhe si të kompletuara, ato reflektojnë efekt veprues dhe ndriçojnë me një shkëlqim të ri.
Në shkrimet e shumta, përveç prozës tradicionale dhe realiste, për mbajtjen e lidhjeve më të afërta me lexuesin, kritika shprehet se Kujtimi përdor me suksese edhe elemente modernë në tregimet e tij.  Proza e këtij autori shpesh herë të befason jo vetëm me gjetjet interesante e origjinale, siç e thamë, të qëmtuara nga realiteti i kohës, me thurjen kompozicionale e personazhe të skalitura mjeshtërisht porse faqet e kësaj proze të zhdërvjelltë e të rrjedhshme e me një gjuhë të pasur (autori bën shumë kujdes për riaktivizimin e leksikut të letargjizuar, sidomos atij Verior) shpesh ngjajnë me refleksione filozofike, me përsiatje të goditura e funksionale rreth botës shqiptare, herë-herë me përshkrime e reportazhe drejtpërdrejt nga terreni, çka të gjitha këto së bashku i japin prozës së tij fizionominë e një letërsie të këndshme por dhe bashkëkohore.
Me siguri, këto e plot të tjera kanë qenë arsyet, që e kanë nxitur jurinë e çmimeve Pena e Artë dhe Pena e Argjendtë të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, që librin e tij me tregime e novela (pjesa e trete e një triptiku) me titull “Banca dello zio ne tenxhere me presion” (Botimet “ADA”, Tiranë, 2012) ta nominojnë për çmimin “Pena e Argjendtë” për vitin 2013.

Proza e Kujtimit karakterizohet nga humori i hollë, fin e i kulturuar, metaforat e qëlluara dhe rrëfimet realiste, të cilat i përjeton edhe vetë thellësisht në shpirt.

Madje Kujtimi di të komunikojë aq qartë e rrjedhshëm me lexuesin, sa që mesazhet e tij shpjegohen drejtë dhe kuptohen mirë e lehtë, nga shtresa e gjerë e lexuesve shqiptarë dhe të huaj.
Kjo mbase ka të bëjë me dhuntinë krijuese të autorit, porse gjithsesi, s’ka se si të mos lidhet edhe me përvojën e gjatë të tij si gazetar e publicist aktiv.
Autori nuk e qorolleps lexuesin, përkundrazi, duke e konsideruar si një “alter” ego të vetin, është i sinqertë me të deri në fund dhe ai nuk mbetet asnjëherë i zhgënjyer e të pyesë në vetminë e tij;“Ore, çfarë ka dashtë më thënë Kujtimi me të?”.
Ky lehtësim barre, i lexuesit, s’do të thotë assesi që autori bën kompromis me principet e tij krijuese, i thjeshtëzon ato enkas, apo bën një prozë të rëndomtë prozaike. Përkundrazi. Tipar esencial i tij është thellësia e thjeshtësisë, çka duket se e ka shumë për zemër përgjersa i ka dhënë edhe titullin një vepre, si ajo që i kushtohet poetit të shquar Ndoc Gjetja.

Këtë e them edhe për faktin, se siç do të shprehet edhe vetë autori, në një intervistë për gazetën "Telegraf", ai qysh nga fillimi, preferon që tregimet dhe novelat e tij, të konsiderohen si dëshmi autentike artistike të realitetit shqiptar.

Jeta e kaluar me vuajtjet e rënda gjatë luftës së klasave, që dikur përjetonin bashkëkombësit, dashamirët, fqinjët dhe të njohurit, madje edhe vetë ai në fund të viteve 80’ të shekullit të kaluar, sidomos kur e hoqën padrejtësisht nga drejtimi i gazetës lokale dhe e dërguan për “riedukim” mësues në fshat, atë e nxitën edhe më tepër dhe bënë më të madhe dëshirën dhe përkushtimin e tij, për zhvillim dhe përparimin më të shpejtë të Shqipërisë në demokraci.

Ndaj, Kujtimin e gjejmë me qëndrime dhe angazhim të vendosur e të sinqertë edhe në lëvizjet politike gjatë ndryshimeve shoqërore, fenomen ky që dallon emrat e mirë dhe frymëzues në tranzicion, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë kudo, njerëzit në nevojë dhe shtyjnë përpara proceset për përshpejtimin e demokracisë në formim.

Veçoria më e spikatur në tregimet e K. Dashit është humori i matur dhe përshtatja e tij me të gjitha gjendjet shpirtërore të njerëzve, cilësi që ai trajton dhe përdorë me aq mjeshtëri e me sens mase, sa që përherë të mbetet i adhuruar dhe asnjëherë të mos kalojë në antipati.

 Në krijimet autoriale të Kujtimit, ai kujdeset me të madhe që të ngritë sa më lartë mikpritjen, sinqeritetin dhe atdhetarizmin e shqiptarit edhe në situata të vështira.

Për këtë, autori merr shembull zhvillime të vërteta, me të cilat krijon mbresa emocionale, vizaton karaktere të forta e të larmishme dhe pasqyron ngjarje të gjalla që tek të gjithë, mbeten gjatë në kujtesë. Në morinë e tregimeve e novelave, sidomos ato të përmbledhura në triptikun “Në muajin e nëntë...”, OMBRA GVG, Tiranë, 2006, “Pesë yje mbi mjerim”, Botimet LMG, Tiranë, 2009 dhe “Banca dello zio në tenxhere me presion”, Botimet “Ada”, Tiranë, 2012, do të veçoja disa syresh, si “Ejani mblidhuni pseudonimet e mia”, “Të lindësh 31 vjeç”, Banca dello zio ne tenxhere me presion”, “Pas Gutenbergut një filxhan çaji me kamomil”, “Baladë e re”, “Nënë, moj Konstandini”, “Ne vigjilje te motmotit te ri”, Kalaja e trembëdhjete, “Rrotulla e litarit”, “Kurth për minjtë e gjirit, “Borgjez, bile mikroborgjez”, “Dy herë dyzetë e pesë vjeç”, “Pjergulla e redaksisë”, “Frikë nga djegia e miqve, “Dita e mirënjohjes dhe e mosmirënjohjes” “Grupi i Murros”etj

Madje ai, përpos ndonjë ironie metaforizuese në drejtim të tyre, nuk i merr- meni, as ish shokët karrieristë,  të cilët e “presin” prapa shpine, ata që ndryshimet vërtetë i panë nga larg por u turrën të parët, për të zënë vendet kryesore në pushtet…

 Kujtimi nga viti 2000 jeton në Tiranë, kurse në rrugëtimin e tij rreth 40 vjeçar si krijues, botoi mëse 20 vepra me tregime dhe novela nga më të ndryshmet të cilat janë vlerësuar lart nga kritika dhe lexuesi në vend e jashtë tij etj. Megjithatë, duhet thënë se kritika jonë letrare e atrofizuar thuajse, klanore, inkompetente, e fragmentarizuar e klienteliste në kufijtë e të pabesueshmes, sipas gjykimit tim, duhet t’i kishte kushtuar me tepër vëmendje krijimtarisë së këtij autori, që sjellë limfën e jetës, nën një shkrim sa tradicional aq dhe bashkëkohor e modernist. Jo, për humor, po siç ngjet rëndom jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, sikur Kujtimi të kishte a të posedonte ndonjë detyrë më rëndësi, - siç dhe e meriton, - po këta të ashtuquajtur kritikë e gazetarë të faqeve kulturore nuk do të reshtnin së shkruari për të dhe krijimtarinë e tij.
Shembujt drastik të qëndrimeve dy standardëshe janë aq të shumta, saqë refuzoj të përpiloj një listë të gjatë, për t’i marrë kohën e vlershme lexuesit të nderuar.

Veprat kryesore që ky autor deri më tani ka botuar, janë:

 1.  "Edhe një gotë Filipit", tregime, Sh.B."Toena", Tiranë,1998.
2.  "Viktima hyjni", tregime, Sh.B."Toena", Tiranë,1999.
3. "Aktori i pafat", tregime, Sh.B."Lisitan”, Tiranë, 2002.
4. "Jetë e tymosur", tregime, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2003.
5. "Ritual", tregime, Sh.B."Lisitan", Tiranë, 2004.
6. "Në muajin e nëntë…”,tregime e novela të zgjedhura, Sh.B.”Ombra GVG”, Tiranë, 2006.
7."Pesë yje mbi mjerim", tregime e novela,Sh.B “Argeta LMG”, Tiranë, 2009.
8.”Omer Shkreli alias Ymer Dashi ose Ribërja e Atit”, tregim&novela, Sh. B. “Geer”, Tiranë, 2010.
9. “Banca dello zio në tenxhere me presion”, Botimet “Ada”, Tiranë, 2012.
10."Histori gazmore nga Lezha etj.",Vëllimi I, përmbledhje humori, Sh.B."Toena", Tiranë, 2000.
11."Histori gazmore nga Lezha etj.",Vëllimi II, përmbledhje humori, Sh.B. "Naim Frashëri", Tiranë, 2002.
12."Histori gazmore nga Lezha etj.",Vëllimi III,përmbledhje humori, Sh.B “Geer”, Tiranë, 2007.
13."45 poetë për Lezhën", antologji poetike, Sh.B."Gjergj Fishta", Lezhë, 1996.
14."Baladë për Fran Ivanaj", antologji poetike, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2000.
15."Pas Migjenit", antologji poetike, Sh.B."Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 2001.
16."Gjuha e zjarrtë…5 shekuj poezi, 100 poetë", antologji poetike, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2004.
17."Gjuha e zjarrtë…5 shekuj poezi, 100 poetë", antologji poetike, botim i dytë dhe i ripunuar, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2009.
18.”Thellësia e thjeshtësisë-Poeti dhe Njeriu Ndoc Gjetja”-, monografi, E.B ”Lisitan”, Tiranë, 2004.
19.”Leksikoni i Lezhës”-Autorë, institucione, media, -fjalor encikolopedik, E.B. ”Lisitan”, Tiranë, 2005.
20.”Lezha-vendlindja ime”, tekst shkollor për klasat e 5-ta të 9-vjeçares, Shtëpia Botuese “Erik”, Tiranë, 2008.
21.-“Të krijosh duke krishtëruar”, monografi kushtuar Ndoc Gjetjes, Sh B”Gerr”, Tiranë, 2014.

Megjithatë, në monografinë “Thellësia e thjeshtësisë-Njeriu dhe Poeti Ndoc Gjetja” (“Lisitan”,2004) Kujtimi ka përmendur fakte, që vërtet janë tronditëse dhe njëkohësisht shqetësuese  për kohën dhe atmosferën ekzistuese të krijimtarisë letrare në trojet shqiptare në përgjithësi.

Ngase,siç shprehet autori, provincializmi është ulur këmbëkryq mu në qendër të “atdheut të shkrimtarëve”, kështu që shprehja e krijuesit të mirënjohur Ramiz Kelmendi,“Kurrë më shumë libra, e kurrë më pak letërsi”, vazhdon të mbetet e vërtetë dhe aktuale edhe më tej ndër ne, përderisa një takëm gazetarësh të kompleksuar, ose të mbyllin portën, ose ta hapin atë katërkanatsh.
Madje, në sesione të mbajtura me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ata nuk hezitojnë për të sajuar edhe bashavanguardistin e letërsisë, thekson autori.

Ironitë e tij të mprehta edhe pse pa emra konkretë, janë të zgjedhura mirë dhe me vend, të cilat në përmbajtjet e tyre të veçanta, përshkohen me figura aq domethënëse, sa që të duket sikur ato flasin vetë, ndaj jo vetëm tërheqin shumë, por krijojnë ndjesi që t’i lexosh me oreks të pashuar e t’u rikthehesh përsëri.

Kurse ajo që bie në sy, në këndvështrimet më kulmore realizuar me mjeshtri të autorit, është Shqipëria e cila gjithmonë mbetet pikënisje e çdo mejtimi diellor, intelektual dhe atdhetar të Kujtimit, ngase ai vendin e vet, e do me gjithë zemër dhe më shumë se gjithçka tjetër në këtë botë.

Ndaj, Ajo dhe vetëm ajo, është shpirti i fjalëve më hyjnore, nënë e dëshirave më të mira, shtëpi e ëndrrave më përrallore dhe aureolë ylberore e larushisë së shpresave të thurura më së bukuri, gjatë gjithë jetës për një të ardhme më të ndritshme të shqiptarëve në atdheun e tyre të dashur.

Ndërsa hapësira në të cilën gjallojnë personazhet e tij, mbetet përherë gjithëkombëtare. Në këtë kontekst do të veçoja posaçërisht tregimin “Jem prej Kukësi e jo prej Kosove”, ku vihet re një këndvështrim jo  dhe aq heroik i Luftës së Madhe për Liri në Kosovë, me ç ‘rast Kujtimi qëllimisht, stigmatizon dallaveraxhinjtë, përfituesit e rëndomtë dhe njerëz pa ideale, të cilët si tapa mbi ujë, i nxjerrin luftërat e mëdha për liri.

Autori që vuajti për të qëndruar burrërisht edhe në kushte e rrethana të vështira të tranzicionit shqiptar, por që megjithatë, pa marrë parasysh përjetimet e veta, jo çdo herë të këndshme, ai mbeti i arsyeshëm e modest në të gjitha kohët.

Ndaj edhe tani, para afirmimit personal, ai interesohet për mbarësinë dhe shëndetin e letërsisë së gjithë kombit, dhe si emër i mirëfilltë, pikësëpari atë e preokupon ndihmesa e secilit, për një klimë dhe atmosferë të shëndoshë brenda shtëpisë krijuese-kombëtare.

Një autor i përkushtuar e impulsiv që falë vullnetit e këmbënguljes, ja ka dalë përherë mbanë dhe sot rrezaton në fjalë dhe në vepër. Jam në dijeni që në desktopin e tij “dergjen” një sërë veprash të reja, të cilat ende mbesin pa u botuar thjesht për shkak të “çensurës moderne demokratike”, siç janë financat. Me shumë interes për publikun, besoj, do të jenë, kur të shohin dritën e botimit “Anekdodika Fishtjane” e para vepër e këtij lloji, në të cilën janë mbledhur nga Kujtimi anekdotat më të bukura të Fishtës; vëllimi me tregime e novela “Shpallje publike në Qafën e Botës”, që, me siguri, do të përbëjë një hop të ri cilësor në prozën e tij si dhe një sërë veprash të tjera, që “gdhenden” mjeshtërisht me kujdes dhe pasurohen profesionalisht çdo ditë.

Duke qenë krijues real, ai i mbetet besnik thënies së Kadaresë, se; "Shkrimtarët e kanë obligim të jenë të sinqertë dhe ta thonë të vërtetën", ndaj ai edhe nuk i ka dhënë prioritet emrit të tij personal, siç veprojnë jo në pak raste, shumë “autorë” të tjerë! 

Me një fjalë dhe pa u zgjatur shumë, siç është e njohur shprehja tradicionale në Shkodër, vendlindjen dhe vendformimin e tij, autori ynë i mirënjohur Kujtim Dashi, aftësitë krijuese dhe vetitë e mira njerëzore, përfundimisht na bind të gjithëve në vepër, se; “I ka me të leme dhe jo me të bleme”, gjë që e dëshmon shumanshëm, si me qëndrimin burrëror dhe korrektësinë personale, ashtu edhe me prozën mbresëlënëse, prozë, e cila pasqyron fuqinë e veçantë artistike dhe pashtershmërinë krijuese të tij, i cili “në të mirë dhe në të keq” i mbeti përherë besnik bashkëjetesës me diellin “përcëllues” të atdheut, duke mos lakmuar asnjëherë, hijet “freskuese “të vendeve të huaja, ndaj edhe më këtë rast, i urojë shumë suksese në punën krijuese, si dhe shëndet e mirëqenie dhe jetëgjatësi sa alpet e bekuara shqiptare.

Gani Qarri  Cyrih, 12 shtator 2015
 

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: