Thursday, 10 December 2015

BABA BAJRAM ÇERÇIZI


BABA BAJRAM ÇERÇIZI
Përkujtimore, nga Luan Çipi




Secili, e ka me emër një baba të vetin. Edhe “Baba Bajrami” mund të ishte babai i ndokujt. Po nuk është vetëm kështu: Baba Bajrami, si rrallë tjetër, ishte babai i të gjithëve, po njëkohësisht dhe Baba Teqeje. Fjala baba për të, ishte një nderim, njëkohësisht, gradë fetare e sektit mysliman bektashi.
Ky Bajrami ynë, që ishte Dervish e më vonë u bë prelat fetar bektashi e Baba Teqeje, dikur ishte një qytetar i rëndomtë vlonjat, dy vjet më i madh nga unë dhe ishte me mua bashkënxënës në Shkollën 7 vjeçare “Ismail Qemali” në Lagjen Muradie të qytetit të Vlorës. “I rëndomtë”, them tani unë, po ja që Ai, u bë i “jashtëzakonshëm”, që nuk më del nga mendja, aq sa ka ditë që vizioni i tij më imponon ta kujtoj dhe të shkruaj sërish dhe posaçërisht për të:
Ç’është e vërteta edhe tjetër herë e kam përmendur në tregimet e mia Bajramin. Në një fragment nga libri im “NGA LLOGORAJA NË NIAGARË”, kur përshkruaj një udhëtim tej Llogorasë, kam shkruar:
“Si e lamë në krahun e majtë fshatin Qeparo, të vendosur në mal, kodër dhe fushë, qëndruam në Borsh, në një tjetër bukuri të rrallë të Rivierës Shqiptare. Ujëra të shumtë, ardhur nga mali, aty, ndenë kollonatat e një lokali tregtie, përplaseshin me njeri tjetrin dhe me muret e një rezervuari dhe shpërndaheshin në qindra stërkale, që, po t’u afroheshe, të jepnin një freski, sikur të depërtonin lehtësisht në trup, të futeshin në mushkëri, në gjak, në shpirt e të shtonin jetën. Pastaj, ujërat vareshin fushës së mbjellë me agrume dhe sikur, shuheshin të derdhura të qeta, në detin e pa fund.
O, se ç’kënd i qetë ndenje e pushimi, i mrekullueshëm, i paparë, mund të bëhej atje poshtë: plazh nën agrume, pikturë natyrore me përzierje ngjyrash: e katërta e detit, grija e rërës së detit, e gjelbra e fletëve të agrumeve dhe ullinjve, e verdha e kokrrave të pjekura të protokolleve, limonëve dhe qitrove, e zeza e kokrrave të ullinjve të pjekur.
Por, jo! Edhe kjo bukuri ishte “zonë e ndalueme“ ushtarake, kufitare. Atje kishin vendosur një kamp përqendrimi të burgosurish ordinerë, që vuanin dënimin dhe bënin punë të detyruar në agrumishtet.  Po, pse nuk mund të gjendej një vend tjetër për kamp pune e përqendrimi? Ata, që thyenin normat e moralit aktual të shoqërisë, në se i kishin thyer vërtetë, pse duhet të izoloheshin e të ruheshin këtu, pse duhet pikërisht ata ta gëzonin këtë bukuri të rrallë? Nga ana tjetër, si mund të shijohej kjo mrekulli e natyrës dhe të merrje kënaqësi shpirtërore, në shoqërinë e meshkujve të dënuar, të lidhur me pranga dhe që hanë vetëm çorbë kazani?
Megjithatë, kam dëgjuar nga protagonisti kryesor i ndodhisë së më poshtme, vite më vonë, se dhe të burgosurit inspiroheshin nga ky mjedis i perëndishëm. Ata, hera herës, i harronin dhe u dukej se çliroheshin nga vuajtjet dhe prangat. Aty përpiqej të mbijetonte dhe një dervish i dënuar, i miri Bajram Çerçizi, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës, ish shoferi i Ahmet Myftar Dedejt, Kryegjyshit Botëror të Bekatshijëve. Pikërisht ky, Bajram Çerçizi ishte një burrë shumë interesant, trupmadh e i mençur, i dënuar për shkak të mbrojtjes së vendosur të pronës së Teqesë së tij. Krimi i tij ishte se, në territorin e Teqesë së vetë, kishte kapur dhe rrahur një vjedhës. Pra ky soj burri, që peshonte mbi 120 kile, veç të tjerave, këndonte shumë bukur. Dervish Bajrami shpesh herë, aty në kamp, i printe kolonës së të burgosurve. Të burgosurit, në njësh kolonë, dilnin nga fjetoret për në punë, duke kënduar, këngën melodioze të kolonës zanore të filmit “Stjenka Razini”. Në fillim këndonte solo, me atë zërin e bukur bas, dervish Bajrami, veshur me dollomanë e gjelbër të uniformës fetare bektashiane. Ai besnik i sektit të vetë, për të cilin ish sakrifikuar, nuk pranonte ta hiqte uniformën, megjithëse e pengonte, se i zgjatej deri të fundi këmbëve. Më pas, për shumë kohë, ushtonte i kombinuar kori i improvizuar, disa zërash, i të burgosurve të tjerë, për deri sa mbërrinin te fronti i punës së detyruar”.

Siç kuptohet nga përshkrimi i mësipërm, Bajrami, gjatë kësaj kohe, nga Drejtuesit e Tarikatit Bektashi, ende nuk e ka marrë gradën Baba edhe pse në popull, kështu quhej prej kohësh. Atë  këtu e gjejmë në Burg, me dollomanë dhe brezin e mesit të një “Dervishi Bektashi” dhe që mban në kokë “tasin e gjelbër“ simbolik. Mësojmë  gjithashtu për mbiemrin e tij (Çerçizi), me origjinë nga fshati Brataj i Lumit të Vlorës dhe për profesionin e tij bazë, si shofer. Mësojmë edhe se ishte trup madh, i gjatë, me peshë mbi 120 kg., trim dhe sy patrembur, interesant dhe i mençur dhe që këndonte bukur. Po, ç’duhet më shumë që një qenie njerëzore e tillë, të të ngulitet thellë në kokë? Për këtë arsye, prej vitesh, më ka shkuar mendja të rikthehem te kjo figurë e spikatur emblematike.
Në rini, pasi mbaroi Shkollën 7 Vjeçare në Vlorë, për nevoja familjare, Bajrami, mësoi “zanatin” e shoferit dhe u punësua në Parkun Automobilistik Vlorë. Djaloshi gjigant, që lexonte shumë dhe bënte hartime të bukura, po na ishte dhe me dhunti të spikatura vetjake: mbante mend dhe recitonte përmendësh dhjetëra vargje, veças thuajse të gjitha krijimet e Naimit. Si autodidakt mësoi gjithashtu me shkrim e lexim gjuhën italiane dhe ruse. Këto prirje, e futën  me dashuri e respekt midis shokësh të mirë, që e rrethonin me dashuri kudo që vente, e sidomos ne kafenetë dhe këndet e qejfit të kohës, ku, pëlqente  ahengun, rakinë dhe këngën.  
Shpejt emri i tij i shkoi  Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Ahmet Myftar Dedei, që ishte edhe bashkëfshatar dhe i njohur personal me kolosin e mençur. Ai, e tërhoqi shpejt pranë vetes dhe e mbajti e edukoi gjatë, nga afër.  Atje, në Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, Bajrami, plotësoi njohuritë bazë religjioze të Sektit Bektashi, mori gradën Dervish e më pas Baba, u mbajt si shofer personal i Kryegjyshit dhe më vonë kreu detyra drejtuese në disa nga teqetë bektashiane të vendit, të cilat ishin qendra historike mikpritjeje, bashkësi popullore dashurie dhe kuvendi paqësor dhe vatra atdhetarie.
Një grup oficerësh italianë që kishin ardhur si përfaqësues të shtetit të tyre, për të mbledhur eshtrat e italianëve të rënë në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, patën rastin ta takojnë, kur Dervish Bajrami ishte Drejtues i Teqesë së Turanit (?). Ata, të pritur me nderim nga dervishi Shqiptar, u habitën me  njohuritë në gjuhën italiane të Bajramit, dhe nga gatishmëria e tij për t’i ndihmuar, në lehtësimin e kryerjes së detyrës së  tyre, aq sa  shkruan posaçërisht për të, në gazetat italiane të kohës.
Rasti i “rrahjes së vjedhësit”, që përmendëm më sipër, tregon gjithashtu për zgjuarsinë dhe gjakftohtësinë e tij:  I vetëm në Teqe, mendoj se i erdhi natën ndonjë “hallexhi”, apo myhib dashamirës. Në fakt ishte një vjedhës, që kur pa se  u zbulua në flagrancë me sendet e vjedhura në duar dhe ai që po e ndiqte ishte një gjigant, iku me vrap dhe mendoi se shpëtimin do ta gjente, duke hipur maj një selvie të lartë në oborrin e Teqesë. Dervishi trupmadh nuk hipte dot atje maj selvisë, po ndenji pa lëvizur me orë poshtë saj, derisa hajduti nuk rezistoi më dhe zbriti e ra në duart e Bajramit, që duket nuk e mëshiroi shumë, derisa e rrahu paq. Ishte periudha e prishjes se objekteve fetare nga Shteti Komunist dhe ky fakt plotësues u përdor nga policia si shkak për ta burgosur Dervish Bajramin.
Në Burg, ai nuk pranoi ta zhvesh dollomanë, brezin dhe tasin, simbolet e tij të uniformës fetare, përderisa mori urdhër nga Kryegjyshi i tij i adhuruar.
Pas daljes nga burgu Bajram Çerçizi punoi sërish shofer, në Parkun Automobilistik të Mallrave Vlorë, me një automjet ”Skodë” me rimorkio me turi dhe kudo, në qendrën e tij të punës dhe në qytet, u nderua dhe u vlerësua si për dijet, njohuritë  dhe kulturën e tij të gjithanshme, për punën plot dashuri e pasion, po dhe për fjalën e urtë, qëndrimin human dhe dashamirës. Edhe, pasi u martua dhe u bë me fëmijë, me gjithë se në moshë të shtyrë, ai u shqua edhe për korrektesën dhe kujdesin për ta, si një familjar i mirë.
Tregojnë për dhjetëra raste sakrificash dhe veprimesh humanitare e deri të çuditshme të Baba Bajramit: Ai e ngarkonte dhe e shkarkonte shpesh herë vet makinën e tij, duke punuar së bashku me punëtoret e ngarkim-shkarkimit; ai krijonte vet dhe shpërndante falas, barna të mjekësisë popullore, me efekte shëruese për veshkat, tensionin e gjakut etj.; ai, me ato shuplakat e stërmëdha të duarve, kryente masazhe, vendoste në vend dhe fashonte shpatullat, apo klavikulat dhe gjunjët e dalë nga vendi, duke dhënë ndihma urgjente mjekësore popullore të suksesshme. Ndërsa porositë, këshillat, konsultat dhe ngushëllimet e tij të urta, ishin mjaftë efikase, pa interes, të drejta dhe të dobishme për këdo.
Baba Bajram Çerçizi, ka vite që ka ndërruar jetë, po për vlonjatet, për shokët dhe miqtë e tij dhe për të gjithë ata që e kanë njohur, do ngelet i paharruar dhe me plot respekt e dinjitet.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!

Tiranë, më 10.12.2015
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: