Friday, 4 December 2015

DASHURI



ZYBA HYSEN HYSA: CIKËL POETIK: “JETA KËRKON DASHURI”



SI DIGJET NJË GRUA

U bënë disa vjeshta… shumë t’kam pritë…
Ngjyrat e dashurisë ashtu siç dhe vjeshta,
Penel’ i zemrës ia ka zbukuruar tash stolitë…
Për t’i mbajtur ato të vërteta… të freskëta…

Vjeshtat do vijnë e do ikin prapë se prapë,
Peneli i zemrës punon pa më pyetur as mua,
Pa rreshtur pikturon brenda shpirtit tim vlagë,
Si vatrave të fshehta, digjet fllakadan një grua!

Flaka e saj ndriçon Universin gjer në trembje,
Dridhet Zoti… pse të solli Ty është penduar,
Unë i flas për çdo darkë… me fjalë zemre…
“Zot… Faleminderit që e solle, veç ma ruaj…!”

Në djegien e flakëve unë ndrij edhe më mirë,
Hirëzohem… porsi feniksi ripërtërij bukuritë…
Të jem plot hir, si një zanë mali, që kur të vijë,
Të ridashurohet, ashtu, siç u deshëm atë ditë…!



















2. O VJESHTË PICASSO…

Sot, që ke ikur ndjej mungesën tënde,
O vjeshtë Picasso… dhuratë nga Zoti…
Ashtu siç vjen dashuria në fole zemre,
Pa lejen tonë, hidhet… caktohet shorti!

Shumë kanë shkruar për ty, moj zonjë,
Që ditën që bëre këmbë, erdhe tek ne,
Dëgjo; në jetë është mirë mos besojmë,
Atë, që veç pranina jote, e çmend e deh…

Sapo ike, ndjeva thëllimin fshikull të trishtimit,
Pas ndarjes… largësia i provon dashuritë…
Ndjeva mall për shkëlqimin përtej shkëlqimit,
Ashtu siç lë vazhdë - dritën dashuria në shpirt!


3. TINGUJ REVOLTE

Shpesh... i kërkoj ndjesë shpirtit tim human,
Pa dashje e pickoj… kthehen tinguj revolte,
Në vend ta falënderoj për mirësinë që kam,
Humanizmi është fat i errësirës kësaj bote…

Si të hesht, hajduti vjedh dhinë e vetme e më pas,
Vjen duke qarë… rreh gjoksin se hajdutin e vret,
E lë të ziun popull me shpresë… shpreson pa gas,
Pret, sa blenë dhinë tjetër… prapë, hajduti ia merr…

Unë ... që as gjarpërin s’dua kurrësesi egër ta vras,
Tingujt e rrevoltës, më zgjojnë, ethshëm marr flakë,
Të thërras përtej thirrjes… popullit, dua t’i thërras;
Cili sytë... hajduti ha mishin... Ti mbete barkthatë!

Dhe tinguj rrevolte shpirtin ma brejnë si mola,
Shpërtheni o popull… të krijojmë simfoninë,
Rrevoltë s’do të thotë të krijoni bataliaona…
Që të mbrosh veten… dashuro DITURINË!


4. UNË DHE VJESHTA

Nuk di vjeshta më veshi me ngjyrat e saj,
Apo unë e vesha me vjeshtën e stinës sime,
Të dyja... gjithë ngjyrat e ylberta mbajmë,
Dhe mijëra reflekse ngjyrash e kombinime...

Piktorja ngjyen penelin në musht poezie,
E poezia gjerb ngjyrat e saj që pikojnë,
Për t’mos pasur kurrë mes nesh grindje,
Njëra – tjetrën marrëzisht dashurojmë...


5. NDODH...

Ti s'e di sa shpesh xhelozoj, si ato foshnje,
Që mësohen t'i mbajë ëmbël nëna në gji,
Dhe lindja më pas ndonjë vëllai apo motre,
E bën të shpërthej në lotë e të ndjejë mërzi...

Ngandonjëherë pendohem që të rrita kaq...
Mbase nga dëshira për të mos arritur njeri,
Po, edhe dielli zjarrplotë që është atje lart,
S'ka ç'tju bëjë reve që dalin e sjellin shi...!


6. @@@

Edhe pas vitesh,
Sytë shndërrohen burim,
Për të shuar etjen kujtimeve....



7. PJESË UNIVERSI...

Shpesh... rrija në ballkon e kundroja detin me vëmendje,
Oh, ç’ënaqësi më ka falur... por edhe mësim të shenjtë,
Lehtë – lehtë sillte valëzat shoqëruar me tinguj kënge,
Bregun njomte e puthte, kthehej përsëri në shtratin e vet.

Papandehur, dridhej gjithë deti, sikur binte i frikshmi tërmet,
Valëzat trembshëm ngrinin kreshtat... për të larguar tërbimin,
I suleshin bregut pa faj që pak më parë e puthnin lehtë – lehtë,
Si për të kërkuar ndihmë... për t’i shpëtuar shqetësimit...!

Kështu... pikërisht kështu, më ndodh me Ty edhe mua,
Ndjej përkëdhelje puthjesh... me ajrin që ke dërguar,
Ku kthehesh erë e fortë... sulesh drejt meje si dragua,
Në përleshje marr plagë e më pas... po Ti m’i ke shëruar!


8. HEBRENJTË E SHEKULLIT


Dhe mëma kur dalloi që kish lindur përbindës,
U tmerrua e për të mos vrarë veten braktisi Atë,
Ashtu si të ish djall e tmerruar e zuri për brirësh,
Kokën ia futi në dhe'.... të mos i ndjenin më zë...

Përbindëshi kish gllabëruar aqsa gjysmën Botës,
Dhe kur e varrosën nga helmi i tij sëmurën dheun,
Prezantuar ëngjëll që rri me shpatë sipër kokës,
Me një dorë jepte lule… tjetrën vriste Prometheun...

Kur dhe mëma e tij shtrigë e braktisi komunizmin,
Si të ish mortja e jetës dhe e zhvillimit të botës,
Enveri tundtte skenat e fliste për patriotizmin,
Dashuri të përjetëshme me djallin e Epokës...

E djalli lindi djaj që mbajnë mbi vete ngjyra ylberi,
Po se brendëshmi të gjithë ngjyrën e zisë kanë,
O Zot i madh… si do t'i shpëtojmë këtij helmi???
Helmuar ne, helmuar ngado ku ka shqiptarë....!

Sot komunizmit i kanë ndërruar vetëm emrin,
Ashtu sic bëjnë grekët me të varfrit shqiptarë,
Por gjaku që kanë ndër deje mbetet ai që kemi,
Ashtu dhe komunizmi po atë helm brenda mbanë....

Sot hijet e komunizmit kanë dalë në dritë,
Si postera për të zhdukur rracën shqiptare,
Hebrenjtë e shekullit duhet të çelin sytë,
Ndryshe... korrni, ç'të mbjellë fara barbare...!


9. DUEL SHPATASH

Përherë pyes veten:
Në besës time vallë më besojnë,
Ata që marrin jetë nga jeta jonë?
Ndaj shpesh me besën hyj në duel shpatash,
Për të provuar forcën tonë,
Kushedi sa shpata më ka copëtur,
Po aq plagë, plagët e saj më falin
Dueleve provojmë forcën,
Forcë njëra – tjetrës i japim...

MUNGESA...

Asnjëherë s’e ndriçojnë dashurinë fjalët e bukura,
Fiken si një letër e ndezur që lë veç karbon pas...
Takimet e pëmallshme... çastet më të lumtura,
Fosforishente mungesa... veç mungesa e gjatë...!









RUFETË E TOKËS

Rrufetë e tokës çanë qiellin,
Sytë e zotit rrëke lëshojnë…
Nxinë kaltërsinë verbuan diellin
Ecnim ne mbi llavën tonë...!

 Tash rrufetë s'qëllojnë qiellin,
S'kanë më atje ç'të errësojnë,
Errësirën që rrufetë mbillnin...
Nxinë universin tonë...!

E si të lutemi drejtuar qiellit
Për dritë lirie për sytë tanë,
Kur i shpallëm luftë vetë diellit,
Errësirën e bëmë zonjë...?

Ecim si qorrat mes errësirës,
Nga shkëndijë drite Ikim, vrapojmë,
Lakuriqë nate, bufa të shkretirës,
Shpellat e dunat, mbrirë tokës sonë...

Zgjatni duart, s'ka më… me lutje,
Lutjen vetvetes ne, t'ia drejtomë,
Si kthetra shqiponje gati për luftë,
Errësirën shekullore të verbojmë!


KUCEDRA SHTATËKOKËSHE

Prej shkrimeve t’mia shigjetohet kuçedra,
Viteve rri symbyllur… si asnjëherë zgjuar,
Siç gënjen gjahtarin kokëbosh dhelpra,
Sikur është e ngordhur, për t'i shpëtuar

Ashtu, kjo kuçedër kurrë s’pati ngopje,
Piu gjak fisnikësh… shqeu ballëndritur,
T’i bijesh rreth e qark… gjith’ kësaj bote,
Kuçedër shtatëkokëshe, jo, s’ishte rritur!

Oh… i gjori popull… oh fisnik, çil sytë!
Kuçedra s’do ledhje… fryhet porsi bollë,
Nxirr shpatën e ballit, farfurimë me dritë,
Prija shtatë kokat, nxirrja synë në ballë…

Mos lejo o popull… të më hajë dhe mua,
Unë s’vajtoj plagët… vargjet, sjell ilaçin,
Piji… i hidhur ilaçi, në do t’jesh kuruar,
Nga shërimi yt, shtatë kokat pëlcasin!

PUTH…

Mbyll sytë… puth ajrin,
Në puthjen e tij ndjej magji…
Janë magji që as më ngjallin,
Por as s’më lënë në vetmi…

Mbyll sytë… puth qiellin,
Vjen e më vesh me kaltërsi,
Shpesh kaltërsia më zë diellin,
Përsëri unë e puth gjithësesi…

Mbyll sytë puth universin,
Më pushton në oazën e tij,
Aty ku njerzit kurrë s’vdesin,
Atje të gjej… vetëm Ty!


EMRI JOT!

Pas shkreptima dhembjeje
A pasthirmë kënaqësie,
S`thërras si dikur; “O Zot!”
Magjishëm prej thellësive,
Del si jehonë shpirti,
Emri jot!


INTELIGJENCE…

Asnjë s`i ka në dorë rrymat e ngrohta,
As të ftohtat që vijnë prej galaksisë…
Hapur ngrohtësisë lëri mijëra porta,
Mbylli … për t`i shpëtuar ftohtësisë…!


SI SHPEND I VRARË

Kur shkruaj thjesht, s`janë fjalë koti,
Kam thirrur, sa dridhet gjithë Universi,
Me forcën e plumbit godet pikë loti,
Dëshirat … që koha s`mund t`i vdesi…

Kur them e vendosur: “Jam e lumtur!”
Mendo … pa Ty… kurrë e lumtur s`jam,
S`dua të shqetësoj… por, si një flutur,
Që shkon drejt flakes, djegur shpirtin kam!

Kur të them me gojëplot: “Eja po të pres!”
Rrafsho malet… vrapo oqeanit porsi Mesia,
Ashtu sic erdhe Majit tonë … si një shpend,
E u derdhe si i vrarë… mbi krahët e mia…!

MAGJI DASHURIE

Me magjinë tënde, vjen kaluar muza,
Si një pegasso … ngarkuar me ëndrra,
Shpirtlëndinës sime, celin lulëza - lulëza
Vargje poezie … aromën thith zemra…!

Kush lexon vargje, provon shije mjalti,
Brenda dy zemra që s`i ndanë shpata,
As fjala mizore që helmon si gjarpëri,
As rrufetë e tokës që dalin nga llava…


MARROSUR PREJ MAGJISHË
Kur të shikoj në portret… më dukesh tjetër njeri,
Ndryshon si nata me ditën nga portretet, që vetë
Të kam skalitur me dalta malli… si një Perëndi…
Shtrigania largësi, si gomë gjigande, tiparet ka tret!

Ajo të fshim pamëshirë… unë gdhend me dalta malli,
Krijoj portrete të tjerë hyjnishë… por me emrin tënd…
S’të njeh, askush në botë, që sheh me sytë e ballit,
Portrete, që veç brenda meje, si ikona kanë zënë vënd…

Brenda thellësive honore farfurijnë mijëra portrete hyjnishë,
Herë të qeshur… herë sytë u shkëndijojnë me dhimbje…
Herë vallëzojnë me mua, të dehur, marrosur prej magjishë,
Flakësh të pashuara; puthemi... digjemi... gjer në shkrirje!

19. KOHE PROMETHEU

Koha evolon me hapa galopante…
Politika botërore imiton mesjetën,
Kur populli ashtu si një dele manare,
Afrohej shtrungës, mbushte vedrën…

Sot, kur fjala fluturon brenda sekondës,
Lajmëron botën… rreth e përqark saj,
Politika duhet t’i bjerë me grush kokës,
Që grushti të mos bjerë popullit pafaj…

Harbutët për vete ngrenë kështjella,
Bunkjerë si dyer për vila nënë dheu,
Po, si s’u futën një herë në të thella,
Të mësonin diçka nga Prometheu???

Nuk je Promethe, duke rrahur gjoksin,
Një gjoks që për zemër ka ushunjëz...
Që thith e thith pandalë gjakun popullit,
Duke i rrahur krahët, helmin nën gjuhës…

Koha evolon… qyterëmi bie këmbanës…
Nëse veshshurdhët këtë tingull s’dëgjojnë,
O Zot i madh, do shohim, tmerret e radhës,
Gjaku i pafajshëm… si lumë do vërshojë…!

Në tryeza ulur si mbretër, kaluar mbretër…
Mos pini etur, verë të vjetër, gjak pafajësie,
Shkulni gjoksit gropë… ushunjzën kuçedër,
T’i falni kësaj bote… pishtarë lirie!


20. QETËSOMË PAK…

S’e kuptoj dot këtë lloj ndjesie…
Më dërgon mijëra kilometra larg,
Ndër ato vise që s'di as nga bien,
Vij të kërkoj... Oh sa rrugë e gjatë!

Të gjesh Ty, si t'gjesh ujë n’qiell,
Këtë e di fort mirë pa ma thënë…
Po si të bëj me atë që ke mbjell,
Brenda shpirtit e ka zënë rrënjë?

Si një zog qielli hodhe pa dashur,
Në fluturim lëshove bërthamë…
Mbase s'e dite as që e kishe pasur,
Ra lëndinës sime, bëri gjëmë...

Tash si oktapod rrënjët pushtuar,
Cep më cep mbërthyer si ganxhë,
Mos më qorto, s'kam për t'pushur,
Rrugëtimin tim… e pse Ti bën larg...

Kaq kohë në ecje si maratomak,
Të të gjej të them lajmin pa lajm,
Të them si ndjehem, qetsomë pak,
E pse qetësi ka vetëm në varr…!


21. DHURATË PERËNDIE

Dashuria, melodi pa nota, të ndjell si Circja,
Hapini veshët, dallon nga Circja kënga e saj,
Për dashurinë... si Prometheu doja të vdisja,
Gjithë njerëzizë... t'ia fal si dhuratë këtë zjarr...

Mos harro, thirre dashurinë përherë në emër,
Ajo, si një manare, vjen ëmbël të përkëdhel,
S’vjen këmbë – këmbë, stolisur si një femër,
Është dritë – energji, dhuratë Perëndie vjen!


22. TI KAFSHON POPULLIN TËND

S’ngre dot flamurin e dikujt,
Që shkel flamurin tim me këmbë,
Unë s’e kërkoj krenarinë,
Duke shkelur dinjitetin që kam...
Të përulemi të dy,
Që kur të jemi në rrezik,
Të sulemi të dy... o mik!
Kjo s’do të thotë,
Që dhembje për ty s’kam,
S’do të ish më ai,
Që mendoj se jam....
Po s’do ta ngre flamurin tënd,
Atdheut tim,
Plaga e këmbës tënde... dhemb!
Ti kurrë s’e ktheve kokën të shohësh.
Kur gjaku im rridhte lumë....
Me hosten në dorë nxisje përgjakjen,
Për të vënë kufirin në Vardar,
Pa pyetur... se ish truall shqiptar!
UNË S’E NGRE FLAMURIN TËND,
E PSE NË KËTO DITË ZIJE SHPIRTI MË DHËMB,
ME SHPIRT TA THEM... MË RËND;
ME KAFSHITAT TONA,
TI KAFSHON POPULLIN TËND!

23. SOT…

S’është më ajo kohë… kur dënoheshin gratë,
Për aktin e shëmtuar që kryenin burrat me to,
Sot siecili duhet mendohet… të mendohet gjatë,
Si leujleku me kockën para se ta hajë… provo…!)1

1) DUHET TE DISHE FABULEN E LEJLEKUT...

24. ILAÇI I SHPIRTIT

Më sheh në foto të qeshur…
Bile, për çudi vitet më rinojnë,
Se ç’kam një dritë, në sytë e ndezur,
Prej frymës tënde që ende frymon…

Floku, është zbardhur ndonjë vend,
Ua ruaj ngjyrën që ke parë atëherë,
Kur bashkë me Majin erdhe si shpend,
E mua më sollët dyfish pranverë…

Për çudi… fustanet i ndërroj shpesh,
Herë si zonjë e madhe, herë si çupërlinë,
Vrapoj nëpër shkallë e zbres me të shpejtë,
Sikur do të vij tek Ti në takim…

Po kur dëgjoj muzikë, veç të shohësh,
Ti ndjej hapat… me ritmin e këngës…
Si ajër më prek… lëshon avuj ngrohës,
Herë më përplas, herë shkelje këmbësh…

E çfarë s’bëj… të të dukem e gëzuar…
Që Ti të mendosh… sesa e lumtur jam,
Se s’kam rrugë tjetër për të dërguar,
Ilaçin e shpirtit… gatuar me mall…!

25. VDEKJA KA FRIKË NGA DASHURIA

S’dua që mallin ta marr mbi shpirt,
Të më rëndojë dhe përtej varrit,
Eja… të marrësh përjetësinë,
T’mos ia dhuroj oqeanit!

Unë di që malli të ngre nga varri,
Si Kostadini me t’bukurën Dorontinë…
Si vdeka njeriu edhe për së gjalli?
Frika e vdekjes rëndon mbi shpinë!

Mos vallë të tremb dashuria imë…
Që vitet – moshë shpesh përmend?
S’jam më sorkadhe e vendeve alpinë,
Një mace e bardhë, që do përkëdhel!

Një dorë mbi flokë, lëmon shpirtin,
Malet e mallit njëherësh rrafshon…
Nis bleron lëndina… lulet rrisin
Trupin e tyre… gonxhe bulojnë…

Një fjalë rrëzë veshit, veç me frymë,
Me gjuhën e nënës që na ka lindur,
Fuqia e BOTËS m’pushton si rrymë,
Zemra – gjenerator s’lë gjë pa lëvizur…

Pse jo, nën tinguj kënge… laitmotiv,
Të kërcejmë pa hapa vallëzimin tonë,
Herë sUpet e mia… jastëk të rrinë…
Herë supeve tua, koka t’më pushojë…

Vdekja ka frikë nga dashuria,
Mungesës i rri si hije vdekja,
Eja e derdhu mbi krahët e mia,
Që të lulëzojë përsëri JETA!


26. TI DHE MUZIKA…

Muzikën e përcjell pa përtypur…
Ashtu sic të dua Ty pa t’parë me sy,
E megjithatë lotët m’i keni nxitur,
Me vdisni dhe më ngjallni të Dy!


27. MUNDËSI E FSHEHUR

S’di... si rrinë tek Ti mbyllë ndjesitë e mia?
Si në burg të nëndheshëm siguruar me celsa,
S’di vërtet... s’di... c’vepron tek dashuria...
Shkon sycelë diku... s’sheh t’kthehet tek vetja!

Unë gjykoj të miat... të tuat Ti fshikëllon...
S’po gjejmë dot zgjidhje... as dhe një mundësi,
E pse n’pamundësi, një tjetër mundësi egziston,
Mundësia e fshehur...  shkrirë në dashuri...





28. RIHEM (RINOHEM)

Si një tingull rrëshqet thellë në shpirt,
Pa të hapur unë, as derë dhe as portë,
Bota mjekon plagët me këtë muzikë,
Grimcat kuantike... dy nga dy vallëzojnë...

Gjithë qënia ime, kthyer pistë vallëzimi,
Në trokitjke kuantesh... kthehesh simfoni,
Si në prekje harqesh, pa farë orkestrimi,
S’di në ndjej muzikë... apo fantazi...??

S’gëlltis tinguj... rreshqasin pa u ndjerë,
Dëgjoj gjëmime...  shpërthime rrufeshë,
Dridhem... digjem... shkrihem pandërprerë,
E në shkrirje RIHEM, kthehem MBRETËRESHË!


29. PUTHIM... NA PUTHIN

Kemi ndërtuar tashme një Univers,
Brenda, jashtë Universit – universal,
Ku zogjte notojnë ujrave si peshq,
E peshqit kërcejnë e fluturojnë lart...

Brenda Universit përqafuar mbeme,
Herë prekim Tokës mëndafshin e saj,
Herë magjitë në ajër na rrëmbejnë,
Puthim... na puthin...  yjet me radhë...


30. SHOH ME SYTË E DIELLIT

Kur dita mbyll sytë, shkon duke lënë,
Dritën e diellit...  dhuratë tek unë...
T’i çjerr largësisë netët pa hënë...
Që dashuria t’mos bjerë në gjumë...

T’shoh me sytë e diellit që nga largësia,
(Vetëm ai për Ty, mund të më rrëfejë)
Me zjarrin e tij... biron ndjenjat e mia,
Ndricon ëndrra jonë, aq sa mijëra DIEJ!

Si s’mësuam... sa pak kushton dashuria,
Një fjalë e sinqertë...  ngjyra të ylberta,
Si motërzë e saj... po kështu dhe liria,
S’kërkon tanke... as armë...  as  raketa...


31. SIKUR U TAKUAM

Ja… dhe u takuam... ja, dhe u puthëm...
Ja, u shtërnguam, malli limon shtrydhur,
Si s’paskam kuptuar, qeshë më e lumtur,
Në vitet e pritjes... brenda zemrës mbyllur...

Ti dërgoje muzë, unë grusht me shpuzë,
Muza edhe shpuza çilnin, mbyllnin plagët,
Plagë, s’mund t’shërojë më e nxehta buzë,
Pritja... vetëm pritja... qënka helm i mjaltët...


32. DHIMBJE E KA EMRIN

E dija ç’mbaje fshehtësisht në shpirt,
Shpirtin m’ fale bashkë me dhimbjen,
I falesha dhimbjes si Perëndisë...
Me frymë u ngroh... gjer në shkrirje...

Portret dashurie kurrë s’kisha parë,
Thonë... në emrër i flasin Afërditë,
Portreti që brenda vetes time mbajë,
“Dhimbje” e ka emrin, Ti ia ke ngjitë!


33. JETA KËRKON DASHURI

Si Hemingëay... në bombardime,
Në terrin e luftës bënte dashuri,
Dashuria dëbon përtej cdo dhimbje,
Luftën shpërfill me ëmbëlsi...

Khayyam kërkon bota të ndalë luftën,
Lufta kurrë paqe s’të ka dhën o njeri,
Si të sjellka paqe... sa hetë humbën...
Kush mbijetoi... kë tmerr në sy...

Dashuria të vdes pasi je plakur...
E botës i ke vjelë cdo kënaqësi,
Lufta, lufta...vret dhe vocërrakun,
I ngrinë mbi buzë qumështi që pi...

Lufta, lufta... vret vajza dhe djem...
Puthje s’provuan me një gotë verë,
Ç’mëkat i madh, s’kam fjalë ta them,
Lufta është shumë më shumë se ferr...!

S’është koha më e Skënderbeut,
Hipur mbi kalë, në dorë një shpatë,
Prijësit e luftës nga fundi i dheut,
Drejtojnë tmerret me telekomandë...

Vetë të dehur në qejfe... orgjira,
Nëpër hareme moderne droguar,
S’dinë sa dhemb lufta, as dashuria,
Epsh prej vampirësh i mvban zgjuar...

Bota kërkon Hemingëay, Khayyam – ë,
Dhe unë me ta marrëzisht dashuruar,
Të pimë verë, të këndojmë këngë,
Jeta na falet për ta shijuar...!



34. DO ZOTI...


Kur jemi larg, s’jemi Unë e Ti,
Të Dy mbajmeë në zemër,
Vetëm dashuri...

Kur të jemi pranë, s’di se si,
Do njohim njëri – tjetrin,
Duke parë me sy???

Të mbyllim sytë për të dalluar,
Nëse jemi Ne,
Apo Dy të huaj?

Si ndonjë i verbër do të zgjasim duar,
Të prekin fytyrat,
Do Zoti... mbasim përqafuar...

Dhe do jemi pranë, jo si atëherë,
Kur si shpend qielli,
Edhe me pranverë...

Mijëra takime, të bëra me mend,
Brenda një casti, mbreteshë unë,
Ti më i bukuri mbret!


35. DUA…

Dua... t’i kem miq... të gjithë krijuesit,
Jo miq veç të pinë kafe e bëjnë llafe,
As miq hipokritë... vorbullave të fusin,
As miq, pa lexuar poezinë bëjnë laike...

As miq, të ftojnë në konkurse me kushte,
T’u falësh nderin... të të japin dekorata...
As miq që më thonë “Ti shpall gjendje lufte,
S’je intelektuale, s’pranon ligje e shoqata...”

Dua.. t’i kem miq... të bashkojmë zërat...
Një zë thërret... s’buçet sa t’tundë malet,
Bashkë... si këngë ushtojnë psherëtimat,
E popullit që na lindi e s’i pushojnë hallet...

Dua t’i kem miq, edhe ata që rëndë gabuan,
Misionin e Zotit ia falën... i shërbyen djallit,
S’është vonë... si librat e shenjtë treguan...
Dhe djalit plangprishës... mëkatet ia falin...

Dua... dua... jo, s’e dua unë, po duhet sot,
Vlera e një kombi... fshihet tek krijuesit...
Nëse ne, s’e dimë këtë... shkruajmë kot,
Lëvdojmë njëri – tjerin, dënojmë Jezuesit...


36. PA FRYME... PA FJALE... PA ZE...

Ne s’patëm kohë të shiheshim ngultas,
Për të kuptuar nëse deti i syve kishte va’ për të kaluar,
Si nëpër ëndrra rendëm udhëve të shpirtit njëri – tjetrit,
Në ecje,
Imitonim pëllumbat siç ushqejne të vegjlit...
Bubullimat çanin qiellin, vetëtimat përplasnin retë,
Ethshëm shkrepnin rrufetë...
Dy trupa... në një,
Pa frymë... pa fjalë... pa zë...!


37. MBINJERI...

Vendosa mos të dua,
S’jetoj në kohë e hapësirë,
S’po kuptoj intrigën e kësaj jete,
Me thotë: Dashuro... pa dashurinë...!
Me zemrën lidha marrëveshje,
Sa herë të thërrasë emrin tënd,
Si një nënë e mirë do t’i shkull veshët,
E ta qëlloj me pëllëmbë...
Ajo ra në gjumë letargjie,
Pëhumbur lëpinte plagët e mallit...
As trokun s’po ia djeja,
As drithmat që më thoshin: “Mos fli!”
Dhe pritja diku ishte fshehur,
Dhe tokë e qiell mbanin zi...
Ku jam? Ç’planet i mugët!
As yll... as dhe një shkëndi t’më ndriçojë udhët,
Të isha përsëri jashtë kohe e hapësire,
Në kohën dhe hapësirën tonë,
Ku këndojnë veç Zana e vallëzojnë hyjni,
Ku preket ethshëm NIRVANA,
E kthehesh MBINJERI!


38. A MUND TË QORTOSH ZOTIN?

U dashurova si marroke me Ty,
Ashtu siç dua thellesisht Zotin… pa menduar se cili je?
(Dashuria s’dashuron tipare, as veset që ke…)
Zoti nga njeriu ndryshon,
Ashtu siç ndryshoj edhe une nga mëma që më ka lerë…
Zotin e thërrisja e Zoti kurrë fillikat s’më ka lënë,
Ashtu papandehur… njerëz të mirë,
Më janë gjendur për ditë të vështirë…
Po... si të bëja më ty?
Të quaja Perëndi… po ishe njeri!!!
U kavërdisa në tavën e dhembjes që më sillte pasiguria,
Kur befas mësoja se kishe zemër... po kishe edhe sy,
Që të ndillnin drejt këngëve të Circes,
Pa e ditur që mund të kthenin në jo njeri...!
A mund të qortosh Zotin? Aq të qortoja dhe ty!
Po thikat e dhembjes si një dhëmballë e prishur,
Më linin netëve pa gjuumë,
Duke lutur Zotin e duke të dashur më shumë...

39. KY FAT NA RA...

Ndodh... si pa shkak,
Ashtu si qielli me kohë të mirë,
Papritur rrudh ballin e bëhet zemërak,
Deti i ndjenjave imiton stuhinë
Ndryshe nga deti që përplaset në shkëmbinj,
Dallgët e mia egër sulmojnë shpirtin e bëjnë kërdinë...
Të kam larg...
Të paktën të sulesha Ty ndonjëherë,
(Do shpëtonim të Dy)
Dallga me dallgën si deshtë brirë përdredhur,
Përplasnin njëra – tjetrën në erë...
Ky fat na ra...
As dallgët si shuajmë bashkë...
Vetshuhemi për të mbajtur ndezur,
Vullkanin që dallgë ngre,
Me shkak... pa shkak...!


40. POEZI

Asnjëherë s’kish ndodh,
Poezi të shkruaj në biletë urbani...
Në ditare mësimi, në fletë nëpër xhepa, në kartpiceta,
Nëpër gjethe pemësh, në pëllëmbë dore,
Në pulpa këmbësh... në llërë krahu...
Kudo që jepej mundësia, kur s’kisha asnjë mundësi,
Po të kisha pranë... në sytë e Ty do shkruaja,
Ta lexoje Ti në sytë e mi!


41. NE, SHQIPTARET

Kur jemi sëmurë... themi “Jam mirë”,
Kur jemi robëruar, themi “Jam i lirë”
Kur jemi dashuruar, themi “S’është mirë”
Kur na gënjejnë... themi “Sa i dlirë!”

Kush flet vërtetësisht, i kthejmë kurrizë,
Kush na ndez një dritë, i fryjmë për ta fikë,
I thuaj, mos derdh gjak, sulet me symbyllë,
Për të mos e zgjat... mbetur mendja fyll...

Kur thika na ngulet... thellë deri në palcë...
Nga dhembjet tkurret zemër e tru bashkë,
Sulemi si bishat... njëri – tjetrin hamë...
Zëmë lëpijmë plagët... prapë si më parë...


42. RROJME ME AROME NENE

Ju... që ikët larg... patët dritë në sy,
Ne ende shpresojmë nga i thari gji...
Thithim fort një gji që s’na ka ushqy,
Rrojmë me aromë nëne... apo si???

Djalli... heq kafshatën nga goja e saj...
Nënë anemike... Si qëndron në këmbë?
Si të japë qumësht, qumësht nëpër vaj?
Thonin të parët, s’do shetësim një nënë!

Gojëuritur... shpirt vrerosur shekujve...
Aq se edhe hasmit në shpirt i vjen rëndë,
Po, si vallë moj nënë këta dalë prej brinjëve,
Më keq se vampirë ... palcës ngulur dhëmbë!?

E di... shekujt Ty, s’të deshën, të lidhën...
Me egërsi bishe shpesh të përdhunuan...
Të gjithë këta lugetër të dalë prej binjve,
Farë përdhunimi... tragjedinë luajnë???

Ju... që ikët larg... patët dritë në sy,
Ne ende shpresojmë nga i thari gji...
Thithim fort një gji që s’na ka ushqy,
Rrojmë me aromë nëne... apo si???

43. DETI QANË... MALI HESHT

Vlorë moj, ta puthsha ballin,
Si një diell t’ndrin mbi Kaninë,
Jo veç për Ismail Qemalin...
Për gjithë bijtë që farfurijnë!

Kush u nis... hapin s’e ndali,
Të bëjë ndere mëmëdheut,
Nga shqiponj’ Ismail Qemali,
Gjer te Isuf Luzaj Prometheu!

Nuk po flas për më parë,
Kapedanë njohur në botë,
Aranitasit shpatë e mbarë,
Tej Vardarit u bënë zotë!

Oh, moj Vlora ime e shenjtë,
S’po lind më një djalë fisnik,
Qysh kur vrave bilbilenjtë...
Që n’mitër, ngjizet armik...

Nëpër zyra Krisht pas muri,
Portreti i Ismail Qemalit...
Në një kënd plagos flamuri,
Në kolltukë i mbajnë pas krahit!

Pa më thuaj ç’valle të hedh?
Kë të dua... kë të qesh???
Më thuaj këngën ta ndez???
Deti qanë... e mali hesht!!!

44. @@@

Unë të dua si Atdheun,
Asnjë pyetje s’ka t’i kthej një përgjigje,
Të gjej arësyen se pse e dua...
Këto lloj dashurishë të falen në ngjizje,
Rriten brenda teje e pse nëpër vite,
As vetë s’e kupton se i kishe...

45. GËZUAR!

Atdheu im është prona,
Stërgjyshi e la dhuratë perëndie,
Gjyshi s’la vënd nga shkonte plori,
Pa hedhur farë autoktonsie...
Babai, tregti bënte gjer në Strugë, Ohër... Shkup...
Pa doganë shkonte e vinte... qemë vëllezër,
Na erdhi një hije e zezë, siç vijnë tmerr... stuhitë,
Gjëmimet nga larg... ndezën... shkrepën rrufe,
Na fshinë atdheun... na vunë kufitë...
Jetuam si robër në pronën tonë,
Lindëm e rritëm fëmijë pa u shtruar një sofër,
Sot atdheu në duar të fqinjve,
Copa – copa... sa s’dimë ku bie,
Fëmijët... nëpër botë... robër...!
Unë marr gotën them: GËZUAR!
Për pavarësinë që kurrë s’e patëm,
Për një burrë që na e helmuan,
Trokas gotën me vetminë time,
Pa pasur një fëmijë në vatër,
E pse linda e rrita katër!
Bëjeni pra, edhe ju, GËZUAR!
T’i gëzojmë... ata që gëzojnë atdheun,
Ne gëzojmë të helmuar,
Kush helmin në gaz e ktheu???

46. @@@

103 vjet, duke pritur...
103 vjet, gjallë, pa rritur,
103 vjet, themele hapur,
103 vjet, dëshirë pa plakur...!

47. EJA, TË LUTEM, T’U PAJTOJ

Të gjitha fjalët e pa thëna t’i thashë Ty,
Dhe t’dashurive të pamundura, gjithashtu,
Tash... kam nisur të flas pa fjalë... me sy,
Fjalë – drite, alfabet i shkruar me t’shiku!

Sytë tejzgjasin vështrimin gjer ku Ti je,
Në çdo cep të botës... kudo e gjithkund,
Me shpejtësinë e dritës të sjellin rrufe...
Pegasso krahëbardhe fluturon tek unë!

Sot, si një qilim fluturues, dërgoj vështrimin,
Mos nguro... eja, po të pres tek monumenti,
Atje, ku dashuria më e madhe dha kushtrimin,
Atje, dua sot të përqafoj... sa të tundet vendi...

Të kam thënë: Ty dhe Atdheun u dua njësoj,
Pa ju të DY ndjehem, pa indentitet... pa shpirt,
Eja, të lutem... t’u bëj bashkë... t’u pajtoj...
Të ndarë... asnjëri... s’qe i zoti të më rritë!


48. GUINPLENË

Pavarësia në 1919 varur çengelave të botës...
Si një qingj i therur... kokëposhtë për t’a rjepur,
Për t’a bërë më pas thela – thella hedhur sofrës,
Ku tradhëtarët hanë, këmbëkryq ne dreqër e lugetër...

Pistoletë pas koke, a mashktrime, shqiptari në shërbim,
Për t’a rjepur e për t’a vendosur tjerëve në pjatanca ari,
E ndajnë sipas gishtit tregues t’atyre që hanë n’tavolinë,
Dhe vetë rri këmbë, të shërbejë, në fund si hysmeqari...

Ne, s’na mbetet tjetër... veç të festojmë PAVARËSINË,
Me pjata e gota bosh... flamurët valojmë t’uritur.. t’etur,
Nëpër fytyrat tona, mijëra buzëqeshje ndrijnë... ngrijnë,
Si mbreti kokëlartë, krenar... pa rroba, picak i zhveshur...

Po kështu, SOT, një ditë më pas, shpalosim tribunave lirinë,
Pritur... ta na e sjellin... si bariu – hajdutin, delet e humbura...
Në një kohë që liria është bërë kurban i padrejtësisë...
Ne, tundim flamurët... duartrokasim fort, fjalëve të bukura...

Hë pra, gëzoni... qeshni... se edhe unë sot vetëm QESH,
Gazi që thith... më kthem në kllounë për të qeshur tjerë,
O shqptar... afrohuni mos n’a dëgjojnë, t’a themi mes nesh;
Guinplenë qemë... fatkeqësisht, kemi mbetur GUINPLENË!

GUINPLEN – i = Personazhi kryesor në librin“Njeriu që qesh”


49. DASHURI

Oh, si s’di të radhis bukur nota në pentagram,
Të shkruaja melodinë që dëgjova kur gishtat,
Mbrërtheve brenda gjishtërinjëve të mi si zam,
Buzëmbrëmjes së Majit, tek palmat, nën dritat...

Edhe pas kaq vitesh ndjej tinguj melodie të flokëve,
Mijëra tela violine nën pëllëmbën tënde lëmuar,
Oh, sa keq! S’di t’i shkruaj, t’u gjej vendin notave,
Jo për vete... të dëgjoje ti... siç i kam dëgjuar...

Simfoninë magjike t’puthjeve, s’do ta luante Moxart,
Ashtu si kompozimi i ndjesive mbi tastjerën e buzëve,
Kur puthjet... s’puthnin... shkruanin e përhapnin art...
Si Krisht mbërthyer zemrës... lanë kavarin e vuajtjeve...

Mbërthyer Krisht, buzëtharë, përgjakur, etur gjer n’asht,
Symbyllur... ndjej meloditë e buzëmbrëmjes Majoshe...
Mijëra herë del shpirti e mijëra herë ringjallur ësht’,
Si Krisht... sakrifikuar veten për dashurinë e kësaj bote!


50. ESHKË QË DIGJET NËN VETE

Kisha dëgjuar,
Pyjet digjen prej një shkëndije,
Ku vapë korriku thanë shkurret,
E bari si kashtë ndizet për karshi,
Edhe nga një fllad i lehtë mali,
Mijëra hektarë bërë hi...
Kurrë s’kisha besuar,
Se do gjendesha ndonjëherë në befasi,
Nga një shtërngim duarsh,
Të marr flakë si eshkë e bërë eshkë shkretisë së kohës,
Nga një shkëndijë e shkrepjes së urorit mbi strall...
Gjithë kurmi im në shkrirje, aromë eshkë të mbajë...!!!
Cudi...!
Kisha dëgjuar që eshka digjet nën vete,
E flakët s’ia dallon njeri,
Ashtu digjet kurmi im prej vitesh,
Mes gjuhëza flakësh nga djegia jote,
Ku brenda një çasti,
More zjarr e u shkrive si qiri...!!!
Ende mahnitem me hijet e ndezura të flakëve,
Që la buzëmbrëmbja e shkrepur Majin e kaluar,
Mbi detin e drithëruar prej afsheve,
Si puthjet e diellit në të përënduar...


No comments: