Monday, 19 September 2016

KRIJIMTARIA E FARUK MYRTAJT I NGRE VLERAT LETËRSISË SHQIPE


KRIJIMTARIA E FARUK MYRTAJT I NGRE VLERAT LETËRSISË SHQIPE
Çdo shkruaj më poshtë, kufizohen deri në atësitë e një lexuesi të vëmendshëm dhe dashamirësi të fjalës së shkruar. Aspak nuk pretendoj nivele të analizës apo kritikës artistike, ndonëse krijimtaria e Faruk Myrtajt e ka merituar prej vitesh vëmendjen. Proza e tij konkurron me majat e arritjeve në prozën shqiptare. Edhe më tej, përtej kufijve tokësor apo ujor.

****
Natyra, të afërmit dhe kushtet që ndikuan në formimin e karakterit

U lind në fshatin Trevëllazër (ndoshta, Trevëllazën), fshati i vetëm (në njohjen time)që zotëron të katër anët e horizontit, që sundon pamjen mbi Adriatik, mbi hapësirat e Myzeqesë së Vogël, mbi fushat e Llakatundit dhe të Armenit, mbi luginën e Vjosës deri sa ky lumë i virgjër bërrylohet në Poçem e Drizar. Nuk ka rrotull asnjë lartësi që t’i pengojë shpalosjen e qiellit, t’i vonojë lindjen e Diellit apo t’i shpejtojë perëndimin e tij.
Trevëllazëri është ngritur mbi kodra të buta dhe është i begatë në ullinj e vreshta.
Kjo pamje dhe këto prodhime të fisme, siç janë ulliri dhe rrushi mëkojnë dhe frymëzojnë shpirtëra të lirë.
Aty biskoi Faruku i vogël.

***
Shkollën e filloi në Selenicë. Aty jetoi, u shkollua, punoi, arriti pjekurinë si krijues. Prej aty mundi të hapë atë portë “të rëndë” për të hyrë në auditorët e universitetit.
Ndryshe nga vendlindja e tij e hapur në të katër anët e horizontit, Selenica nuk kishte horizonte të largëta. E trysnuar midis kodrave nga tri anë me një dalje të ngushtë si dalje stomaku. Gjithë pamja para banesës ishte një kuadrat 200-300 metra katrore. Duke bërë analogji me thënien e Sokratit të mençur se një bashkëshorte e keqe të bën filozof, do thoshja se edhe një kuadrat që të mbyll horizontin nxit filozofimet të cilat Faruku i ka pasuri të bollshme dhe të paluajtshme.

***
Në zonën e vitit ’60, familja e Ilmi Myrtajt, dërgoi “pararojën” e saj në Selenicë.
Njoha Selimin. I holltë, i vëmendshëm, ngadalësisht i afruar në shoqërinë tone që ishte “salduar” nga vitet. I kujdesshëm edhe ngaqë kushëriri i tij (në atë familje strehohej përkohësisht) i plotësonte dhe i tejkalonte pakujdesitë midis shokëve.
Vazhdoi gjimnazin, përparoi deri në nivelet më të mira të bashkënxënësve dhe fitoi të drejtë studimi për ingjinieri.
Praj atyre ditëve fitoi siguri të plotë në vetvete, nxiste biseda të mençura dhe të gëzueshme. Ishte i dëshiruar në shetitjet e mbrëmjeve dhe në trokitjet e gotave, kur krijoheshin mundësitë.
Inxhinieri Selim Myrtaj, jetoi nga afër dhe i ndjeu në brendësi “tërmetet” jetëmarrëse në sektorin e naftës. Pa me sy, ndjeu me zemër humbjen e eprorëve të aftë, të bashkëpunëtorëve virtuozë dhe të disa miqve të afërt. Vite me radhë bëri përpjekje të mbyste këto dhimbje tronditëse sa u lodh dhe i dha frymën qiellit.
Përvoja jetësore e Selimit në mes të betejave vrastare të naftëtarëve, me siguri, zgjonte pyetje dhe ngurtësonte përgjigjet në ndërgjegjen e Farukut 20 vjeçar. Kjo luftë midis pyetjeve dhe përgjigjeve prodhonte heshtjen (rezervuar heshtjeje) që do të çante digat në vitet e mëvonshme.

***
Vëllai tjetër, Ladi, ishte më i formuari nga bashkënxënësit e tij. Fjalëpak por e preferonin t’i përfaqësonte në veprimtaritë shoqërore të cilat, në vitet kur jetonim, ishin “gurët” më të rëndë për të përcaktuar vlerën e formimit të të riut.
Shahist i rangut të pare.
Ishte viti 1967-të, vit që mori format e 6 shkurtit të vet, kur Ladi mbaroi gjimnazin me nota shumë të larta dhe priste  por nuk fitoi të drejtë studimi sepse … Sepse paskej “njollë në biografi”, siç tha prifti i qytezës, ish anëtar i partisë në fuqi.
Ladi heshti. Të gjithë Myrtajt heshtën para këtij muri që nuk ia gjenin dot anën. Devijimi I trajektores së jetës së Ladit u bë labirint pa rrugëdalje për Myrtajt më të rinj.

 ***
Pas Ladit hidhte hapat e motra Shano. Kur ajo ishte në klasën e shtatë, kam dale para atyre nxënësve për të zhvilluar orën e pare të mësimit në karrierën time pedagogjike. I mbaj mend fotografikisht gjithë fytyrat, dritësimet e syve. U ndjej akoma frymëmarrjet. Shano rrinte në bangë me Xhyzepen dhe Vasilikën. Vasilika në mes se ishte trupvogël dhe bangat ishin planizuar për dy nxënës. E mençur edhe Shano. Ama, kaq. Mbaroi të mesmen. Universitetin duhet ta mbaronte pas tri dekadash në Amerikë.
Kur Ladi ishte në të tretën e gjimazit dhe Shano në të shtatën, Faruku 10-vjeçar ishte në të katërtën. Nuk e njoha.

***
Do vinte dita gri për t’i dëgjuar emrin në një sallë plot bashkëqytetarë (maturantë që kishin mbaruar gjimnazin, prindër, të afërmë dhe kureshtarë). Salla ndriçohej dobët. Një përfaqësi partie, pushteti dhe fronti lexonte emrat e kandidatëve për shkollë të lartë, sipas notës mesatare. Një çast, u dëgjua emri i Farukut; Faruk Ylmi Myrtaj.
Hop, i ati i një kandidati që nuk i jepte shans cilësia e notës. Ndonëse kishte vështirësi në drejtimin e trupit, atë moment gjeti force prej ujkut Brenda tij, u drejtua dhe ngriti zërin.
-Ai ka njollë.
-Çfarë njolle, u dëgjuan zëra.
-Ka njollë.
-Ku e di ti?
-E di.
-Si e di?
- … (nuk dinte se si e dinte).
-Këtu është e ëma. Të ngrihet e ëma.
U ngrit nënë Baria që ishte ulur në një nga rreshtat e parë. U ngrit por ç’të thoshte? Shikonte nga “presidiumi”. Vështrime të mjegullta. Rrotullohej majtas-djathtas-prapa. Vështrime të ulura. Zhurma të mbytura.
Vetëm dy vetë në këmbë. Ai që akuzonte pa shpjeguar asgjë dhe nënë Baria që vuante pa kuptuar gjë.
Guxoi dhe foli një i tretë:
-Mendoj se nuk është këtu vendi për të mbajtur në këmbë një nënë. Duhet një ballafaqim diku tjetër. Kaq.

Nëna shpëtoi nga sikleti i radhës por Faruku (as aty e njoha si portret) nuk fitoi të drejtë studimi. Nëna mbarti plagën me vete për vite me radhë.
Ndërsa djalit Faruk Myrtaj iu desh të njihte galeritë e thella të bitumit për vite rresht, të jepte prova dhe prova deri sa zbardhi një ditë kur atij iu u dha e drejta për në shkollë të lartë. Sigurisht, jo sipas kërkesës së tij por KY ISHTE NDER I MADH. Faruku diti të çante në drejtimin që i lutej shpirti. Dhe, sot kemi prozatorin me stil të veçantë; analistin, tregimtarin, romancierin edhe poetin Faruk Ylmi Myrtaj.

   ***
Ylmi Rizai (Myrtaj) e kishte dashur shkollën, prandaj dallohej nga bashkëkohësit e tij për formim arsimor dhe kulturor. Në vitet ’45-‘50 ishte nga ata që plotësoi nevojat e kohës për mësues. Më pas, për arsye që mund t’i shpjegoi vetëm tradita shqiptare, e shkëputën nga arsimi. E pruri dita e ora që të vendosej në Selenicë. E kam njohur në fushat e fermës bujqësore (ekonomi ndihmëse, siç quhej).
Burrë i gjatë, hap të menduar, fjalëkyrsyer.

Pas shumë vitesh (viti ’80 kishte ikur), e pruri rasti të ulem në një tavolinë klubi me të. E shënoj kohën ngaqë ishin politizimet që na ndanin më shumë se malet, lumenjtë apo detet.
Mbaj mend vetëm këtë pyetje e cila, nga drejtpërdrejtësia e pazakontë, më murosi:
-Je në drejtim të Partisë së qytetit tonë, a ke ndonjë nga komunistët që i ka dhënë Partisë (Partisë, tha, për të nënkuptuar unë Shqipërinë) gjëra themelore?
Heshta. Kam ditur të hesht.
-Nga gjaku i tyre, nga familja, nga fëmijët që kanë rritur si e kanë ndihmuar Partinë, më ndriçoi pyetjen ai.
-Gëzuar, i thashë dhe trokitëm gotat. Dy inxhinierë dhe katër forca të gjalla në prodhim janë shumë, shtova.
Këto shifra përputheshin me familjen e Myrtajve.
Kuptoi që u shmanga dhe e transferuam bisedën në rrugë të njëmijëherë shkelura. Pjesa tjetër e bisedës nuk ka lënë asnjë gjurmë në kujtesën time. Ama, njoha brendësinë e një burri të mençur. Edhe të guximshëm.
Ky ishte babai i Selimit, Ladit, Shanos, Farukut, Zagollit, Mendimit dhe Gencit; të gjithë virtuozë në përpjekjet që sjellin të mirat material nëpërmjet punës dhe të drejtës.
Jam i sigurt që për këtë mendojmë ndryshe por, le të ndodhë edhe kështu derisa jam i mirëinformuar për brendinë patriotike të Myrtajve. Po kaq edhe për revoltën që shprehnin me heshtjen apo pakfjalën e tyre ndaj rrjedhës që i la mënjanë ndërsa meritonin jetë tjetër.
***
Gjurmë në shpirtin e krijuesit, përveç vendlindjes, vendbanimit dhe famijarëve,  lënë shokët dhe miqtë. Ja ç’më shkruan dikur për mikun tone të përbashkët B. i cili (si dhe shkruesi i këtyre radhëve) kishte “vizë” të hynte në mjediset e “larta”. Një cast që Faruku e kujton me tone mirënjohëse:  
B.  mbeti njeri i mirë. Me kujtohet se ai më ka futur për herë të parë në ndërtesën e KQ të PPSH-së, nga ana e Rinisë. Shkova me të deri aty afër hyrjes dhe... këmbët
e mia ndaluan (nuk ndihesha i merituar për të hyrë): 
-Mbaro punë dhe të pres këtu, i thashë.
-Hajde me mua, më tha, pak punë kam dhe dalim shpejt bashkë.
Jo, jo, si te vijë unë atje brenda?! -i thashe.
Më futi krahun dhe u gjenda përbrenda ndërtesës.

Gjithë çka rreshtova më lart, mund të gjendet midis rreshtave të Shkrimtarit, publicistit, vjershëtorit Faruk Myrtaj si nëntekst, si maturi, si drojë. Veçse, përherë si dashuri për njeriun, për vendlindjen, për Atdheun. Përherë, si sqimë për të gjetur fjalën e mençur, të përshtatshme, depërtuese. Përherë si respekt për virtytin dhe pështirosje për vesin. 

Poezia

Fillimet, Faruku ia përkushtoi, më tepër se prozës, poezisë. Nuk se i veçoj apo i vendos vargjet e Farukut në “podiumet” e vlerave të mëdha, ama, në pak vargjet e mëposhtme lexuesi mund të vizatojë portretin shpirtëror dhe filozofinë e krijuesit, mund të pikëtakohet me çarjet e pamjekuara të shpirtit të tij:
***
Në qiell e nën dhè, nënë moj...
E dërguara e posaçme e qiellit në tokë
mëkëmbësja e Zotit këtu poshtë
qiellorja që ka zbritur dhe nxiton të ngjitet para nesh
nëna-zoti ynë, krijuesi, përjetë.
***
Mbase vetëm nëna dhe e dashura
M’i mbajnë mend flokët bjond
***
Miqtë e mi të deridjeshëm
Kam vendosur të pasurohem,
të mos e humbas kohën me ju…
Me ndershmërinë tuaj s’kam punë më…
***
Ta marrë e mira, Njeriu ndryshoi
Në ligj hyri (pafytyra) tjetërsimi
Nga ligji doli Vetja dhe shkoi…

Proza
Krijuesit për prozën e faruk Myrtajt?

Gjekë MARINAJ
“NJË PERVOJË ME “HIJET E VIRGJËRESHAVE”, botuar tek Albania e vogel, 26 janar,2009

Ka kohë që reputacioni i mirë, që ka fituar Faruk Myrtaj si shkrimtar i gjinisë së tregimit, më ka ngjallur dëshirën për të lexuar ndonjë nga librat e tij.  ... pasi përfundova tregimin e fundit “Muzikë e vjetër”, kuptova se letërsia e Myrtajt është si një “muzikë” vizuale, sa e re aq edhe klasike në kompozim.
...  tregimet më sollën më shumë se argëtim, më sollën kënaqësi. Gjatë leximit më tërhoqi vëmendjen fakti se si e përdor autori gjuhën artistike për të krijuar art... Entuziazmi i brendshëm nuk mund të jetë vetëm një shenjë dashamirësie apo gëzimi se Myrtaj na dhuroi diçka estetike në sipërfaqe dhe të fuqishme në epiqendër... Por arti është art. Sado dashamirës të jesh, ai duhet të jetë i pranishëm në materialin që lexon...  Kritikat letrare që bëhen për ”hatër”, e kanë këtë fjalë të “suvatuar” në mes të rreshtave. Ato mund të jenë fjalë mëdha, por janë pa jetë, tamam si trupi i një të vdekuri. Sado i sfiduar të jetë mekanizmi mental i njeriut, ai është në gjendje ta dallojë të vdekurin nga i gjalli dhe tekstin pa jetë nga ai i fuqizuar nga arti...  Mendoj se sekreti është i fshehur kryesisht diku midis inventarit të pasur linguistik dhe talentit për të bërë çudira me gjuhën letrare. Është përdorimi unik i gjuhës ajo që e koncentron formën e të treguarit të tij, pa e humbur as vorbullën e ndjenjës, as freskinë e sugjerimit.

Por Myrtaj më magjepsi me së shumti, kur e kuptova plotësisht energjinë e individualitetit të tij krijues. U ndjeva i bymyer shpirtërisht, veçanërisht nga ndjenja e brishtë me të cilën shkruan.
… mendoj se ai është mjeshtër i prozës së shkurtër. Do ta thosha pa ndrojtje para çdo klase apo simpoziumi se Myrtaj është një ndër shkrimtarët më të spikatur të kohës.
“Hijet e virgjëreshave,” për mendimin tim, së bashku me “Muzikë e vjetër”, përbëjnë dy nga tregimet më të bukura që kam lexuar këto vitet e fundit, qoftë edhe në letërsinë amerikane
 Myrtaj përdorë fjalën e shkruar me forcën e poezisë në prozën e tij. 

Ali Aliu
Proza e Farukut të qëndron përballë, të merr gishtin, të rrëmben krahun, të përthith, të trupëzon pa "dhimbje" … pikturon si A. Buza, duke e tejkaluar penelin e artit figurativ.
Tregimet e Myrtos, kanë sfiduar skematizmin, rutinën dhe autoçensurën, në saje të aftësive krijuese, predispozitave natyrore të kultivuara dhe shfrytëzimit të hapësirave të lirisë krijuese, si në rrafshin e mjeteve shprehëse, ashtu edhe në atë të ideve.
“Faruk Myrtaj është natyrë krijuese nga e cila rrezaton heshtje dhe qetësi të brendshme, urti mirëkuptimi për njeriun dhe botën

Nase Jani
Shkrimtari Faruk Myrtaj, që e ka mjeshtëruar gjininë e tregimit prej vitesh. Na solli përsëri një tregim-model, “Turmat...”. Sa e mbarova së lexuari tregimin mendova: “Shumëkush mund ta mendojë, por vetëm Faruku mund ta shkruaj një tregim të tillë”.

Astrit LULUSHI, duke përsiatur rreth romanit “Atdhe tjetër”: “Bëhet fjalë për ikjen fizike nga një atdhe për të cilin të thonë se “duhet t’a duash edhe kur të vret”, edhe kur iket nuk duhet harruar. Por “Atdhe tjetër” është më shumë, ku filozofohet ikja nga vetja –për në vetëvete –largim, ndarje, vetmi, dhe një farë zhgënjimi në fund, kur kuptohet se nga vetja nuk iket. Ashtu gdhendur në mendim, “Atdhe tjetër” … rrëfen, lëshon piskamë … kushtrim pa zë i ankthit të jetës së një populli a njeriu të vetem në kufi midis dy shekujve” .
“Atdhe tjetër” –roman filozofik– mbështetet kryesisht në ngjarje e përvoja jetësore të autorit në këtë vend dhe tjetrin. Në libër, Myrtaj pasqyron luftrat e tij... tregon edhe në ç’mënyrë –vërtet ose artistikisht– njerëzit sajojnë, krijojnë, shpifin ngjarje që e shtyjnë tjetrin në luftra të brendshme.
 Aleko Likaj
 “... një roman (Atdhe tjetër) që të emocionon deri në tepri, dhe që çdo emigrant e bën që të ndjehet krenarë në vendin ku jeton, punon, e ndërton jetën e tij... I njohur në prozën shqiptare në keto tre dekadat e fundit, me tregimet e tij, që për mua gjithmonë të zgjojnë mendime, për shkak të mesazheve qytetare që përcjellin ato, por edhe për gjuhën e pasur dhe të pastërt, e krejtësisht figurative, me tharm dhe elokuencë, ku ndjehet një intonacion i fuqishëm folku i zonës ku ka lindur dhe jetuar vite më parë, autori të befason sërish. Pa dyshim që Faruk Myrtaj është tashmë nga prozatorët e tregimtarët tanë më të mirë në fushën e letrave tona shqipe.“

Filozofia është kudogjendshme në krijimtarinë e shkrimtarit Myrtaj:

Fragnente:
 “Ja, tani jemi vetëm…”, tha me një buzagaz të shkujdesur.
“Njeriu është vetëm kur lind e kur vdes”, tha plaku.
“Përse m’a dërgove fëmijën, atëherë? Për të më treguar arkivolin?!”
“Lëre fëmijën. Fëmija është si populli…”, shtoi plaku. (Fjala)
***
Të ndryshëm, si me dy-tri botë në mes, jemi edhe me njerëzit ngjitur.
Ç'të bëjmë? 
A e ndryshojmë dot botën?
A na ndryshon dot bota? 
Për asnjerën nuk kam përgjigje. (Bashkëbisedim virtual)

***
“Kam frikë se s’është Perëndimi yt ky.  As Ikja e Lindjes për në Perëndim s’më duket zgjidhje. Askush nuk ikën dot me të gjitha, nuk ikën dot i gjithi” (Atdhe tjetër)
***
Unë jam i burgosur vullnetar në billdingun 169 Jameson Avenue. Kaq. Vetëm
një herë në dy javë, për dy ditë, jam i lire. Kaq. Nuk di ku është ajo Kanadaja për të
cilën erdhëm... (Bashkëbisedim virtual)
***
"Nuk është zgjidhje Ikja, por të krijuarit kulturë jetese atje ku ndodhesh, në atdhe apo në mërgim, kudo ku je". Një mik i letrave, i impresionuar ng libri, i thotë autorit: -E gjetem atdheun tjeter... Autori (Faruku) shkroi: Ku e gjete atdheun?! Ne të tërë jemi ca ciganë që kemi dalë për kismet..."! (Bashkëbisedim virtual)

Rrëfimi (narracioni) me elementët e tij në tregimet e Faruk Myrtajt

Narracioni, midis gjinive letrare, zë vend ballor.  Duke qenë se rrëfimi merr shtysë patjetër nga e ndodhura, nga e kryera e ka në thelb mundësinë e tërheqjes së lexuesit. Krijuesi, në varësi nga aftësia apo paftësia e tij krijon marrëdhëniet me lexuesin (e bën mik ose e largon përgjithnjë).
***
Në rrëfimin krijues bashkëjetojnë realiteti dhe imagjinata, e drejtpërdrejta dhe simboli apo alegoria.
“Babai fillimisht kishte besuar se kjo, moszëvendësimi i xhamit me xham, kishte qenë i detyruar për shkak të përmasave jo të zakonshme të fletëve të qelqit, por kur numri i dritareve po shoqërohej ndjeshëm me rrallimin e dritës brenda ndërtesës, ai u shqetësua.” (Dritarja e fundit)
***
Shpesh,  Faruku ka zgjedhur që të jetë përfaqësues i personazheve, i njeh ata deri në honet e tyre.
Por, nuk mungojnë rastet kur njëjësohet me njerin nga ata.
 “Isha dëshmitari. Më shumë: isha te porta. Edhe më tej akoma. Pretendoja të mbetesha. Më kishin thirrur të luaja veten. S’kisha shpresuar më shumë.
“U ndodhët te porta e pallatit të shtetit?”, më pyetën. Të mirësjellshëm.
“Si sot, këtu te ju! Më thirrët dhe erdha, sepse doja. Duhej të isha... Gjendet dikush, gjithkund, gjithkur...
“Pra, e pranon rolin?
“Po, por jo si rol.”
“Ok, por nuk do të jetë film dokumentar...”
“Arti asnjëherë nuk  vret jetën.”
Më vështronin ngultaz. S’besoja se kërkonin rojen e djeshëm te unë, por as që kishin harruar se kisha qenë roja i Pallatit të Shtetit që kishin përmbysur.” (Turmat)
***
Rrallë e shohim si gjykatës të jashtëm apo si kalimtar që nuk i ka ditur ato që kanë ndodhur. Edhe në këto raste (si më sipër) përsëri autori hyn në lëkurën e personazhit:
“ Nadja ... herë-pas-here bërtiste: “Rroftë Çehovi!”
“Poshtë Hrushovi!” ia priste në çast e çmendura që ndodhej në krah të Nadjas ... Mirë të të bëhet...Ty po, por edhe kësaj trushkulurës, që tani guxon të mburrë Hrushovin!”
Me frikën e përhershme mos e përgjonin edhe aty, i gjori burrë shkoi ndërmend t’i shpjegonte të çmendurës se ishte tjetër Hrushovi e tjetër Çehovi, se ky i fundit nuk kishte punë me shtetet por me librat.” (Mos ik, Nadja!)
***
Imazhet pamore që krijohen gjatë leximit … (aftësia e është autori të cytë lexuesin për të ndërtuar skena filmike në përfytyrimin e tij) të cilat udhëheqin për karakterizimin e realitetit të ditës. Është sukses, kur autori arrin t’i krijojë lexuesit idenë sikur ky po i jeton ose i ka jetuar çka i jepet nga teksti. Mbetja në kujtesën time e imazheve të shkrimit lartëson krijuesin:
“Të gjitha dritaret e ndërtesave dhe zyrave përqark sheshit duket sikur përgjojnë vendin ku takohen tri rrugët që ngjiten e zbresin nga tri kodrat, me rrugën e madhe, të vetmen që vjen prej jashtë qytetit. Në të gjitha orët e ditës dhe të natës shkallët e jashtme të atyre pak pallateve, dyqaneve, njësive tregëtare, këpucarisë, berberanës, orëndreqsit, bulmetores, bankës së kursimeve, magazinës ushqimore, postë-telegraf-telefonit, dentistit, zyrës së të plotëfuqishmit dhe banjave publike që zbresin për tek përroi që rrjedh nën qytet, janë plot me njerëz. Ata ulen diku aty përqark dhe rrijnë e vështrojnë gjithçka që lëviz nëpër qytet.” (Bermunda).
***
Jeta na shfaqet e larmishme. Edhe një dukuri e veçuar ka shumëfaqësinë e saj (është poliedrike). Shkrimtari duhet të ideojë qendroren por jo si fortifikim të mbyllur. Prej saj duhet të rrezatohen mesazhe, kuptime dhe nënkuptime që e mbrojnë të vërtetën nga njëanshmëria.
“Është ditë autobuzi. Shumica janë sehirxhinj. S’ka ngjarje më të veçantë në këtë qytet. Vjen autobuzi nga kryeqyteti. Ndokush pret njeriun e vet apo ndonjë mik. Janë edhe njerëzit që presin gazetat. Sidomos gazetat e sportit. Shoferi sjell tërë shtypin e muajit dhe e shet me kile. Lajmet vjetërohen tjetërkund, por jo për banorët e kësaj qyteze.
... Sheraf Veroni nuk pret ardhjen e shtypit. Nuk pret as t’i vijë ndonjë mik. Duket si njeri i vetëm në këtë botë... Autobuzi i Datës 1 sjell edhe postën nga kryeqyteti, por Sheraf Veroni nuk pret letër prej ndokujt. Megjithatë, Shahit Veshi nuk ka drojtje t’i rrijë pas shpine.
“Secili ka punën e tij”, thotë Sherafi,
Dhe ajo pakoja që mban në dorë Sheraf Veroni, në çdo datë 1 të çdo muaji, aty në sheshin e qytetit, duke pritur autobuzin, vazhdon të ngjallë kërshëri.” (Autobusi i datës 1).

 Prandaj,
Mendoj se është proza ajo që e rrit Faruk Myrtajn në shtat deri në krahasueshmëri me arritjet më të mira të letërsisë bashkëkohore.
Posaçërisht, tregimi.

Si karakteristika themelore më shfaqen;
… përdorimi i simbolit, metaforës, analogjisë, alegorisë të cilat përcjellin tërthorë thelbin e realitetit për të mos na e diktuar. Ama, për të na sjellë situatën, personazhin, idenë si të jetë pjesë e mendimit dhe veprimit tonë të djeshëm, si bashkëjetesë.

Tipizimi nëpërmjet gjuhës:
“Ç’njeri qenka ky kështu, ë?! Njeri apo fanua?” ndukte buzët e ngrinte supet xhaxhai. “Ti vetëm po të çmendesh të shkosh ndërmend të ikësh prej këndej! Edhe meremetet nga jashtë, ë? Kështu të tha ai? Ti vëlla paske lindur me këmishë, por ajo nëna jonë, rahmet pastë, s’na ka thënë gjë...” Xhaxhai, bënte kryqin, disa herë, edhe pse ishte mysliman.
****
Plakat nga fshati, ngrinin sytë përpjetë dhe thoshin nëpër dhëmbë: ka Zot, si nuk ka, ja tek u shfaq dora e tij...Ndiznin llampadarët, i shuanin prapë e prapë i ndiznin. Sikur shkonin nëpër gojë librat e hershëm: “Të bëhet dritë!” dhe ajo vilë digjej nga dritat.
***
“E të gjitha, të gjitha këto harzualle, e tërë kjo bina, falas?!” pyeste për të satën herë xhaxhai nga fshati.
“Falas, vëlla, falas...Dhe më shumë se falas!”, shtonte babai.
“Ç’a më shumë se falas, thua ti?!” (Dritarja e fundit)
***
Një fill që përshkon tërësisht (thuajse, tërësisht) krijimtarinë e tij është HIDHËRIMI TRAGJIK ME BOTËN. Personazhi i tij, brenda të cilit ka ngritur strehë autori, thotë:
“E tërë koj botë është ndërtuar së prapthi... Duket e rregulluar si me dorë, në të vërtetë është e çrregulluar me dorë. Duket sikur secili ka pjesën e tij. Në të vërtetë, pjesët janë gjithnjë të pandara njëherë e mirë. Neve të gjallëve, na duhet të zgjasim duart për t’ja rrëmbyer njeri-tjetrit. Ndryshe është e kotë, ndryshe nuk je, nuk të llogarit njeri për të gjallë”.
***
Në letërsinë e Faruk Murtajt, disa herë, shtetin do ta gjesh të perceptuar si armik i individit, si një e keqe fatale. Lë të nënkuptuara pyetjet: A është? Kujt i duhet sheti?
Individi në raport vetveten, në prozën e Myrtajt, gjendet në dyluftim të vazhdueshëm sepse dështon në qenien vetvetja Dështon në mendim dhe në veprim.
***
Përdorimi i teknikave të ndryshme narrative, fjalori i pasur, fjalëformimi, sintaksa me tipare të theksuara individuale, lirshmëria e shprehjes, zhbirimet psikologjike, simboli dhe alegoria (Dritarja e fundit si si iluzion,  si absurd, si mashtrim, si mësim urtësie)  janë përbërësit e stilit të tij rrëfimtar. Ky stil sfidon modelet e prozës ku shkruesi përvetëson rolin e predikuesit dhe moralizuesit.
***
Ne, lexuesit e lodhur nga mbivlerësimet dëmprurëse (ndonëse midis miqsh) për çdo vlerë të dyshimtë apo jovlerë ka ngjasë të mos besojmë as të vërtetat që thuhen për krijimtarinë pararojë, siç është edhe kjo e Faruk Myrtajt.
Sidoqoftë, fluturimthi, bëra një përpjekje që të kujtoj lexuesin e ndershëm dhe sqimatar se diku (tek krijimtaria e Faruk Myrtajt, për shembull) mund të gjejë art bashkëkohor, rrëfim të sinqertë, kundërshti ndaj të keqes së shkuar e të sotme, filozofi për unin dhe shoqërinë, zhbirime psikologjike që na zbullojnë veten. Të gjitha këto perms një fraze individuale dhe gjuhe të pasur.

Faruk Myrtaj ka respekt për lexuesin dhe nuk hedh gjithçka në “tregun” e librit, nuk u shton peshën artificialisht rafteve të bibliotekave. Duhet njohur nga lexuesi që kërkon më të mirën në letërsi.
***
Në mbyllje, zbulova sa i paaftë qenkam të shpreh ato që mendoj, sa të cunguara i përcjell ndjesitë e mia të thella mbi krijimtarinë e Faruk Myrtajt, edhe pse dëshira ishte dhe mbetet sa një det.

Novruz Abilekaj
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: