Thursday, 6 October 2016

DITARËT E LUFTËS TË OFICERËVE GJERMANË BLLOFOJNË AKUZAT E BASHKËPUNIMIT PËR ÇAMËT

I nderuar Dr Fatmir Terziu

Me rekomanduan se ne organin tuaj mediatik trajtohen problemet kombetare dhe se eshte nje ze i
fuqishem, i cili deperton thelle ne  opinionet e rretheve shoqerore mbarekombetare. Ditet e fundit kemi levizje diplomatike europiane per "çeshtjen çame" si dhe acarime ne zyrat shtetrore dhe joshtetrore te Athines. E gjithe akuza greke ndaj çameve eshte se ata paskan bashkepunuar me forcat gjermane ne vitet 1943-1944. Kam studjuar "Ditaret e luftes te oficereve gjermane" te kohes, te cilet kane shenuar  ne data te caktuara levizjet e forcave gjermane ne ate periudhe . Une u ndala ne rajonin e Camerise dhe rezulton qe Napoleon Zerva (EDES-i) me komandat gjermane gjate periudhes qe kane qene ne rajonin e Camerise nuk kane luftuar kunder njeri tjetrit por kane lidhur marreveshje per te luftuar sebashku kunder forcave partizane greke (ELLAS-it) . Pikerisht per kete kam shkruar artikullin me titull: "Ditaret e luftes te oficereve gjermane, bllofojn akuzar greke per bashkepunimin e çameve", ku saktesohet mos bashkepunimi i tyre, Shkrimin po ju a dergoj per botim, nese edhe juve e shikoni te aresyeshem. Respekte Fahri Dahri. 06.10,2016
shenim: Jam studiues i Ceshtjes Came, kam shkruar 10 libra per Camerine dhe historine e banoreve te Thesproti-Camerise. Jam me aresim te larte, jane te shumte artikuj te ndryshem si per çeshtjen çame dhe per problemt qe na  preokuptojne   per zhvillim ekonomik e shoqeror te vendit tone -Shqiperise. Kam botuar dhe botoj shkrime ne mjaft organe shtypi si brenda dhe jashte vendit.

DITARËT E LUFTËS TË OFICERËVE GJERMANË BLLOFOJNË AKUZAT E BASHKËPUNIMIT PËR ÇAMËT
                        I
Realizimin e trajtesës historike që do të zhvillojmë, e cila synon nxjerrjen në dritë të së vërtetës së bashkëpunimit ose jo të çamëve myslimanë me forcat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, e bazojmë kryesisht në “Ditaret e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane. Ditarë të shqipëruar nga Ana Kolevica dhe redaktuar nga Saimir Lolja, të cilët me këtë rast i falenderojmë për materialet tepër të vlefshëm për studiuesat e fushës së historisë, të institucioneve të interesuara, për të ndriçuar të vërtetat e ngajrjeve të Luftës së Dytë Botërore si dhe për të hedhur poshtë manipulimet, trillimet dhe shpifjet e derisotme, si rrjedhojë e mosdeklasifikimit të atyre dokumenteve arshivore.    
Atmosfera tepër armiqësore e krijuar kundër shqiptarëve autoktonë të Çamërisë, nga ana e institucioneve shtetërore dhe kishtare greke, minimalisht që nga viti 1913 e në vazhdim, për tu kthjelluar kërkon argumente bindëse, analiza me fakte reale, të cilat me dokumenta të tregojnë (mos) ekzistencën fizike të objektit përkatës në kohën dhe vendin e ngjarjeve, ku janë thurur fijet e marimangave për endjen e manipulimeve të akuzave greke.
Janë shkruar libra, jane ndërrtuar taktika nga më të ndryshmet, nga të cilat pjesa më e madhe nga pala greke dhe pak nga pala dëmtuese, por e vërteta nuk zgjidhet vetëm duke bërë poezi, proza, romane etj, por kërkohet të zhvillohen debate konstruktive, të paanshme, me fakte, dokumente, dhe analiza llogjike jashtë konflikteve të interesave mes tyre, me bazë paanësinë, duke ndërtuar historinë reale të ngjarjeve, pa u ndalur nga prekja e intresave të këtij apo atij shteti, qoftë dhe kombi.
Për çamët myslimanë të Çamërisë, koha i ka çvleftësuar lumenjtë e akuzave të  ngritura nga pala greke gjatë dhe pas genocidit, aktualisht po bëlbëzihet akuza e vetme: “Çamët myslimanë të rajonit kanë bashkëpunuar me gjermanët”. Mbi bazën e kësaj akuze, pala greke i quan tradhëtarë dhe i përfshinë me amendamente të mëpasme si subjekte të Ligjit të Luftës, duke i quajtur armiq, si rrjedhojë, pasuritë e tyre shteti Grek i kalon në sekuestër, megjithëse në vitin 1940 çamët nga viti 1913 ishin nënshtetas grek.
Në këtë shkrim do të ndalemi tek lëvizjet e forcave gjermane në rajonin e Çamërisë, të njihemi me vendet ku pretendohet se janë zhvilluar luftimet mes ushtrisë gjermane me bashkëpunimin e çamëve dhe ushtrisë greke, të drejtuar nga gjenerali grek Napoleon Zerva, fshatrat e djegura, personat e vrarë etj, njohje këto të domosdoshme për të sqaruar vërtetësinë ose jo të akuzës greke.
Nëpërmjet analizes të një pjese të ditarëve të oficerëve gjermanë, lind nevoja të përëndrohemi në disa të dhëna të rëndësishme:
a) Data e hyrjres së forcave ushtarake gjermane në shtetin Grek,
b) Data e largimit përfundimtar të forcave gjermane nga Greqia.
Mbi bazën e përcaktimit të këtyre të dhënave, na bëhet e mundur njohja me:
c) Lëvizjet dhe veprimtarinë e forcave gjerrmane në rajonin e Thesproti-Çamërisë, nga do kokludohet nëse akuza greke ndaj çamëve është e besueshme ose jo.                                                    
Që në fillim të shkrimit le të njihemi me dy të dhënat që kërkohen. Sipas ditarëve që po i referohemi, rezulton se:
a) forcat gjermane kanë hyrë në Epir më 23 Qershor 1943 me Divizionin e Parë Malor Gjerman nga territori Shqiptar dhe,
b) me  datë 26.08.1944 komanda e lartë juglindore mori urdhërin e përgaditjeve për tërheqje të tërë trupave dhe paisjeve në jug të linjës Korfuz-Janinë-Kalabaka-Olimp, kështu filloi braktisja e Detit Egje dhe Greqisë. Ndërsa në 10 tetor të vitit 1944 Gjermanët braktisën Epirin dhe kufirin me Shqipërinë.
Pra, rezulton se forcat gjermane në rajonin jugperëndimor të Greqisë, në rastin tonë në rajonit të Çamërisë, kanë qenë prezent për një periudhë prej rreth 16 muaj (23.06.1943 deri më 10 tetor1944). Me përcaktimin e kohës së prezencës së forcave gjermane në rajon, për të arritur tek synimi,  duhet të njihemi me (mos) veprimet luftarake të tyre, dhe me rastet e (mos) bashkëpunimit të banorëve të rajonit përkatës.  
Veprimet e forcave gjermane në rajonin e Thesprotisë.
           Në (5) Tetor të 1943 me kapitullimin e ushtrisë Italiane dhe çarmatimin e njësive ushtarake Italiane në Greqi, Komanda Gjermane në Epir vendosi ndërprerjen e aktivitetit partizan në këtë zonë. Përshtatur me situatën reale të betejës në terren si dhe ndarjen e madhe ideologjike midis trupave të Zervës dhe njësive komuniste të ELAS-it, i u propozua Zervës një armëpushim me njësitë Gjermane, për të evituar humbjet në popullsinë lokale dhe njësitë e tij dhe bashkimin e forcave në luftën kundër komunistëve. Gjenerali Zerva e kuptoi menjëherë avantazhin e këtij propozimi të bërë nga Komanda Gjermane e Divizionit XXII Malor për vendin e tij në përgjithësi, por edhe për EDES-in në veçanti.
Nisur nga pozitat reale të tij në terren si dhe logjika e ngjarjeve, ishin për pranimin e propozimit të  Komandës Gjermane. Megjithëse jo zyrtarisht, një hap bashkëpunimi midis trupave Gjermane dhe partizanëve nacionalistë (EDES-it) filloi të vendosej në mënyrë të heshtur. Luftimet nga të dyja palët filluan të rralloheshin deri sa u shuan fare. Kontaktet, megjithëse në mënyrë jo formale, u mbajtën midis përfaqësuesve të EDES dhe Komandës Gjermane.
Rezulton se në ditët e para të tetorit 1943, me udhëheqësin e forcave të EDES-it kolonel Zerva, dhe sipas planit të të dërguarit të posaçëm Hermann Neubacher, Korparmata XXII Malore në vjeshtën e vitit 1943 bëri një marrëveshje armëpushimi të përgjithshëm, e cila u respektua deri në Korrik 1944 (lexohet në fq. 669-670 të ditarëve).
Kjo marrëveshje ndërpritet përkohësisht prej datës 05 korrik 1944 deri më 27 korrik 1944. Ndërprerja ndodhi pasi gjenerali nacionalist grek Zervas, i sulmoi forcat gjermane papritmas më 05.07.1944 në linjën Prevezë-Agrinio (në jug të Prevezës).   
Gjithashtu nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për Greqinë, zbulohet edhe një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë (bëhet fjalë për forcat e ELLAS-it). Në dokumentin gjerman thuhet: "Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propzimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim; bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it në azhornim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij si dhe mbi forcat armike".
Propozimi i Zervës i u parashtrua edhe të Plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Evropën Juglindore, ministrit Nojbaher, i cili porositi që të vazhdonin traktativat deri sa të merrej vendimi përfundimtar. Më 9 shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar (Forcat e Zervës në mars 1944 kishin rreth 10.000 luftëtarë).  Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të korrikut 1944. 
Sipas marrëveshjes me autoritetet gjermane, nga ushtria e Zervës duhej të mbetej i lirë një rrip bregdetar prej 10 km, por më 3 korrik 1944, trupat e Zervës e pushtuan zonën bregdetare pranë Pargës (zona ishte vija bregdetare Pargë-Prevezë). Po ashtu, gjatë natës 6-7 korrik filluan në befasi veprimet luftarake të trupave të Zervës kundër reparteve gjermane. “....gjenerali nacionalist grek Zervas, i sulmoi forcat gjermane papritmas më 05.07.1944 në linjën Prevezë-Agrinio dhe me datat 6-7 korrik e shtriu sulmin në perëndim të Artës dhe në rrugët Janinë-Artë dhe Janinë-Gumenicë (sipas faqes 764)”.
Në disa sulme të furishme në këtë periudhë, Zerva u mundua që t’i shfaroste “ish-shokët’” e dikurshëm (bëhet fjalë për forcat gjermane me të cilët ishte në marrëveshje). Beteja të përgjakshme ndodhën në Jug dhe Perëndim të Epirit ku trupat e EDES–it humbën mjaft vetë si rezultat i superioritetit të forcave Gjermane.
Sulmi i papritur i EDES-it ndaj forcave gjermnae, thuhet se ishte bërë me nxitjen e forcave aleate. Komanda juglindore gjermane më 12 korrik 1944 nga vlerësimi i situatës, theksonte se egzistonte përsëri mundësia e një lidhjeje mes gjallërimit të forcave të Zervës dhe qëllimeve të zbarkimit të anglo-amerikanëve në Greqinë perendimore, prandaj shkatërrimin e trupave të Zervës e quante detyrë shumë të rëndësishme”.
Gjatë periudhës së pranverës të vitit 1944, kur presioni i forcave komuniste nga Veriu drejt Jugut filloi të rritej dhe pjesë të tjera të Epirit filluan të merreshin nga forcat komuniste, përsëri Komanda Gjermane e Divizionit Malor i ofroi ndihmë liderit të EDES-it. Këtë radhë me sukses. Të gjitha luftimet u ndërprenë dhe Zerva mbajti lidhje me Komandantin Gjerman të Janinës, me të cilin ndërmori operacione të përbashkëta kundër komunistëve. Në këtë mënyrë, nacionalistët kishin avantazhin që jo vetëm t’i zmbrapsnin komunistët, por edhe të furnizonin njësitë e tyre luftarake nëpërmjet ardhjes së vullnetarëve apo edhe rekrutimeve sistematike. Në këtë mënyrë, forca e tij arriti në 15 mijë veta në Gusht të 1944.
Ndërkohë, Misioni Ushtarak Amerikan i ishte bashkuar Misionit Ushtarak Britanik për të ndihmuar partizanët në luftën kundër forcave Gjermane. Megjithatë, kjo nuk e pengoi EDES-in që të bashkëpunonte në mënyrë të heshtur me Trupat Gjermane.
           Ndryshimi i situatës luftarake në verën e 1944 në frontin Europian solli një fazë të re në luftimet e Epirit. Si rezultat i kapitullimit të forcave ushtarake Rumune dhe Bullgare dhe dezertimit nga ushtria e Boshtit, por edhe avancimi i trupave të Ushtrisë së Kuqe në Ballkan, sollën ngritjen e moralit për partizanët komunistë. Po kështu, ndihma materiale e aleatëve, e cila tashmë po vinte jo vetëm nga ajri, por edhe nga deti, i ndihmoi shumë komunistët, që tashmë kishin mbi 20 mijë vetë nën komandë.
Në tetor të vitit 1944 kur gjermanët braktisën Epirin dhe kufirin me Shqipërinë, Zerva kishte në dispozicion vetëm 8 mijë trupa, me ata trupa të mbetur Zerva  mori Janinën, e cila ishte e braktisur tashmë.  Gjatë betejës që forcat zerviste patën me komunistët, të cilët kishin superioritet në numër 3 me 1, Zerva pësoi shumë humbje dhe e braktisi Epirin duke u hedhur në ishujt Jonianë.
                                                             II.
Nëpërmjet shtjellimit të ngjarjeve të asaj periudhe, të cilat na paraqiten nga “Ditarët”, nxirret edhe konkluzioni për ndryshimin e qëndrimeve të palës greke, ku sipas situatave luftarake në terren, herë bashkohen me okupatorin (forcat pushtuse gjermane) dhe herë me forcat Aleate (anglo-amerikane). Ndërsa qëndrimet e EDES-it , i cili operonte kryesit në jug dhe në perëndim të Greqisë, dalin shumë të qarta, pasi po thuaj për gjithë periudhën e prezencës gjermane në rajon ekzistojnë marrëveshje mossulmimi mes palëve dhe bashkëluftim ndaj forcave komuniste (ELLAS-it), ndërsa kur situatat ndryshohen në favor të Aleatëve dhe si rezultat rigjallërohen forcat komuniste, EDES-i zervist përpiqet të ndërrojë ngjyrën, duke marrë kontakte me emisionerët anglo-ameriaknë, por ruan në fshëhtësi marrëveshjet e bëra me forcat pushtuese gjermane. Janë pikërisht këto veprime të EDES-it, lidhur me qëndrimet politike dhe ushtarake të saj herë me “Boshtin”, herë me “Aleatët”, të cilat diheshin mirë nga diplomacia e kohës, dhe të përcaktuara saktë nga një ish diplomat i Ambasadës Ameriakene në Athinë, i cili ka shkruar: “Bashkëpunëtorët grekë e rishpikën veten, ndërruan flamurin, duke u shndërruar në antikomunistë të ashpër. Çamëve nuk i u dha ky shans”.
 Këtu problemi nuk trajtohet për të kritikuar manovrimet e zervistëve, ato ishin taktika të përdorura për të realizuar strategjinë, fitoren e luftës, të cilat i siguruan suksesin, pavarësisht se ato “taktika” çvleftësuan intelektin luftarak dhe human si të palës gjermane dhe “Aleatëve”. Problemi qëndron tek paarësyet e intrigimit dhe mashtrimit të politikës së palës greke, që çuan në urrejtje dhe në tërbim zervistët dhe andartët grekë, të cilët masakruan, dogjën të gjallë në furra fëmijë, dogjën me benzinë gra dhe vajza çame.
Pavarësisht slloganit permanent  se “Çështja Çame nuk ekziston”, në ndërgjegjen e shoqërisë së civilizuar, intelektualëve të mirëfilltë, akademkë, profesorë, bile dhe tek figura të larta politike greke, i kanë dënuar dhe i dënojnë veprimet çnjerëzore të kryera nga EDES-i ndaj banorëve të Çamërisë         .
Informata që lexohet në  fq. 768 – 10.07.1943, tregon se nga Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane, në situatat e krjuara, pranohet pjesëmarrja e një Divizioni Malor gjerman në operacionin "Delta" me detyrë spastrimi në Greqinë perëndimore. Ndërsa në fq. 654 na bëhet e ditur se kur nuk ishte akoma e qartë se si anglo-amerikanët do t'i zhvillonin luftimet pasi kishin pushtuar Italinë, komanda gjermane u muar gjërësisht me mundësinë e një zbarkimi armik në anën perëndimore të gadishullit ballkanik, duke u nisur nga Italia. Prandaj ajo u përpoq të kontrollonte sa më shpejt portet dhe ishujt e bregut dalmatin-malazez-shqiptar-grek, gjë që e arriti në shumicën e rasteve gjatë muajve të vjeshtës të vitit 1943. Në zonën bregdetare të mësipërme, e cila mund të kërcënohej nga një zbarkim i aleatëve, mendohej se vepronin edhe trupa banditeske prej rreth 20.000 vetësh. (Revista "Bardhë" dhe "Kuq" në Greqi).
Në datën 22 janar 1944, sipas fq. 613, analizohen masat kundrejt një zbarkimi të aleatëve në Nettuno të Italisë (qytet bregdetar në jug të Romës). Operacionet e zbarkimit të aleatëve janë të mundshëm së pari në bregun perendimor të Ballkanit nga Arta deri në jug të Splitit dhe së dyti përmes Detit Egje drejt Selanikut. Gjithashtu në fq. 671-672, lexohet se me 05.06.1944 Divizioni I Malor, filloi operacionin “Gemsbock” (Cjapi i Egër) në zonën kufitare Shqipëri Greqi duke u nisur nga Maqedonia. Divizionit 4 SS të Policisë së Motorizuar filloi më 27.07.1944 (Libri i Situatës 28.07.1944), i cili do vepronte në bregun perëndimor të Greqisë. Ndërkohë forcat e Zervës ndërprenë sulmet, kështu u bë i mundur rifillimi i bisedimene. Komanda e lartë juglindore, nisur nga gadishmëria e nacionalistëve grekë dhe veçanërisht të Athinës, për marrëveshje me fuqinë pushtuese gjermane, si dhe situata e përkeqësuar në Epirin jugor nga veprimi i 7 Brigadave komuniste, shihte mundësinë se edhe Zerva do të pranonte kërkesat gjermane, dmth largimin nga bregu dhe porti i Pargës dhe luftën kundër forcave komuniste. Synimi i këtij grupi ishte pushtimi i rripit bregdetar Prevezë-Mesolongji. Prandaj komanda e lartë juglindore hartoi në marrëveshje me Grup-Armatën “E” operacionin "Kreuzotter" me anë të cilit Divizioni 4 SS i Policisë së Motorizuar dhe njësi të Divizionit 104 Këmbësor sulmojnë në drejtimin jugor nga Janina mbi Artë.
            Veprimet operacionale të periudhës 5 korrik deri më 27 korrik 1944, që Zerva prishi marrëveshjet me palën gjermane, forcat e të dyja palëve nuk ishin në rajonin e Çamërisë, por u zhvillua nga Preveza dhe më në jug të saj deri në Agrinio. Kjo situatë ndiçohet duke u referuar “Ditarëve” në fq. 675-676, ku shkruhet: Komanda e lartë juglindore me datë 17.07.1944, përsëriti kërkesën për ta dërguar Divizionin I Malor në Mal të Zi, duke theksuar ndikimin psikologjik të tij në një betejë për në Sofien. Për Greqinë perendimore, ajo kërkoi daljen nga rezerva në Thesali të Divizionit 4 SS të Policisë së Motorizuar, i cili bashkë më njësitë e tjera të Gruparmatës “E“ mund të përdoreshin kundër forcave komuniste dhe të Zervës, si dhe në rast të një zbarkimi të aleatëve në rajonin e Janinës.
            Ndërsa vëmëndja e ushtrisë gjermane në verën e viti 1944, sipas fq. 669-670, ishte përqëndruar në Kroaci, forcat ushtarake në Greqi ishin të pakta në numër, ato kishin detyrë kryesore mbrotjen bregdetare dhe operacioneve të spastrimit në rrethina. Lëvizjet e rezistencës greke (kupto forcat e EDES-it) kurrë nuk u shndërruan në operacione në shakllë të gjërë. Ato ishin të lidhura shumë ngushtë me rajonin ku kishin fuqi dhe ndikim. Ndërsa ELAS-i, forcat komuniste, kishte ndikim në shumicën e Peloponezit, në Boeti, Thesali-Trakë dhe në thellësi të Epirit. Forcat nacionaliste të EDES-it, ishin të kufizuara në veri të Gjirit të Artës deri në Pargë. Kuptohet qartë se në këtë periudhë forcat e Zervës nuk ishin në Thesoriti-Çamërinë e sipërme. 
Saktësisht gjatë prezencës së ushtrisë gjermane në Greqinë veriperëndomore prej vjeshtës së vitit 1943 deri më 5 korik1944 dhe nga 27 korriku i vitit 1947 deri në tërheqjen e forcave gjermane nga rajoni i Çamërisë (të cilat u larguan më 10 tetor 1944), nuk ka patur sulme mes forcave të EDES-it dhe forcave gjermane, pasi ishin në fuqi marrëveshjet mes tyre, jo vetëm juridikisht por edhe praktikisht.
Nëse u arrit të provohet se forcat gjermane, të paktën për rajonin e Çamërisë, gjatë periudhës së prezencës së tyre ishin të përfshira në marrëveshje me forcat e EDES-‘it, të cilat u analizuan më sipër, nuk mund të akuzohen çamët myslimanë se paskan bashkëpunuar me një okupator, i cili nuk luftoi kundër EDES-it, pra kundër forcave greke në atë rajon. Sa i përket periudhës 17 ditore (5 korrik1944 deri më 22 korrik 1944) që u ndërprenë marrëveshjet (EDES-i me Forcat gjermane), lindin dy arësyetime: e para, sulmet nuk u filluan nga gjermanët por, me fjalë popullore, i “hëngri kurrizi” Zervës dhe e dyta, konfrontimet nuk ishin në rajonin e Thesprotisë (Çamërisë së sipërme), zona ishte jashtë interesave të çamëve, pra nuk kishte arësye bashkëpunimi.
Kjo tezë, apo akuzë nuk ka baza reale, dhe, për periudhën që analizohet, dalin tepër qesharake dhe foshnjore, jo vetë për palën greke që e ndërrtoi këtë akuzë, por edhe për misionarët anglo-amerikanë që e përkrahën idenë greke për të kryer kasaphanë ndaj një populli të pafajshëm. Gjeneral Zerva arriti ti mashtronte dhe manipulonte aleatët duke i prezantuar atyre shtëpitë e çamëve myslimanë si streha të forcave gjermane, kur vetë ata që akuzonin kishin marrëveshje të qarta bashkëpunimi me forcat gjermane, për të luftuar së bashku kundër forcave të majta greke (ELLAS-it); ndërsa forcat gjermane, krahas luftës ndaj partizanëve, duhej të përballeshin kryesisht me forcat aleate, të cilat pozicionoheshin kryesisht në bregdetin Jonian. 
          Ndikimet e kthesës, si efekt i situatave të krejtësisht të reja gjatë muajve gusht-shtator 1944, sipas shënimeve në fq. 680-681, ku forcat sovjetike çajnë frontin në Rumani, lëkundjet e Turqisë dhe ndryshimi i qëndrimit në Bullgari, sollën ndryshime në rajonin juglindor të Greqisë. Në këto kushte më 26.08.1944 komanda e lartë juglindore mori urdhërin e përgatitjeve për tërheqjen e tërë trupave dhe paisjeve në jug, konkretisht të linjës Korfuz-Janinë-Kalabaka-Olimp. Pra, filloi braktisja e Detit Egje dhe e Greqisë.
Në fq. 721, mësohet se me kalimin e kufirit greko-maqedonas nga prapavija e forcave gjermane të Grup-Armatës “E” nga data 1 e 2 nëntor 1944, përfundoi dhe largimi i forcave gjermane nga Greqia.                  
                                               III. Një përmbledhje për Napoleon Zervën
Koloneli Zerva ishte një ish-oficer i ushtrisë greke, që kishte shërbyer në ushtrinë Franceze në Luftën e Parë Botërore dhe pas një shërbimi të gjatë në ushtrinë Greke kishte dalë në pension me gradën Kolonel. Me dorëzimin e ushtrisë greke dhe pushtimin e Greqisë nga italianët, Zerva në verën e 1941 filloi përgatitjet për organizimin e rezistencës ushtarake. Në 9 Shtator 1941, në Athinë themeloi organizatën e quajtur “Organizata Nacional Demokratike”. Në korrik të 1942, meqenëse nuk ishte i sigurt në Athinë, bashkë me mbështetësit e tij u larguan në malet e Epirit Jugor, ku kishte mbështetje nga popullsia lokale, si dhe nga që pozitat e forcave italiane atje ishin më të dobëta.
Në 25 tetor 1942, Koloneli Zerva filloi luftën kundër italianëve me  98 mbështetës. Në 10 Nëntor 1942, gjatë aktivitetit të tij në zonën Argjira, Zerva ra krijoji lidhje me oficerët Britanikë të dërguar në Greqi. Me kërkesën e tyre, Zerva, i ndjekur me mbështetësit, mori përsipër hedhjen në erë të Urës së Georgopotamos (në jug të Laminës). Pas përfundimit të aksionit, u rikthye në Epir në vazhdim të aktivitetit kundër Italianëve. Në fillim të vitit 1942, një Mision Ushtarak me12 oficerë Britanikë u atashua në Komandën e EDES-it. Me përfshirjen e Britanikëve në radhët e forcave të Zervës dhe dështimet e forcave Italiane, forcae e Zervës numëronin rreth 4 mijë veta, ndërsa në Korrik rreth 7 mijë. Në 23 Korrik të 1943 emri i EDES u ndryshua në “njësitë guerile nacionaliste greke”.
Aktiviteti gjithnjë në rritje i partizanëve grekë, detyroii gjithnjë e më shumë tërheqjen e Italianëve nga kjo zonë. Italianët mbanin vetëm qendrat e mëdha, ndërsa zonat malore ishin në duart e guerileve. Fitorja ndaj italianëve, dukej e qartë në favor të palës greke, por pikërisht në atë kohë ndryshoi situata.
Në 23 Qershor 1943, Divizioni i Parë Malor Gjerman hyri në Epir nga territori Shqiptar. Partizanët u përballën me një forcë që kishte eksperiencë të madhe luftimesh, kështu një fazë e re lufte filloi për njësite guerile (EDES-i). Duke parë këtë situatë, britanikët në fundin e korrikut 1943, arritën t’i unifikonin të gjitha grupimet politike partizane në Greqi. Kundërshtimet midis dy prej forcave kryesore luftuese në Greqi, Nacionalistët e EDES-it dhe Komunistët e ELAS-it nuk mund të toleroheshin më prej britanikëve. Në ato kushte  Zerva, duhej të modifikonte objektivat përpara presionit Gjerman, kërcënimit që i vinte nga ELAS-i dhe kërkesave të britanikëve. Në këtë moment, të gjitha forcat guerile ishin njohur si pjesë e Forcës Mesdhetare Lindore dhe nën Komandën e Lartë në Kajro. Komanda të përbashkëta partizane u stabilizuan në Pertouli në Thesali nën vëzhgimin Britanik. Këto njësi u organizuan dhe u trajnuan nga oficerët britanikë. Kështu, gjermanët u përballën me një front të përbashkët partizan me një moral të lartë si rezultat i fitoreve të tyre kundër ushtrisë Italiane dhe të pajisur mirë nga furnizimet britanike nga ajri.
Me hyrjen e Divizionit Malor Gjerman në këtë zonë, luftimet morën një karakter tjetër, pasi ushtari gjerman ishte i një kualiteti të ndryshëm nga ushtari i frikësuar Italian. Me disa operacione pastrimi në zona të rëndësishme, aktiviteti i njësive Gjermane krijoi siguri. Të gjitha këto operacione ishin shumë të kushtueshme për guerilet, sa që aktiviteti i tyre ra shumë në dimrin e vitit 1943-1944, duke arritur rreth 7 mijë vetë.
IV.- Disa reagime ndaj manipulimeve dhe pasqyrimi i të vërtetave
Reagimet për masakrave greke ndaj shqipëtarëve autoktonë të Çamërisë, janë të shumta, ato thuhen e shkruhen nga akademikë, profesorë, shkrimtarë, strategë ushtarakë grekë e të huaj, si dhe nga vetë autorët e krimeve, disa prej të cilave po i sjellim në kujtesë të të gjithë lexuesave si dhe për ata që kanë dyshime dhe kërkojnë të njohin të vërtetën.
● Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët, ështe dëshmuar në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke Kouvras më 31 mars 1947, i cili paraqiti përpara Senatit një dokument kompromentues, ku provohej ekzistenca e marrëveshjes  midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës si kolaboracionist. Dokumenti ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane. 
           ● Tezën greke, për bashkëpunimin e çamëve me gjermanët, e hedhin poshtë edhe dokumentat diplomatike angleze të kohës, të cilat nuk dyshohen për ndonjë tendencë antigreke, përkundrazi për tolerancë ndaj aleatëve të tyre dhe në radhë të parë ndaj forcave të së djathtës, të cilat ishin pikëmbështetja e tyre. Sipas dëshmive të  zyrtarit të lartë të misionit anglez, majorit Palmer, i cili kreu një udhëtim eksplorues në Greqinë e Veriut, pohohet se "Forca 399" kishte përcaktuar deri në 2.000 veta që bashkëpunuan "me gjithë zemër me gjermanët", por ai nuk mohonte faktin që pati edhe rreth 700 veta që luftuan në radhët e ELLAS-it kundër gjermanëve. Dëbimi u krye me gjakderdhje të madhe dhe qëllimi ishte dëbimi i popullsisë së padëshirueshme shqiptare nga vendi i vet".
● Genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë e ka pohuar edhe vetë Napoleon Zerva, i cili në letrën dërguar Jani Dani Popovitit, mikut të tij më 4 gusht 1953 nga spitali, e porosiste: "Të marrë përsipër detyrën e sqarimit të bashkëatdhetarëve (grekëve) se kush e pastroi Çamërinë nga shqiptarët....”.
● Në memorandumin e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të refugjatëve çamë në Shqipëri, dërguar ministrave të Jashtëm në Moskë pohohej: “Para shpartallimit të gjermanëve, monarkistët grekë dhe fashistët, bashkë me Gestapon, sulmuan popullsinë çame dhe shkaktuan emigrimin e minoritetit shqiptar në territorin e Shqipërisë. Implikimin e gjermanëve, lidhur me gjenocidin e bandave zerviste kundër popullsisë çame, e kompromenton edhe ditari i Rexhep Dinos, nga i cili provohet se Zerva nuk guxonte të hynte në Çamëri, sepse i trembej konfrontimit me popullsinë vendase. Prandaj u kërkoi  autoriteteve gjermane të pushtimit çarmatimin e banorëve të Çamërisë. Si rrjedhojë çarmatimi i popullsisë çame u krye nga gjermanët me urdhër direkt të Hitlerit. Më pas Zerva hyri në Çamëri dhe kreu krimet monstruoze që tashmë dihen.
● Këto vitet e fundit, albanologu i shquar, Robert Elsie, në një pjesë studimi të botuar më titullin “Shqiptarët çamë të Greqisë sipas dokumenteve të panjohura”, shprehet: “Forcat britanike, për të siguruar bregdetin Jonian për furnizimet e tyre ushtarake, lejuan komandantin vendas Zerva të pushtonte rajonin”.
● Jani Sharra në librin “Istorias tis Periohis Igumenicas”(Historia e zonës së Gumenicës), f. 642 (viti 1985), thotë: “ …Nuk kemi sot të drejtë të mos zbulojmë disa të vërteta të pakundërshtueshme dhe siç duam të dënojmë vrasjet dhe krimet e pushtuesit e të myslimanëve keqbërës, aq më shumë do të na duhet të dënojmë krimet dhe vrasjet e fuqive të ashtuquajtura të çlirimit si dhe keqbërjet e elementeve kristiane” (f. 629). Sharra shpreh edhe një zhgënjim të italianëve, të cilët mendonin se çamët do t’i kishin në krahë. Ai thotë: “Italianët u zhgënjyen me minoritetin shqiptar në Greqi. Shumë pak çamë u rreshtuan në njësitë fashiste italiane”, (f.603-4) kurse çamët u rreshtuan me forcat e ELLAS-i (forcat e majta greke).
          Jani. G. Sharra, në fq. 668 të po atij libri, shkruan: “Më 27.6.1944 andartët hynë në Paramithi; bishat përbërëse të tij u vërsulën bishërisht mbi popullatën e pambrojtur.... Të nesërmen e gjëmës në Paramithi (27.6.1944), EOEA-sitët hynë në fshatin Karbunar. As atje s’lanë kënd të gjallë nga sa zunë. Tërë çamërit që u gjetën në Karbunar u vranë dhe u hodhën nëpër hendeqe (kanale-FD).... “Pas dy ditësh EOEA-sitët arritën në Margëllëç; “e plaçkitën egërsisht. “Masakrat në Paramithi dhe thellimi i keqbërësive nuk linin asnjë dyshim se, po të donin të mbijetonin si popull, duhej të çrrënjoseshin”. Ndërsa në fq. 670 të “Istoria tis…” vëren: “Kush donte të jetonte, duhej të linte truallin e shenjtë të atdheut të vet, shtëpinë, pasurinë dhe të merrte rrugën e mërgimtarit”.
(Jani  G. Sharra., “Istoria tis…”,  në fq. 670 të veprës së tij të përmendur Sharra shkruante: “Në Çamëri u shkelën ligjet e njerëzimit dhe u njollos historia e saj nga këto hordhi njerëzish të egër”; ndërsa në fq. 672 vëren: “Këto ishin përfundimet e politikës së urrejtjes së fesë dhe të politikës së çmendur të EDHES-it; ata, pasi vulosën me gjak, lot e rrënime fatin e të dy bashkësive, patën si përfundim çrrënjosjen e çamo-shqiptarëve nga toka e të parëve të tyre, nga shtëpitë e pasuritë e tyre…”.
● Studiuesi tjetër i njohur, Niko Zhangu, në veprën e vet “Imperializmi anglez dhe qëndresa kombëtare 1940-1945”, shkruan: “Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjithë fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çame”. Duke folur mbi masakrat në Paramithi, ndër të tjera ky autor vëren: “Barbarizëm në Paramithi. Historia ditët që vijuan fsheh fytyrën e vet nga turpi”. Niko Zhangu shënon: “…ata që kapeshin nëpër fshatra, kaloheshin në thikë; nuk bëhej përjashtim as për fëmijët, gratë e të sëmurët. Shpëtonin vetëm ca të pakë që kishin shumë para dhe lira flori, me të cilat riblenin jetën e tyre dhe iknin drejt kufìrit. Paturpësitë e poshtërsitë e EDHES-itëve vunë kudo vulën e njollës së zezë”.
● Kronisti i Zervës: Mihal J. Miridhaqi, në librin “Agones tis Filisi i ethniqi Antistasi” (kundërshtitë dhe miqësitë e rezistencës kombëtare), EDES-EQEA 1941-1944 tomos B. J. Sidherisi”, Athinë 1952, tregon disa të vërteta p.sh.: “Forcat e divizionit X kishin porosi të pastronin Çamërinë dhe njoftuan se si fillim ia arritën qëllimit, duke zënë Paramithinë” (f.191). “Për pastrimin e përgjithshëm nga çamët u ngarkua regjimenti i 40-të nën komandën e Agoros dhe Gallanit dhe 11 batalione të komandës së përgjithshme” (f.191). Më 7 gusht 1944, forcat e Divizionit X zunë fshatrat Margëllëç dhe Mazrek, që ishin mbështetja kryesore e turko-çamëve” (f. 192) “Këto operacione spastrimi i vëzhgonin përfaqësuesit e shtabit të Mesdheut pranë Zervës, togeri skocez Graham” (f.192). “Më 11 gusht 1944, Repartet EO e EDAS-it spastruan kryesisht Çamërinë nga forcat e armatosura të turko-çamëve” (f.193-4).
 ● Miridhaqi flet edhe për takimin e Zervës në Athinë, me ish- kryeministrin Plastria:   “Ne këtu kryetar, bëmë EDES-in, ngritëm dhe trupat andarte të EDES-it. Nuk e di nëse jeni dakord për të gjitha këto”? Atëherë Plastira përgjigjet: “Shërbimin politik (d.m.th EDES-in) duhej ta bënit dhe mirë bëtë që e bëtë, por trupat andarte ama e dëmtuan Greqinë…”. Dhe Zerva pyeti: “Ne e dëmtuam Greqinë”? Plastrira iu përgjigj: EDAS-i, ju dhe të tjerët, sepse dogjët edhe fshatrat, vratë dhe njerëz” (f.291-92”).
● Ndërsa vetë krymasakruesi, Napoleon Zerva, krenohet për mizoritë e tij ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Ai, sipas S. Muselimi. “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë, 1974,  në letrën që i shkruante mikut të tij Jani Dani Popovitit, më 4 gusht 1953, thoshte: “Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmoit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha”.
             ● Në një studim të pedagogëve grekë në Universitetin Pandio të Greqisë, pranohet genocidin grek ndaj popullsisë çame. Ata  deklarojnë se vrashet e çamëve të Paramëthisë janë ekzekutuar nga forcat e EDES-it, vetëm për shkak të kombësisë së tyre. Po ashtu edhe 50 mijë çamë të Epirit janë dëbuar ose vrarë nga ushtria revolucionare çlirimtare greke (EDES- forcë e djathtë greke), gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Deklaratat e studiuesave krijuan kundërshtime dhe irritime të ashpra nga studentët dhe pedagogët pjesëmarrës, të cilë ngrinin zërat: “fashistët (dmth çamët) atë merituan dhe atë morën”. Por pavarësisht nga kundërshtimet, studiuesi Llambros Buliçiotis u tha: “Ky është thjeshtë një studim, që nuk tenton të futet në politikë”, përsëri salla nuk u qetësua, u desh edhe ndërhyrja e studiuesit tjetër z. Konstandinos Tsitselikis, i cili shtoi: “nuk po flasim për çështje kombëtare, por për çështje historike dhe për fakte të dokumentuara, të cilat sot po i paraqesim”. Studim tjetër që pranon gjenocidin ndaj çamëve, është hartuar nga profesori grek i Universitetit të Jeillit (Yale) në Shtetet e Bashkuara, z. Stathis Kalivas,  i cili ndër të tjera shkruan: “ky rast është padyshim një gjenocid”.
● Ish kryeprokurori i Janinës Xhavella, ka deklaruar për urdhërat e marra nga Ministria e Drejtesisë Greke për të zhdukur të gjitha dokumentat ku flitet për problmet e çamëve. Veprime të cilat flasin qartë për fshehjen e të vërtetave lidhur me “Çështjen Çame”
Manipulimet, gënjeshtrat, shpifjet e ndërthurura nga pala greke ndër dekada, vazhdojnë të bëlbëzohen edhe sot nga drejtuesit e shtetit dhe kishës Greke, kjo gjë dihet dhe nuk tregon habi, janë bërë rutinë, e veçanta është se duke përdorur të njëjtat shprehje,  gënjeshtra dhe shpifje dhe kur ato nuk shoqërohen me fakte konkrete, mendoj se duhen kuptuar disa qendrime:
● Ata bëhen qesharakë dhe plotësisht të pabesueshëm.
● E dinë që mbështesin të pavërtetat, por i përmbahen strategjisë së “Megalloidesë”.   
● Veprojnë të ndërgjegjshëm, pasi mbështeten tek filozofia e gënjeshtrave, duke akuzuar të tjerët për ligësitë e realizuara prej tyre.
● Gjithashtu janë të sigurtë se “pramatia” e tyre keqbërëse, e cila u sjell përfitime asetesh të rëndësishme për ’ta dhe komunitetin që përfaqësojnë, nga përvehtësimi i territoreve dhe pasurive të të tjerëve, pavarësisht nga metodat që përdoren, garanton mbështetjen e shtetasve të tyre, por dhe të miqëve tradicionalë, të cilët para po thuaj 200 vjetësh “sajuan” shtetin hibrid Grek.
● Janë këto pika mbështetëse, që shteti dhe kisha Greke nuk merakosen për të dalë të vërtetat e ngjarjeve makabre të bëra ndaj banorëve myslimanë të Çamërisë, prandaj nuk interesohen për të realizuar ballafaqime ndërmjet studiuesave, historianëve, profesorëve, akademikëve të të dyja palëve dhe me prezencën ndërkombëtare.
Në ditët e para të këtij shtatori, qenka bërë një intervistë nga diplomacia e Athinës në Tiranë, ku u ritheksua se çamët u larguan nga vendlindja bashkë me forcat gjermane nga frika e drejtësisë greke. Diplomatja është shprehur ashtu sepse ashtu është porositur.
Nuk e bëj për të sqaruar palën greke, pasi atyre as u ka pëlqyer dhe as u pëlqen e vërteta, por e bëj për të informuar opinionin njerëzor, fjala është tek shtjellimi i një ngjarje reale e cila llogjikisht dhe pa shumë mundime hedh poshtë deklarimin e mësipërmë.
Kur ELLAS-i (forcat e majta greke) fitoi kontrollin afatshkurtër në rajonin e Thesprotisë në fund të vitit 1944, sipas marrëveshjes së “Varkizës”, çamët lejoheshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Në këto kushte ata kaluan kufirin në “Qafë-Botë” dhe u kthyen në Filat rreth 5.000 çamë. Forcat e EDES-it i dëbuan përsëri. Gjatë proçesit të dëbimit, që udhëhiqej nga ish oficeri e Zervës, kolonel Zoto me  grupe paramilitarësh guerilas dhe grekë vendas u sulën me tërbim ndaj tyre, vranë, therën, masakruan dhe dëbuan dhunshëm çamët e rikthyer. Masakra më e rëndë ndodhi me datë 13 mars 1945 në qytetin e Filatit, ku në atë operacion dëbimi u vranë 300 çamë myslimanë.
Ngjarja e mësipërme, me vullnet të mirë dhe human tregon: nëse çamët u larguan vërtet nga frika e drejtësisë greke për “zullumet” e bëra, me pak mend ata nuk duhej të ishin kthyer, por ja që u kthyen sepse nuk u larguan nga frika e drejtësisë greke. Ata u mashtruan për herë të fundit dhe u dënuan jo nga drejtësia greke, por nga padrejtësia greke që diplomacia greke e quan drejtësi. Gjithashtu për të sqaruar opinionin e gjërë publik, nga mashtrimet  e diplomacisë greke, se çamët ikën bashkë me okupatorin; për largimin e çamëve me apo jo me gjermanët, të vërtetat gjenden tek dy data të rëndësishme që lidhen pikërisht me këtë “akuzë” greke, dhe datat deklarohen nga ish kronisti i Zervës, Mihail J. Miridhaqi, i cili shkruan: “çamët u larguan nga Çamëria me datë 11 gusht 1944”; ndërsa forcat gjermane u larguan nga Çamëria me datën 10 tetor 1944. Çështja nëse qendron apo jo akuza, besoj se është e qartë, sigurisht kur vlerësimet bëhen me baza llogjike.  
● Nuk mund të anashkalohet edhe akuza greke për vrasjen e 49 qytetarëve grekë në Paramëthi me datë 29 shtator 1943, që pretendohet se u kryen nga skuadra e pushkatimit gjerman me pjesëmarrjen edhe të nacionalistëve çamët. Për sqarimin e kësaj akuze le ti  referohemi profesorit grek, Vas Krapsitis, “Oi mousolmanai...”, faqe 159-160, autor grek, i cili e përshkruan ngjarjen si shkruan: “Pushtimi i qytetit të Paramithisë nga bandat e Zervës, nuk solli as paqe, as siguri për shqiptarët. Ndaj tyre u përdor një terror i paparë dhe u bënë krime të padëgjuara... Krimet e pashembullt të banditëve zervistë do t’i kishin zili dhe nazistët më kriminelë e më të pashpirt. Qyteti i Paramithisë, brenda disa orëve, u kthye në një thertore të grave e fëmijëve, djemve e vajzave që e donin jetën dhe që ëndërronin për një Çamëri të lirë dhe në harmoni me të krishterët. Qyteti u mbyt në gjak, u përfshi nga tymi e flakët, ndërsa banditët e pashpirt të kasapit të Çamërisë, të dehur nga aroma e gjakut të pafajshëm çam, hidhnin vallen makabre mbi kufomat. Por fatkeqësisht, fatin e Parathimisë, në pak kohë do e kishin dhe qytete e fshatra të tjera të Çamërisë, që mes vrasjeve, dhunës e masakrave çnjerëzore u dëbuan nga trojet e tyre. Për 35 çamët që po gjykoheshin, ngriheshin një det me akuza si pjesëmarrës në masakrën e 29 shtatorit 1943, ku forcat gjermane masakruan 49 të krishterë të pafajshëm, midis të cilëve edhe priftin Teamatos Pan, si dhe Athanas G. Ringen, djegien e plaçkitjen e fshatrave greke, bashkëpunim me pushtuesin etj”.
Pasi kapitulloj Italia Fashiste në shtator 1943, zonat që ajo i kontrollonte i kaluan gjermanëve të cilët mbështeteshin nga Batalionet e Sigurimit dhe trupat SS greke. Më 24 shtator 1943, në Shkallë të Paramithisë vriten gjashtë ushtarë gjermanë nga forcat e rezistencës (forcat partizane). Urdhri i komandantit gjerman ishte se për një ushtar gjerman të plagosur apo të vrarë do të pushkatohen dhjetë grekë. Për 4-5 ditë gjermanët arrestuan 52 grekë për t‟i pushkatuar si hakmarrje për vrasjen e ushtarëve të tyre, më 29 shtator ata pushkatuan 49 qytetarë të Paramithisë. Sipas të dhënave, për qytetarët e Paramithisë, kohë më pare, gjermanët kishin informacione se kush kishte lidhje me partizanët e EAM-ELAS dhe i përkiste ideologjisë komuniste. Panajoti Camatos, profesor në universitetin e Janinës, me rastin e pushkatimit të 49 qytetarëve të Paramithisë, në shtator 2015 solli një dokument ku tregohet se komanda gjermane e Paramëthisë kishte të dhëna që në gusht 1943 se kush ndihmonte EAM-ELAS-in dhe i përkiste ideologjisë komuniste. Nga një dokument i CIA-së i botuar në vitin 2000, i ofruar nga shërbimi informativ grek të pranuara gjatë vitit 1944, ku tregohen shifrat zyrtare të krimeve të luftës të kryera nga nazistët gjermanë si ekzekutime, vrasje dhe zjarrëvënie.  Në paragrafin për krimet naziste në Epir nga INFORMACIONI BULETINI “C” Nr. 43, Shkurt 1944, fq.11. Epir, thuhet se: Nga të dhënat që disponojmë numri i të pushkatuarve në Paramithi është 60 dhe jo 49 njerëz . Në këtë dokument jepet dhe lista e personave të pushkatuarve, prej të cilëve 32 mbajnë mbiemra që rrjedhin nga gjuha shqipe dhe 17 mbiemra ortodoksë.
          Të vërtetën e mos marrjes pjesë të çamëve në skuadrat e pushkatimit, e gjejmë edhe në zhvillimin e gjyqit, ku një zonjë e nderuar nga familja e madhe e Ringenjëve e quajtur Maria Ringes, e shoqja e Themistokliut, i u drejtua trupit gjykues duke shprehur protestën e saj ndaj akuzave pa baza që hidheshin për 35 çamët, që akuzoheshin si kriminelë e vrasës: “Nuk jam as në rolin e avokatit mbrojtës, as në mbrojtje të fajtorëve, as për t’i akuzuar për ato që nuk kam dijeni. Unë dua të flas vetëm për Fadil Bakon”..., dhe vazhdoi duke dhënë prova se ai ishte një njeri i ndershëm, bamirës dhe fisnik, mik i të krishterëve në ditë të vështira. Ajo deklaroj para trupit gjykues se Fadil Bako ka ndihmuar familjen e Ringenjve, si dhe shumë familje të krishtera paramithjote, me bukë e ushqime, duke i marrë në mbrojtje në ditë të vështira, kur jeta e tyre ishte në rrezik”, (V.Krapsites, “Oi mussulmanoi”, f.131). Në përfundim gjyqi e liroi Fadilin, por çamët e tjerë u pushkatuan.
Në përgënjeshtrim të akuzës greke për ngjarjen e 29 shtatorit 1943 në Paramëthi, vrasjen e 49  personave si dhe djegjen e disa fshatrave në veri të Paramëthisë, koha, e cila deklasifikoi dokumentat e atyre operacioneve, sot ato qartësohen se ishin operacione gjermane të ndërmarra kundër forcave partizane që vepronin në atë zonë dhe se shtëpitë e fshatrave ishin streha të partizanëve, dmth kundërshtarë lufte, si me gjermanët dhe forcat e djathta greke (EDES).
Operacionet e mësipërme i shërbyen si shembull Zervës, i cili e përvehtësoi dhe e përdori me sukse, duke akuzuar tek gjermanët se fshatrat e banorëve myslimanë të Çamërisë përdoreshin si streha të forcave partizane. Dëshmohet se në fshatrat ku banonin çamët myslimanë nuk është vepruar dhe as  kanë qarkulluar forcat partizane.
Edhe këtu problemi nuk trajtohet tek marrja hak ose jo për vrasjen e partizanëve nga EDES  (kundërshtar lufte me ELLAS-in), problemi shtrohet se Zerva dje, dhe shteti Grek sot, nuk duan të pranojnë genocidin e tyre ndaj çamëve, por veprojnë e flasin me një gjuhë vulgare të induktuar nga “Megalloidea” në synim të përhershëm për inkriminimin apriori të çamëve mbështetur në fillozofinë e mashtrimeve dhe shpifjeve.
Nga materialet e shkruara të vetë autorëve me origjinë greke, thuhet se vrasjet e 49 personave në shator 1943, gjermani nuk i vrau se ishin të krishterë, por se ishin partizanë që kishin vrarë disa gjermanë. Që forcat gjermane realizonin operacione kundër partizanëve, vërtetohet edhe me periudhën 29.07 1943 deri më 31.08.1943,  ku Divizioni i X-të i EDES-it, sipas faqes 114 të “Ditarëve”, kreu operacione antipartizane me forcat e saj të koduara “Augustos”. Në këtë material rezulton se forcat gjermane  vranë 600 grekë, 50 shqiptarë dhe shkatërruan disa fshatra në veri të Paramëthisë si: Elefterohor, Seliani, Semelika, Agios Nikolaos.
Nuk e di nëse punon llogjika greke e kohës, por Napoleon Zerva, i cili luftonte kundra ELLAS-it (dmth Partizanëve) nuk kishte pse merrte hakë për partizanët e vrarë nga gjermanët më 29 shator 1943 dhe akoma më shumë të shpifte se në skuadrën e pushkatarëve na paskan qenë edhe çamë?!. Nëse donte vërtet të merrte hak, pavarësisht se ishin partizanë (kundërshtarë), le të luftonte kundër gjermanëve, dhe jo të lidhte marrëveshjte për të luftuar partizanët dhe popullsinë çame. Absurditete alla greke!.
Për mbyllje mu kujtua Shekspiri i “Tragjedisë Makbethi” , ku  ambicia dhe lakmia për pushtet e Napoleon Zervës na kujton zonjën “Makbeth” tek e cila nuk njihte kufi. Ajo komplotoi  vrasjen e Dunkanit, të cilën e thurri me gjakftohtësi dhe e realizoi me vendosmëri, ashtu si dhe Zerva komplotoi kundër çamëve, manipuloi dhe shpifi për ’ta, sa tek “Boshti” aq dhe tek “Aleatët. Ndryshe nga “Makbethi” shekspirian, së cilës i mungoi imagjinata, por ligësia e saj nuk i kapërceu limitet e kufijve njerëzorë, kurse “Makbethit - Zervë” nuk i munguan as imagjinata dhe as ligësia, prandaj i kapërcyeun limitet njerëzore. Thellë në shpirtin e “Makbethit” u duk zgjimi i ndjenjës dhe pendesës, kurse “Makbethëve të Greqisë”, nuk u shuhet urrejta patologjike, përkundërazi u sjell kënaqësinë e dëshiruar. Megjithatë, sado kohë të kalojnë, është e sigurtë se ndjenja e fajit do vijë duke u rritur, derisa të pushtojë gjithë qënien e tyre, dhe do ta pësojnë ashtu si “Makbethi” që u çmend dhe shkoi në vetevrasje. Ashtu si u arrit shuarja e energjive tek “Makbethi” shekspirian, ashtu kanë për të ardhur duke u eleminuar edhe rolet e “makbethëve grekë” në veprimet e tragjedive të shtypjes së jetës për ata që nuk janë si “makbethët” e Greqisë.
Kemi po thuaj 200 vjet që manipulimet dhe mashtrimet greke, arrijnë të sfidojnë tolerancat kristiane europiane, në këto kushte, drejtësia për komunitetit çam, venitet dhe varroset nga padrejtëdia greke.
 Por, Jo. Shpresojmë tek zgjimi i shoqërisë njerëzore!   

           29 shtator 2016                                 Nga Fahri Dahri



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: